Asgjësohen 766 rrënjë kanabis, arrestohen 4 persona

  • 04 July 2015 - 13:13
Asgjësohen 766 rrënjë kanabis, arrestohen 4 persona

Policia e Shqipërisë ka bërë të mundur asgjësimin e 766 bimëve narkotike kanabis sativa, në Vlorë dhe Elbasan. Gjithashtu, janë arrestuar edhe 4 persona si kultivues të drogës.

Bimët e mbjella në 7 parcela kishin një lartësi të konsiderueshme, në fazën e fundit të pjekjes.

Në fshatin Kërkovë, përmes banesave të dy vëllezërve janë konstatuar 117 bimë narkotike. Policia asgjësoi gjithë rrënjët e mbjella dhe prangosi dy shtetasit Fejzi Hoxhaj, 57 vjeç dhe Nexhat Hoxhaj, 51 vjeç, si autorë të kultivimit të lëndës narkotike.

Në banesën e shtetasit, Nexhat Hoxhaj, u konstatua 1 parcelë me 83 bimë kanabis sativa, ku lartësia e tyre arrinte në 140 cm. Ndërsa, në banesën e Fejzi Hoxhaj, janë konstatuar  34 rrënjë narkotike me lartësi 150 cm, transmeton Shekulli.

Gjithashtu, në fshatin Lapardha, në vendin e quajtur “Përroi i Ndrecales” janë zbuluar 3 parcela me 230 bimë kanabis, si dhe në fshatin Gorisht janë gjetur 2 parcela me 140 rrënjë narkotike. Ndërkohë, policia ka kryer asgjësimin e plotë të lëndëve narkotike me djegie.