Gjykata nuk ua njeh arrestin shtëpiak Sylës dhe Abazit

  • 04 July 2015 - 16:24
Gjykata nuk ua njeh arrestin shtëpiak Sylës dhe Abazit

Të dënuarit në rastin “Bllaca II” , Shaban Syla e Sadik Abazi me vendim gjykate u privuan nga liria për katër vjet duke qenë në arrest shtëpiak, por që tani kur po vuajnë dënimin me burg, sipas aktgjykimit të plotfuqishëm nuk po u njihet ky arrest.

Syla dhe Abazi thonë se po u bëhet e padrejtë, sepse me vendim gjykate qëndruan plot katër vjet në arrest shtëpiak dhe tani Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ua ka llogaritur atë si vuajtje të dënimit.

Për këtë kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, nuk ka dashur të flas duke thënë se e ka sqaruar një herë ku sipas tij nuk mund të vazhdoi masa e arrestit shtëpiak pas aktvendimit të shkallës së dytë.

Shaban Syla e Sadik Abazi ishin dënuar nga një trup i gjyqtarëve të EULEX-it me 8, përkatësisht 12 vjet burg. Syla ishte dënuar për tentim vrasje të rëndë, ndërsa Abazi për vrasje të rëndë në atë që njihet si rasti “Bllaca II”.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur me 12 dhjetor 2012, ndërsa një vit me vonë 12 dhjetor 2013 Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin e shkallës së parë, por nuk kishte urdhëruar që të pandehurit që janë në arrest shtëpiak të shkojnë menjëherë në vuajtje të dënimit.

Për këtë, të dënuarit Shaban Syla e Sadik Abazi dhe avokati i Shaban Sylës, Haxhi Millaku, po kërkojnë që t’iu njihet arresti shtëpiak prej katër viteve të qëndrimit.

I dënuari Shaban Syla, i cili po e vuan dënimin në burgun e Dubravës thotë për KosovaPress se e kanë privuar nga liria duke e mbajtur në arrest shtëpiak, por tash nuk po ia numërojnë vitet që ka qëndruar në arrest shtëpiak pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin u shpall fajtor.

I dënuari Syla, thotë se kjo po bëhet nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, i cili jo që nuk e njeh arrestin shtëpiak, por thotë se nuk mund të ketë vendim pas vendimit të shkallës dytë mbi arrestin.

Megjithatë, në vendimin e shkallës së dytë, të Gjykatës së Apelit në asnjë vend nuk shkruan se vendimi mbi arrestin shtëpiak shfuqizohet dhe i dënuari duhet të shkojë në qendrën e paraburgimit për ta vuajtur dënimin.

“Nuk kam kërkuar mos ardhjen time në burg, por kam kërkuar që të më njihet arresti shtëpiak dhe jam në arrest shtëpiak”, thotë Syla, raporton KosovaPress.

Ai pretendon se edhe bastisja kur i është bërë shtëpisë së tij për ta dërguar në vuajtje të dënimit , është bërë me urdhër të kryetarit të Gjykatës Themelore, Hambi Ibrahimi.

Me 22 prill të këtij viti, policia e EULEX-it dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës kishin shkuar në orët e hershme të mëngjesit në shtëpinë e të dënuarit Shaban Syla, për ta arrestuar dhe për ta dërguar në vuajtje të dënimit, por ai ndodhej në burgun e Dubravës prej një muaj e gjysmë.

Edhe sot e kësaj dite as EULEX-i, e as Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kanë dhënë sqarime se si ndodhi ky aksion kur Syla gjendej në burg në vuajtje të dënimit.

Edhe i dënuari tjetër, Sadik Abazi thotë se po vuan dënimin prej 12 viteve, por nuk po i llogaritet arresti shtëpiak të mbajtur diku katër vite, nga data 28. 07. 2011, deri më 26 mars 2015.

Ai thotë se këtë mund ta fakton me dokumentacion, me vendimet e Gjykatës, shkresat e policisë të cilët kanë monitoruar atë sa ka qenë në arrest.

Abazi pretendon se në bazë të konsultimeve me shumë persona juridik që e njohin çështjen e gjyqësorit i është bërë një shkelje e të drejtave, pasi ai ka marr vetëm një shkresë dhe jo vendim ku i caktohet koha, vendi, koha e vuajtjes së dënimit dhe koha sa ka qenë në arrest shtëpiak.

Shkeljet ligjore në këtë rast i konfirmon edhe avokati i Shaban Sylës, Haxhi Millaku i cili thotë për KosovaPress, se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të datës 12 dhjetor 2013, ku vërteton vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut të datës 17 dhjetor 2012, askund nuk shkruan se masa e arrestit shtëpiak zëvendësohet me shkuarje në vuajtje të dënimit.

Por me pas klientit të tij i dërgohet një kërkesë për shkuarje në vuajtje të dënimit, pa një vendim tjetër i cili do ta zëvendësonte masën e arrestit shtëpiak.

Ai thotë se iu ka drejtuar të gjitha instancave, por ka mbi tre muaj që ende nuk ka marr asnjë përgjigje.

Millaku shkon më tej duke thënë se skandali më i madh është kur urdhërohet policia për bastisjen e shtëpisë së klientit të tij Shaban Syla, derisa ai ishte duke vuajtur dënimin prej rreth dy muajve, në bazë të një kërkesë të lëshuar nga Gjykata Themelore për shkuarje në vuajtje të dënimit.