Bujar Nishani uron Obamën

  • 04 July 2015 - 17:02
Bujar Nishani uron Obamën

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar homologun e tij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obamën me rastin e 239-të vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.

Ai shprehë mirënjohjen ndaj shtetit amerikan dhe thotë se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e madhe të SHBA-ve në konsolidimin e demokracisë së Shqipërisë dhe kontributin e pakusht që amerikanët dhanë për fitimin e pavarësisë së Kosovës.

Ja shkrimi i plotë i Presidentit Bujar Nishani:

Kremtimi i 4 Korrikut, përvjetorit të 239-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet me të mira e të sinqerta për Ju dhe popullin mik amerikan.

Kjo ditë e veçantë për vendin tuaj më jep gjithashtu mundësinë që, në emër edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarëve të rishpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për pavarësinë, mbështetjen e proceseve demokratike dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë edhe ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara dhanë për fitimin e pavarësisë së Kosovës, duke i bërë qytetarët e saj të ndihen të lirë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor të çlirohet nga konfliktet etnike. Falë mbështetjes thelbësore të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria përmbushi kriteret dhe standardet e nevojshme dhe që prej disa viteve është anëtare e NATO-s, duke u rreshtuar me krenari përkrah SHBA-ve dhe vendeve të tjera të Aleancës.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të një rëndësie parësore dhe strategjike për vendin tim dhe për këtë arsye sot jemi më të vendosur se kurrë për t’u rreshtuar krah jush në përballimin e luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ISIL-it.

Me besimin e palëkundur se këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej dhe do të njohin zhvillime pozitive në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”

(Kosova Sot)