Frikë dhe presion para arrestimeve të para

  • 12 January 2017 - 07:51
Frikë dhe presion para arrestimeve të para

SIVJET, GJYKATA SPECIALE NGRE AKTAKUZAT KUNDËR ISH-KRERËVE TË UÇK-SË

Ekspertët parashohin pasoja serioze politike,shkruan  gazeta Kosova Sot.
Për secilin qytetar të Republikës së Kosovës që eventualisht mund të jetë objekt i dyshimit dhe akuzës në Gjykatën Speciale kjo nuk është aspak e lehtë, pasi është njëfarë lloj droje, ankthi, por edhe pritje, se çfarë do të ndodhë me atë, por edhe me të tjerët që do të jenë objekt i trajtimit të kësaj gjykate. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë po ashtu se, përveç të dyshuarve të saj, Gjykata Speciale është një ankth dhe shqetësim i përgjithshëm për gjithë qytetarët e Kosovës. Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se sa i përket Gjykatës Speciale sigurisht që të gjithë e dinë se faji për funksionalizimin e kësaj gjykate është nxjerrja e ligjit për këtë gjykatë, që e kanë bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2015."Sigurisht se një pjesë e atyre deputetëve që kanë votuar për Gjykatën Speciale e kanë pasur nën vetëdijen e tyre se ata vetë mund të jenë objekt i trajtimit nga kjo Gjykatë Speciale dhe është një çudi botërore se si vetëm shqiptarët e Kosovës votojnë një gjykatë në Parlamentin e tyre kundër vetvetes, pasi kurrkund në botë, në asnjë parlament botëror, nuk ka ndodhur deri më tani që Kuvendi të votojë ligje kundër vetvetes, por me shqiptarët e Kosovës ka ndodhur kjo dhe ndaj një pjese të këtyre deputetëve me siguri që do të jenë akuzat fillestare apo të para në Gjykatën Speciale në Hagë", ka vijuar ai.

Nuk dihet kur nisin arrestimet e para

Gashi ka shtuar se me siguri me fillimin e arrestimeve të para do të ketë ndryshime edhe politike, por edhe ndryshime të tjera në Kosovë."Secili që potencialisht mund të arrestohet nga Gjykata Speciale në Hagë është i frikësuar deri në atë masë saqë ne e dimë që edhe persona apo zyrtarë të lartë në Kosovë, që mund të jenë objekt i trajtimit në Gjykatën Speciale, janë në njëfarë mënyre duke bashkëpunuar me organe të tjera që t'u ndihmojnë atyre, por edhe që ta heqin emrin e tyre nga lista e atyre që potencialisht mund të jenë të akuzuar", ka thënë ai. "Sido që të jetë, me siguri nuk mund të themi se arrestimet e para do të fillojnë gjatë këtij tremujori, por e dimë se sigurisht para qershorit do të fillojë puna e Gjykatës Speciale dhe puna nuk mund të fillojë pa pasur të dyshuar atje, të cilët sigurisht që do të arrestohen. Ndërsa secili që potencialisht mund të jetë i akuzuar atje ka një frikësim të posaçëm dhe kjo është e natyrshme, por e panatyrshme ka qenë që deputetët të votojnë një ligj kundër vetvetes", ka shtuar ai. Ndërsa sa i përket ndihmës që do t'ua japë shteti të akuzuarve potencialë të kësaj gjykate, Gashi ka nënvizuar se ndihma që do të jepet në mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale është një ndihmë, siç tha, "e cila vetëm ka tentuar që të parandalojë mllefin e popullatës së Kosovës derisa ato as përafërsisht nuk do t'i mbulojnë shpenzimet e avokatëve, sepse secili që do të jetë i akuzuar në Gjykatën Speciale mund të dënohet me dënime drakonike, deri me burgim të përjetshëm, dhe secili ka të drejtë ligjore, por edhe të drejtë njerëzore, që të kërkojë ekipet më të mira të avokatëve që ta mbrojnë, për shkak të kërcënimit me dënime afatgjata, deri në burgim të përjetshëm".

Efektet politike, të pashmangshme

Analisti Naim Kelmendi thotë se Gjykata Speciale do të fillojë së shpejti me arrestimet e të supozuarve për krime të luftës në Kosovë, derisa, sipas tij, punën e vet kjo gjykatë e fillon në rend të parë bazuar në raportin e Dik Martit, kinse për krimet e luftës nga ana e UÇK-së, por Kelmendi thotë se, siç dihet, në raportin e Dik Martit, mbi të cilin edhe ka bazën e gjykimeve Gjykata Speciale në Hagë, aty janë edhe emrat e apostrofuar si të supozuar për krime lufte, derisa këta emra atëbotë, në kohën e luftës, përbënin pothuajse relevancë në hierarkinë e UÇK-së, por të njëjtit sot janë pjesë e skenës politike dhe mbajnë edhe pozita në institucionet e shtetit. "Fillimi i arrestimeve të këtyre figurave sigurisht se do të ketë efektet e veta në skenën politike, mbase do ta tronditë atë, posaçërisht kjo tronditje do ta godasë PDK-në, ngase të apostrofuarit për krimet e supozuara në raportin e Dik Martit, që do të arrestohen për t'u gjykuar në Gjykatën Speciale, përbëjnë disa nga figurat qendrore të kësaj partie, por edhe janë në krye të institucioneve të shtetit. Pa paragjykuar në asnjë rast fajësinë apo pafajësinë e këtyre figurave dje në krye të UÇK-së e kaq vite në krye të politikes dhe shtetit, sigurisht se vetë gjendja e tyre në subjektin e të akuzuarve për krime lufte në Gjykatën Speciale do të ketë efektet e veta negative në imazhin e kësaj partie, por patjetër edhe në arenën ndërkombëtare për imazhin e Kosovës", theksoi ai."Ndërsa, gjykimet në fjalë për këto krime të supozuara kanë mundur të gjykoheshin në Kosovë, ku edhe pasojat do të ishin më të vogla në imazhin e Kosovës, por për këtë gjë nuk kanë ekzistuar vullneti dhe vendosmëria e institucioneve tona të drejtësisë. Por sikur është thënë edhe nga Gjykata Speciale, ajo do fillojë me arrestimet që në janar të vitit 2017, duke vazhduar në vijimësi për të nxjerrë para drejtësisë këta njerëz, emrat e disa prej tyre janë edhe publikë", theksoi Kelmendi.

Ngarkesë e madhe për buxhetin

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se për asnjë qytetar, i cili eventualisht mund të jetë objekt i ngarkesës, dyshimit ose edhe akuzës në Gjykatën Speciale nuk është lehtë dhe nuk është qetësi e plotë. "Prandaj kjo nuk do të jetë vetëm për ata të cilët mund të jenë potencialisht të iniciuar, të dyshuar proceduralisht atje në atë gjykatë, por është njëfarë lloj pritje e ankthi, ndoshta do të thosha unë dhe shqetësim i përgjithshëm për gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ne si popull dhe si republikë, si shtet, kemi bërë një luftë të drejtë, një luftë defansive, pra mbrojtëse, dhe asnjëherë s'ka ndodhur që ai që cili lufton për të drejtat e tij, për lirinë dhe pavarësinë e tij, të dënohet dhe të vihet në sprovë para një tribunali, siç ka ndodhur me Kosovën", u shpreh ai. "Prandaj, po mund të jetë edhe njëfarë lloj sfidimi, por edhe pritshmërie me frikë dhe ankth për këdo që mendon ose mund të mendojë se frikësohet që të jetë objekt i trajtimit si person fizik, pra si individ në këtë gjykatë", ka vijuar ai. Ndërsa sa u përket tarifave, gjegjësisht mundësisë për të paguar mbrojtjen e tyre, Baraliu thotë se me sa ai është i njoftuar një ligj është paraparë që shteti t'i bartë shpenzimet, mirëpo siç tha "nuk është përkufizuar saktësisht dhe nuk është përcaktuar se sa do të jenë ato dhe nëse tarifat atje do të jenë të mëdha edhe për shtetin, për faturat, pasi pritet që disa dhjetëra në bazë të paralajmërimeve dhe paragjykimeve të njerëzve e perceptimeve është thënë që disa dhjetëra por mund të jenë edhe disa qindra njerëz që mund të procedohen atje, atëherë do të jetë një ngarkesë e madhe për shtetin dhe buxhetin dhe kjo do të duhej të parashihej me akte nënligjore, pasi në Ligjin për Gjykatën Speciale nuk është përcaktuar shuma". 
 

(Kosova Sot)