Haradinaj paguan çmimin e Demarkacionit dhe Asociacionit

  • 12 January 2017 - 07:38
Haradinaj paguan çmimin e Demarkacionit dhe Asociacionit

NDALIMI I ISH-KRYEMINISTRIT NË FRANCË NDËRLIDHET ME KUNDËRSHTIMIN E MARRËVESHJEVE

Analistë kosovarë vlerësojnë se aktivizimi i fletarrestit serb për Ramush Haradinajn lidhet me rezistencën e tij të suksesshme ndaj dy marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, ku Qeveria është bllokuar dhe nuk ka vota në Kuvend, sepse bëhet fjalë për cenimin e integritetit territorial dhe rrezikun nga bosnjëzimi,shkruan gazeta Kosova Sot.
Situatën e krijuar së fundi me arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, nga autoritetet franceze, sipas kërkesës së shtetit serb, analistët politikë dhe njohësit e fushës së drejtësisë po e cilësojnë si veprim kryekëput politik, i cili po përdoret për një lloj presioni të paparë nga bashkësia ndërkombëtare për Demarkacionin dhe Asociacionin, duke tërhequr vërejtjen se marrëveshjet duhet të miratohen dhe të mos bllokohen proceset e dizajnuara nga ndërkombëtarët. Tani me të drejtë shtrohet pyetja se deri kur Kosova do të vuajë pasojat e veprimeve të pamatura të qeveritarëve të papërgjegjshëm, deri kur do të pranojë ta dëmtojë veten,shtetësinë e saj dhe humbjen e territoreve, për hir të "proceseve" që nuk kanë asnjë kuptim, përveç "tradhtisë' eventuale kundër shtetit të Kosovës, nëse politika vendore vërtet gjunjë- zohet para presioneve të tilla. Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi thotë se me kohë është vërejtur një tendencë e tillë e presionit indirekt, që ka zhvilluar bashkësia ndërkombëtare kundër atyre që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë konsistentë në kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve të dëmshme për shtetin e Kosovës, por se tani është zgjedhur një moment kritik dhe në mënyrë të pandershme, duke "e prerë në besë" njërin nga kundërshtuesit më të mëdhenj të të dyja marrëveshjeve, që me angazhimin e tij opozitar dha kontributin maksimal në stopimin e zbatimit të tyre. "Unë mendoj që kryesisht këto temat e rëndësishme, nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe janë kundërshtuar nga opozita, e që tash nga presioni ndërkombëtar kërkohet me çdo kusht që gjatë këtij viti të kalojnë dhe zbatohen, janë faktori kryesor që kanë ndikuar që edhe ky fletarrest, i lëshuar që në vitin 2004 nga shteti i Serbisë kundër Ramush Haradinajt, të aktivizohet dhe të filloj të gjejë zbatim aktualisht në këtë kohë, sepse para institucioneve të Kosovës janë dy tema të rëndësishme për faktorin ndërkombëtar, që kërkon të zbatohen, Asociacioni dhe Demarkacioni sikurse edhe aktualiteti rreth Gjykatës Speciale", theksoi ai.

Bllokimi i marrëveshjeve

Sipas Kelmendit, dy çështjet më të rëndësishme që tani zgjojnë interesin e bashkësisë ndërkombëtare dhe bëhet presion janë Demarkacionit dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilat nuk arritën të zbatohen gjatë vitit të kaluar, ngase në kuadër të forcave rezistuese del që realisht ka qenë roli i Haradinajt si personi më i besueshëm, i cili ka dhënë kontribut dhe ndikim për mosrealizimin e qëllimit të Qeverisë në përmbushjen e këtyre dy pikave. "Rolin e Ramushit në kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve e kemi parë vitin e kaluar edhe në Kuvend, por edhe në aktivitetet e tjera publike dhe është krijuar bindja e plotë se ka qenë dhe mbetet roli i Ramushit si personaliteti kryesor, i cili ka kontribuar në ndalimin e zbatimit të të dyja këtyre marrëveshjeve", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, ky presion do të vazhdojë edhe më tutje që marrëveshjet të zbatohen, të votohen edhe nga Kuvendi vetëm për shkak të rritjes së vazhdueshme të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit dhe përpjekjeve për arritjen e një lloj bilanci strategjik të ndarjes së interesave në këtë pjesë të Ballkanit, duke i bërë lëshime Serbisë dhe Malit të Zi, në përpjeke për ta përfituar atë, Serbinë drejt Perëndimit dhe për ta larguar nga ndikimi rus. "Në këtë drejtim konsideroj se është bërë edhe ndalja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në këtë rast si formë presioni, të cilën ndalesë unë e konsideroj ndalesë politike dhe jo ndalesë të formës së bazuar në materie juridike, sepse për veprimtaritë, për të cilat është akuzuar Haradinaj në të kaluarën është dhënë verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në dy rate të gjykimit, duke e shpallur atë të pafajshëm, dhe nuk ka pasur rast, i cili nuk është analizuar dhe nuk ka kaluar nëpër atë proces", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Presionet e paralajmëruara

Se ky arrestim ka për qëllim pikërisht këtë model presioni, pajtohet edhe deputeti Ismail Kurteshi nga 'VETËVENDOSJE'. Sidoqoftë, ai thotë se të gjithë ata që e kanë kundërshtuar Demarkacionin dhe "Zajednicën" e kanë pasur parasysh se mbi ata do të ushtrohet presion, dhe se është e mundur edhe të shqiptohen masa ndëshkuese, por ata që e kanë kuptuar sa të dëmshme për vendin janë këto procese nuk do t'i nënshtrohen presionit e as nuk do të zmbrapsen, për shkak të masave që eventualisht mund të merren. "Mision i ndërmjetë- suesve ndërkombëtarë është arritja e sa më shumë marrëveshjeve në mes të palëve, pa e çarë kokën se a janë të drejta apo jo këto marrëveshje. Ata që ne po i quajmë ndërkombëtarë janë burokratë, që rëndësi të veçanet i japin CV personale. Çdo marrëveshje që arrihet përmes ndërmjetësimit të tyre ata avancohen, pra ata janë duke e bërë punën e tyre, edhe përfaqësuesit e Serbisë po përpiqen t'i realizojnë projektet e tyre hegjemoniste", theksoi ai. "Vetëm përfaqësuesit e Kosovës, të papërgatitur e të nënshtruar, po nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme, e kjo është në kundërshtim me misionin që do të duhej ta kryenin, sepse detyrë e vendorëve është që t'i analizojnë mirë propozimet që vijnë nga pala tjetër dhe të pajtohen vetëm me ato propozime, që janë të mira për vendin, por edhe vetë të propozojnë zgjidhje të drejta", potencoi më tej Kurteshi.  

Gracka në të cilën ra ish-kryeministri

Një gjykim të njëjtë ka edhe analisti politik, Reshat Badallaj, por ai e kritikon ish-gjeneralin e UÇK-së dhe ishkryeministrin ndër më aktivët që ka pasur Kosova deri më tani, të vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët për aq pak mandat, se si nuk është kujtuar për kurthet që mund t'i përgatiten atij, si nga ana e Serbisë, edhe nga Qeveria kuislinge, sipas tij, e Kosovës. "Ramushi sot është i fortë, falë popullit liridashës kudo në botë që po e dridh çdo kancelari botërore. Përndryshe sa për institucionet tona shtetërore, do të bartej në kazamatet në Serbi. Shqiptarët kudo në botë janë vënë në përkrahje të luftës së lavdishme te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ramush Haradinajt, se përndryshe nga tellallët e Qeverise kuislinge dhe Presidencës, Ramushin do ta merrte lumi", ka theksuar ai. "Sidoqoftë, një gjë nuk mund ta kuptojnë të gjithë ata intelektualë shqiptarë se si Ramush Haradinaj të bjerë në këtë grackë të naivitetit…? E para, se Serbia nuk rri në gjumë kundër shqiptarëve dhe me shumë të drejtë populli thotë: "Uji fle, hasmi s´fle". Dhe, pastaj si harruan se në Pashallëkun e Prishtinës, këto banda politike që nga mëngjesi deri në mbrëmje shahen mes vete në rrënjë e në degë dhe ia fusin kunjin njëratjetrës", tha Badallaj për "Kosova Sot". Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se është vetë politika vendore, e cila e ka sjellë këtë perceptim, në mungesë të një pragmatizmi politik dhe strategjik, që do të duhej bërë në favor të shtetit, prandaj deri më tani edhe kanë ndodhur disa procese, të cilat janë më shumë në dëm të shtetit sesa në dobi të tij. "Ky dobësim ka ardhur si rezultat i mosdijes dhe moskooperimit me klasën akademike në vend, asnjë njeri nuk u duk as në Parlamentin Evropian, madje as për murin e ndërtuar në Mitrovicë, që po kërkohej nga Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin. Pra, duhet të dihet kush është përgjegjës për këtë çështje ? Pse ka ardhur deri këtu puna? Kuptohet që krejt kjo është si rezultat i paaftësisë negociuese dhe përgjegjë- sisë serioze, prandaj tani është e çuditshme, kur kjo Qeveri nuk arrin asnjë gjë në këtë ndërlikim të situatës, e këtë nuk mund ta bëjë as opozita, përveç kritikave dhe asgjë tjetër", tha Blerim Burjani.

Politika e shantazhuar

Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se pikërisht nga kjo klasë politike e shantazhuar dhe e papërgjegjshme kemi ardhur në këtë gjendje, ku kontrabandohet me interesa shtetërore e kombëtare. "Kosova, çdo veprim duhet gjykuar me racionalizëm, pasi që mund të ndodhë që për ndonjë koncesion nuk do ta bartë barra qiranë. Krerët institucionalë të Kosovës duhet të jenë syhapur në marrëveshjet ndërkombëtare, e jo për pushtet të shesin interesat kombëtare e shtetërore. Përkundër kësaj, Kosova nga dialogu me Serbinë nuk ka fituar asgjë, përveçqë ka shtyrë Serbinë drejt proceseve integruese, dhe duke dëmtar vetveten", u shpreh ai. Sipas tij, Kosova është dëmtuar tej mase me koncesionet e vazhdueshme karshi Serbisë, si nga Plani i Ahtisarit deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës, ashtu edhe nga viti 2011, që kur kanë filluar bisedimet Kosovë- Serbi. "Njëherë ishte quajtur vetëm si dialog teknik e më vonë u kuptua se ishte politik. Pastaj, fusnota, të cilën Edita Tahiri ia atribuoi epitetin e flluskës së borës, por ndodhi e kundërta, flluska e borës nuk u shkri, por e mori epitetin e një akullnaje që akoma po rritet. Prandaj, çdo koncesion që ka ndodhur karshi Serbisë e si ndërmjetëse BE-ja, pikërisht ka ndodhur nga kjo klasë politike e shantazhuar, e pandërgjegjshme dhe e korruptuar", tha analisti Ahmeti. 
 

(Kosova Sot)