Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (7)

  • 05 July 2015 - 08:44
Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (7)

80.       Sipas dëshmive të burimeve tona, që pjesërisht ishin pjesë të operacioneve të UÇK-së në Shqipëri, si dhe bashkëkombësit e tjerë që e njohin më mirë Shaip Mujën, Muja ia kishte dalë që ta fitonte dhe ta mbante një ndikim të madh në prapaskenë në lidhje me çështjet e UÇK-së gjatë periudhës vendimtare në fund të viteve 1990, kur ajo merrte mbështetje ndërkombëtare.

81.       Më pas, në periudhën e armiqësive në Shqipërinë veriore dhe rreth kufirit me Kosovën, që koincidonte me intervenimin e NATO-s në vitin 1999, Muja, bashkë me pjesën më të madhe të komandantëve të tjerë të UÇK-së, rrinte larg vijës së frontit, duke qëndruar në qendrën mbështetëse të UÇK-së në Tiranë.

82.       Bashkë me Halitin dhe Veselin, Muja u përfshi në gjetjen e mënyrave inovative të përdorimit dhe investimit të miliona dollarëve të “fondeve të luftës”, të cilat ishin dhuruar për UÇK-në nga vendet e jashtme. Thuhet se Muja dhe Veseli po ashtu filluan që, në emër të “Grupit Drenica”, të bënin lidhje me kompanitë e huaja private ushtarake dhe të sigurimit.

Marrja e një shkalle më të lartë të autoritetit politik nga Thaçi

83.       Për ne ka qenë sidomos relevant fakti se “Grupi Drenica” i Thaçit ka shfrytëzuar një avantazh të tillë nga dy ndryshime kryesore në rrethanat pas 12 qershorit të vitit 1999.

84.       Së pari, tërheqja e forcave serbe të sigurisë nga Kosova bëri që në duart e grupeve të ndryshme të UÇK-së, duke përfshirë edhe “Grupin Drenica” të Thaçit, të binte kontrolli i papenguar i një zone të madhe territoriale, ku mund të ushtroheshin forma të ndryshme të kontrabandimit dhe trafikimit.

85.       KFOR-i dhe UNMIK-u nuk ishin në gjendje që të administronin zbatimin e ligjit, lëvizjen e njerëzve, apo kontrollin e kufirit pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Fraksionet e UÇK-së, të cilat kishin kontrollin mbi zonat e ndryshme të Kosovës (fshatra, udhëkryqe, disa herë edhe ndërtesa të veçanta), ishin në gjendje që të merreshin me veprimtari kriminale të organizuar, varësisht nga ajo se a donin ta bënin një gjë të tillë, apo jo, si dhe të ekspozonin trofetë e fitores së tyre të perceptuar kundër serbëve.

86.       Së dyti, marrja e një shkalle më të lartë të autoritetit politik nga Thaçi (Thaçi e emërtoi vetveten kryeministër i Qeverisë së përkohshme), duket se e ka trimëruar “Grupin Drenica” që t’i sulmojë më me energji rivalët e perceptuar, tradhtarët, si dhe personat për të cilët dyshohej se ishin “bashkëpunëtorë” të serbëve.

87.       Burimet tona na kanë thënë se, si komandantët e UÇK-së, po ashtu edhe pjesëtarët e saj, ishin të irrituar nga humbjet e mëdha që kishte pësuar popullsia shqiptare e Kosovës, sidomos në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999, para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s. Duke qenë se policia dhe forcat paramilitare serbe ishin tërhequr nga Kosova në qershor të vitit 1999, njësitet e UÇK-së nga veriu i Shqipërisë ishin vendosur brenda Kosovës, gjoja me qëllim të “sigurimit të territorit”, por ata manifestuan një zemërim, bile edhe hakmarrje kundër të gjithë atyre për të cilët ata besonin se kishin kontribuar në shtypjen e popullit shqiptar të Kosovës.

88.       Banorët serbë të komuniteteve me mbizotërim të shqiptarëve shumë shpejt u bënë caqe të hakmarrjes. Caqet e tjera përfshinin këdo që ishte i dyshuar, qoftë edhe në bazë të akuzave të pabazuara nga pjesëtarët e klaneve rivale, apo nga personat që kaherë kishin dëshirë që të hakmerreshin ndaj tyre, apo që kishin “bashkëpunuar” me serbët. Në një kampanjë të frikësimit derë më derë, ushtarët e UÇK-së ishin urdhëruar që të mblidhnin emrat e personave që kishin punuar për autoritetet e rrëzuara të Republikës federale të Jugosllavisë (qoftë edhe në poste të parëndësishme administrative), apo që këtë e kishin bërë të afërmit, a bashkëpunëtorët e tyre. Në këtë kategori të “bashkëpunëtorëve” të supozuar bën pjesë një numër i madh i shqiptarëve, por edhe i romëve dhe i pakicave të tjera.

89.       Në një situatë të tillë, rrëfimet tona për abuzime të bëra nga anëtarët e UÇK-së dhe nga bashkëpunëtorët në Shqipëri, tejkalon rastet e vetmuara, brenda një force luftarake e cila përndryshe do të ishte e disiplinuar. Përkundrazi, ne gjejmë se këto abuzime ishin aq të përhapura, sa që të përbënin një dukuri.

90.       Derisa disa veprime flasin për një brutalitet të veçantë apo për mosrespektim të viktimave nga ana e kruesve individualë, ne gjejmë se, në karakterin e tyre të përgjithshëm, këto abuzime ishin dukshëm të koordinuara dhe të mbuluara në bazë të një strategjie të paramenduar edhe pse evoluuese, të lidershipit të “Grupit Drenica”.

91.       Marrë në përgjithësi, abuzimet ishin pasojë e mbizotërimit të krimit të organizuar brenda fraksioneve dominuese të brendshme të UÇK-së. Duke i mbajtur njerëzit në vende të improvizuara, pa dijen apo qasjen e autoriteteve, si dhe duke imponuar heshtjen ndaj të gjithë atyre që mund të kenë zbuluar natyrën e vërtetë të këtyre aktiviteteve joligjore, ne shohim metodologji të njohura dhe të besuara të shumicës së strukturave mafioze – ku as “Grupi Drenica” nuk ishte i ndryshëm.

92.       Vetë “Grupi Drenica” evoluoi nga të qenit pjesë e një force të armatosur, e UÇK-së (gjoja e angazhuar në një luftë çlirimtare), në një bandë të fuqishme të veprimtarisë kriminale. Paralelisht me këtë, ne kemi zbuluar një transformim në aktivitetet e anëtarëve të Grupit në një zonë të veçantë të operacioneve: në qendrat e mbajtjes dhe në trajtimin jonjerëzor të të zënëve (robërve).

Qendrat e mbajtjes dhe trajtimi çnjerëzor i të zënëve

93.       Gjatë  hetimeve tona, ne kemi identifikuar të paktën gjashtë qendra të veçanta të mbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të lokalizuara përgjatë një territori i cili shtrihet nga Cahani, rrëzë malit Pashtrik, thuajse në pjesën më veriore të Shqipërisë, deri te rruga përballë plazhit në Durrës, në Shqipërinë perëndimore.

94.       UÇK-ja nuk kishte kontroll të plotë, permanent në asnjë pjesë të këtij territori gjatë kohës relevante, por një gjë të tillë nuk e kishte as ndonjë agjenci tjetër, apo entitet, i cili do të ishte i gatshëm, apo i aftë për zbatimin e ligjit.

95.       Në veçanti, mangësia në zbatimin e ligjit ishte reflektim i dështimit të policisë së Shqipërisë dhe i shërbimeve të inteligjencës për ta penguar banditizmin e ngjashëm me mafinë dhe mosndëshkueshmërinë e disa njësive të UÇK-së, të cilat ishin stacionuar në Shqipërinë veriore dhe qendrore afër kohës së konfliktit. Komandantët e lartë regjionalë të UÇK-së, në fushat e tyre të kontrollit ishin vetë ligji.

96.       Lokalizimi i qendrave të mbajtjes rreth të cilave ne kemi marrë dëshmi direkt nga burimet tona – të konfirmuara nga elementet e dëshmive të mbledhura nga gazetarët hulumtues (ku disa datojnë edhe dhjetë vjet më parë), dhe tash vonë nga përpjekjet e hetuesve dhe prokurorëve të EULEX-it – përfshinin vendet: Cahan, Kukës, Bicaj (afër), Burrel, Rripe (një fshat në veriperëndim të Burrelit, në qarkun e Matit), Durrës dhe, ndoshta më me rëndësi për qëllimin e mandatit tonë të veçantë, Fushë-Krujë.

97.       Ne ishim në gjendje që të bënim vizita në dy nga ato qendra të mbajtjes së UÇK-së në Shqipëri gjatë hetimeve tona, edhe pse nuk kemi hyrë në vetë këto qendra. Për më tepër, në lidhje me të paktën katër qendra të tilla për të cilat ne kemi ditur se kanë ekzistuar, ne kemi dëgjuar dëshmi nga dora e parë nga shumë persona, të cilët kanë konfirmuar ta kenë vizituar një a më shumë qendër të tillë personalisht, qoftë gjatë kohës kur ato përdoreshin në mënyrë aktive nga UÇK-ja, apo gjatë misioneve monitoruese më pas.

98.       Këto qendra të mbajtjes nuk ishin të pavarura. Më tepër, ato ishin si elemente të një rrjeti mirë të themeluar dhe të koordinuar të aktiviteteve joligjore, të cilat kontrolloheshin nga disa komandantë të lartë të UÇK-së. Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre qendrave ishte se aty mbaheshin civilë, në territorin shqiptar, në duart e anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të UÇK-së.

99.       Harta grafike, e cila përfshihet në këtë raport, tregon lokalitetet ku ne dimë se kanë ekzistuar qendrat e tilla të mbajtjes, bashkë me rrugët transportuese që i lidhnin ato mes vete.

100.       Megjithatë, ka pasur dallime të konsiderueshme në periudhat dhe qëllimet për të cilat çdo qendër e tillë është përdorur. Në fakt, është evidente se secila qendër e mbajtjes kishte “profilin e vet të veçantë të veprimtarisë”, bazuar në mënyrën e marrëdhënieve, apo marrëveshjeve të arritura për mundësimin e mbajtjes dhe operacioneve ndihmëse për t’u zhvilluar në kohë të caktuara, nga karakteri dhe përbërja e grupeve të të zënëve që mbaheshin aty, nga metodat me të cilat të zënët ishin sjellë aty dhe nga fati i cili i priste të zënës gjatë dhe pas periudhës së tyre të mbajtjes.

101.       Do të fillojmë me përshkrimin e disa karakteristikave të përgjithshme të qendrave të mbajtjes së UÇK-së gjatë kohës së luftës (ku disa duket se e arrijnë pragun e krimeve të luftës) dhe qendrat e mbajtjes së periudhës pas konfliktit, të udhëhequra nga anëtarët e UÇK-së dhe bashkëpunëtorët e tyre (të cilat duket se paraqesin një sipërmarrje të krimit të organizuar). Më pas ne do të ekzaminojmë më në detaje se çka ndodhi në secilën qendër të mbajtjes në territorin e Shqipërisë.

Mbajtjet (arrestimet) e UÇK-së gjatë kohës së luftës – nëngrupi i parë i të zënëve: “Të burgosurit e luftës”

102.       Në periudhën midis prillit dhe qershorit të vitit 1999, qendrat e mbajtjes së UÇK-së në territorin e Shqipërisë bazoheshin në imperativat e perceptuar strategjikë të bërjes së një lufte guerile.

103.       Gjatë kohës së luftës dhe të lëvizjes masive të refugjatëve në Shqipëri, thuhet se UÇK-ja kishte implementuar një politikë, sipas të cilës të gjithë personat për të cilët dyshohej se kishin edhe dijeninë më të vogël rreth veprimeve të autoriteteve serbe, sidomos ata për të cilët dyshohej se kishin qenë “bashkëpunëtorë”, duhej t’i nënshtroheshin “marrjes në pyetje”.

104.       Na është thënë se kjo politikë ishte mbështetur në mënyrë aktive në territorin e Shqipërisë nga elementet e fuqishme brenda aparatit shqiptar kombëtar të inteligjencës, duke përfshirë edhe SHIK-un (tani SHISH) dhe inteligjencën ushtarake, ku disa pjesëtarë të saj bile kishin marrë pjesë në marrjen në pyetje të të zënëve në kampet e mbajtjes së UÇK-së. Megjithatë, forca udhëheqëse prapa kësaj politike ishte Kadri Veseli (alias Luli), strumbullari i “Grupit Drenica”.

(vijon)