Rrëfehet familja ku fjetën çekët para vrasjes

  • 05 July 2015 - 10:32
Rrëfehet familja ku fjetën çekët para vrasjes

Banorët e familjes ku fjetën dy turistët çekë një natë para vrasjes në Shkodër i kanë thënë dje grupit hetimor se të rinjtë kanë qenë të pashoqëruar nga persona të tjerë, të huaj apo shqiptarë.

“Erdhën vetëm me një makinë fuoristradë, ishin nisur për në Theth dhe mbrëmja i zuri në zonën tonë. Fjetën këtu atë natë dhe të nesërmen janë nisur me makinën e tyre në drejtim të Thethit. Nuk na thanë për ndonjë shqetësim, por as ne nuk kuptuam të kishin ndonjë problem”, mësohet të kenë thënë para hetuesve banorët e familjes ku fjetën dy turistët çekë të vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të premtes në zonën e Shkodrës, citon Panorama.

Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë marrë në pyetje anëtarët e kësaj familje në komunën Postribë ku ndodhi krimi, pasi kanë mësuar se dy turistët çekë, Michael Svatos, dhe Anna Kosinova, kishin fjetur aty një natë para se të gjendeshin të vrarë me armë zjarri në makinën e tyre.

“Nga këqyrja dhe mekanizmi i ngjarjes duket se personi që ka qëlluar mbi dy shtetasit çekë ka qenë brenda makinës. Pyetja e familjes ku viktimat fjetën një natë më parë u bë për të verifikuar nëse “pasagjeri” ka qenë bashkë me turistët te kjo familje”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, dëshmia e banorëve të familjes nga Shkodra ka përforcuar faktin se autori i vrasjes u ka zënë rrugën turistëve në zonën e fshatit Prekal.

Grabitja

Grabitja është pista kryesore që po hetohet në lidhje me vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur në zonën e Shkodrës mbrëmjen e së premtes. Edhe pse viktimave të krimit, shtetasve Michael Svatos, 27 vjeç, dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe, nuk u është marrë asnjë send personal, për hetuesit grabitja është versioni më i mundshëm i ngjarjes. Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë dje se Prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me Policinë është duke hetuar ngjarjen që nga mbrëmja e të premtes. Prokurori i Shkodrës, Besnik Cani, ka qenë në vendin e ngjarjes bashkë me Policinë dhe grupin hetimor menjëherë pas krimit deri në ditën e djeshme.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, konkretisht nga kontrolli në automjet, është bërë gjetja e një kompjuteri laptop që i përket viktimave, po ashtu janë gjetur celularët e tyre, madje edhe portofolat dhe aparatet fotografike”, kanë thënë burimet nga grupi i hetimit.

Sipas tyre, pavarësisht faktit se këto sende me vlerë nuk u janë marrë viktimave, pista e grabitjes është më e forta që po hetohet, për faktin se nuk ka prova apo të dhëna për ndonjë motiv tjetër në lidhje me ngjarjen.

“Grabitja nuk përjashtohet pasi ka dyshime se autori apo autorët kanë dashur t’i trembin turistët e t’u marrin sendet me vlerë, makinën dhe shumat monetare që kanë pasur me vete. Pasi janë detyruar t’i vrasin nga kundërshtimi i 27-vjeçarit Michael Svatos, dyshohet se autorët kanë hequr dorë nga grabitja e janë larguar”, thanë burimet nga hetimi.