Cipras: Nga nesër, rrugë për të gjithë në Europë

  • 05 July 2015 - 10:59
Cipras: Nga nesër, rrugë për të gjithë në Europë

Greqia ka nisur sot referendumin për të përcaktuar nëse do të pranojë më tepër masa shtrënguese në këmbim të ndihmës ndërkombëtare. Afro 9.9 milionë grekë kanë të drejtën të votojnë për të vendosur nëse vendi do t’i pranojë kushtet e kreditorëve. Ky referendum ka gjasa të përcaktojë edhe nëse vendi do të largohet nga zona euro pas shtatë vitesh “dhimbjeje ekonomike”.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka shkuar të votojë në orën 10:25, të ditës së diel në qendrën e votimit 661 në Athinë. Duke folur për mediet, Cipras u shpreh optimisit për ditën e sotme, të cilën e quajti dita e demokracisë, ndërsa shprehu bindjen se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe do të hapë rrugët për njerëzit në Europë.

"Sot demokracia feston ndaj frikës. Demokracia është në duart e njerëzve. Shumë mund ta injorojnë vullnetin e njerëzve, por jo vullnetin e popullit. Jam i bindur se nesër do të hapet një rrugë vlerash themelore të demokracisë dhe solidaritetit për të gjithë popujt e Europës”, - ishin fjalët e Cipras pas votimit.  Më tej, ai e cilësoi procesin si “një akt vendosmërie për një të ardhme më të mirë në Greqi dhe në Europë”.

Votimet do të mbyllen në orën 19:00, ndërsa rezultati paraprak do pritet në orën 21:00.