I ftohti siberian, rinisin reshjet e dendura të dëborës në Shqipëri

  • 16 January 2017 - 21:29
I ftohti siberian, rinisin reshjet e dendura të dëborës në Shqipëri

I ftohti Siberian duket të mos jetë larguar ende nga vendi ynë.

Kjo pasi temperaturat e ulëta nën zero dhe reshjet e borës, janë regjistruar sërish mbrëmjen e sotme në zonat e thella malore duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Sipas asaj që bën të ditur zyra e Emergjencave Civile në Tropojë, në aksin nacional Bajram Curri-Valbonë deri në Dragobi qarkullohet pa zinxhirë, Dragobi-Valbonë qarkullohet me zinxhirë. Trashësia e dëborës e rënë sot është 30 cm.

Ndërsa, në Vlorë, aksi rrugor i Llogorasë është i bllokuar nga reshjet e dëborës nga të dyja anët hyrëse, nga Dukati dhe Palasa. Reshjet e dëborës janë në rënie me intensitet të lartë dhe për shkak të tyre mjetet nuk mund të qarkullojnë as me zinxhirë. Këshillohet që të shmanget ky aks rrugor deri të hapjen e rrugës nga borëpastrueset, me qëllim që mjetet të mos mbeten të bllokuara.

Në Kukës dhe Has të gjitha akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë, përjashtuar aksin rrugor Ura e Zapodit-Shishtavec me zinxhirë.

Aksi Bajram Curri-Kam-Qafa e Luzhës me zinxhirë. Trashësia e dëborës e rënë sot është 25 cm, ndërkohë qe reshjet me intensitet të ulët vijojnë. Aktualisht është furnizuar i gjithë Qarku me energji elektrike.

(Kosova Sot)