Drejtësia e kalbur nga koka

  • 16 January 2017 - 07:43
Drejtësia e kalbur nga koka

Kelmendi: Nevojitet spastrim i drejtësisë, pa hile, hipokrizi e dallaver

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë thënë se pa ndryshimin e kupolës së Gjyqësorit, por edhe institucioneve të tjera të drejtësisë, dhe kësisoj pasi vetë pastrimi pa hile e hipokrizi dhe pa dallavere, vështirë se do të ketë drejtësi dhe reforma të dobishme për qytetarët dhe palët ndërgjyqësore ndonjëherë. Sipas tyre, me njerëzit aktualë në kupolën e Gjyqësorit dhe drejtësisë, të paaftë, të paetikë e integritet profesional po ashtu asnjëherë nuk do të ketë sundim të ligjit dhe as shtet të së drejtës e për rrjedhojë as zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale në vend. Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se në rrethanat aktuale, kur grupet politike kontrollojnë çdo pore të jetës përfshirë edhe atë institucionale është mjaft e vështirë dhe thuajse e pamundur të shpresohet se do të ndodhë një reformim i mirëfilltë në sistemin e drejtësisë. Por, Dibrani thotë se nëse në sistemin e drejtësisë, në përgjithësi, si në KGJK ashtu edhe në KPK, do të kishte prokurorë e gjyqtarë të guximshëm që moti do të fillonin reformat, por, sipas tij, të tillët mungojnë. "Por, në këtë drejtim mendoj se kërkohet një nismë e guximshme dhe këmbëngulëse e bartëseve të institucioneve të drejtësisë, ngase nëse ndonjë prokuror apo gjyqtar do të niste përpjekjen për të reformuar dhe pavarë- suar drejtësinë nga ndikimi i politikës, dhe grupet e tjera oligarkike, kësisoj ai nuk do të mbeste vetëm, pasi vazhda e këtij procesi do të bartej edhe në dikasteret e tjera, kurse reformat do të plasnin e do të shtriheshin edhe brenda partive politike. Kjo nuk është e pamundur, kur dihet se drejtësia do të merrej me bosët e krimit politik, që janë të involvuar në krim dhe korrupsion, dhe në të njëjtën kohë janë pozicionuar kudo nëpër partitë politike, e nga aty edhe në vendet kyçe në udhëheqje të shtetit", ka vijuar ai. 

Dibrani: Pasiviteti i drejtësisë i bëri të pashpresë qytetarët

Sipas Dibranit, një gjë e tillë është shumë larg që të realizohet, pasi ky sistem i drejtësisë siç tha duket se mbrohet nga politika, derisa veprimet kriminale, korrupsioni dhe aktet e tjera të dënueshme shtyhen e zvarriten deri në harresë. Në këtë mënyrë, sipas Dibranit, oligarkët politikë e kanë fushëveprimin e garantuar, pasi janë me dhjetëra skandale publike, të cilat nuk hetohen nga drejtësia. "Kjo ka ndodhur pasi sistemi i drejtësisë nuk ka vepruar me kohë dhe nuk ka qenë aspak funksional dhe efikas, pasi po ashtu ne kemi dëgjuar edhe për dhjetëra raste ku janë akuzuar gjyqtarë dhe prokurorë, por pak, për të mos thënë fare ndaj tyre janë shqiptuar dënime apo masa ndëshkuese për veprat e tyre, e që kjo është tepër negative pasi të paktën sistemi i drejtësisë është dashur të jepte shembullin e vet se si mund të ndëshkohen gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë rënë në kundërshtim me ligjet e vendit. Por, mosndëshkimi i tyre tregon se ky sistem është kalbur në kokë, ndërsa kupola e tij janë grupet politike, të cilat tashmë janë identifikuar, por neglizhenca dhe pasiviteti i sistemit të drejtësisë ka bërë gjendjen kaq të pashpresë, saqë nuk bëhet më, teksa në anën tjetër e gjithë kjo vjen si rezultat i personelit juridik pa etikë profesionale, por edhe pa guxim për t'i hetuar e gjykuar veprat e mëdha korruptive", është shprehur Dibrani.

Kelmendi: Me kupolën aktuale të Gjyqësorit nuk do të ketë drejtësi për qytetarët

Analisti tjetër, Naim Kelmendi, thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë, siç janë gjykatat dhe prokuroritë, por edhe mekanizmat e tjerë, janë të kapur dhe të ndikuar nga politika dhe grupet e tjera të interesit, derisa, sipas tij, një gjë të tillë më së miri e dëshmojnë vetë rastet, dhe aktakuzat e ngritura herë pas here ndaj keqpërdorueseve dhe shkelësve të ligjit në secilën formë, apo të abuzuesve me detyrën zyrtare etj., porse kur në rastet e tilla ka pasur ndikimin e vet politika, apo thënë troç mafio-politika, atëherë rastet në fjalë siç tha Kelmendi ose janë lënë anash, apo kanë përfunduar me pafajësinë e të akuzuarit kinse në mungesë provash etj. Kësisoj Kelmendi mendon se pa zgjedhje të reja të tërë kupolës së Gjyqësorit, dhe për rrjedhojë pa spastrimin pa hile dhe hipokrizi e pa dallavere, nuk do të ketë drejtësi dhe as reforma të mirëfillta e të dobishme për qytetarët dhe palët ndërgjyqë- sore. "Por, në këtë drejtim konsideroj se Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka barrën kryesore për ta pavarësuar Gjyqësorin nga ndikimet e politikës, duke e mbikëqyrur me zell dhe përkushtim maksimal punën dhe performancën, por edhe mospunën e dështimet e gjyqtarëve, derisa po ashtu edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka barrën e kësaj përgjegjësie për jo vetëm monitorimin e punës së prokurorive e prokurorëve, por edhe barrën për të ndikuar në pavarësimin e prokurorive nga ndikimet e politikës, në mënyrë që këto shtylla kyçe të drejtësisë të jenë vërtet të pavarura nga të gjitha ndikimet e politikës, që vazhdojnë të kenë ndikimet e tyre të mëdha në tërë sistemin e drejtësisë", ka vijuar më tej ai. Por, Kelmendi është skeptik se gjendja mund të ndryshojë me njerëzit aktualë në kupolën e Gjyqësorit, të paaftë e të paetikë dhe integritet profesional, të cilët nuk kanë treguar asnjëherë deri më tani se janë të vendosur dhe të gatshëm për të vënë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës. 

Berisha: Kjo drejtësi nuk do ta pastrojë politikën

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, mendon se politikanët dhe qeveritarët nuk diskutojnë asnjëherë për drejtësinë, pasi atyre nuk u përshtatet që të angazhohen në këtë drejtim, ngase në të kundërtën sistemi i drejtësisë pastaj do ta luftonte korrupsionin në masë të konsiderueshme, ku tani të korruptuarit do të gjendeshin në pozitë të vetë ndëshkimit, gjersa kësisoj do t'i fshinte përpara Prokuroria dhe Gjyqësori. Përndryshe Smaka ka nënvizuar se kredibiliteti i sistemit të drejtësisë karshi qytetarëve mjerisht ka rënë në pikën më të ulët të mundshme, derisa siç tha "asnjëherë Gjyqësori nuk ka qenë në nivelin më të ulët të efikasitetit, pasi edhe sipas raporteve të njëpasnjëshme të progresit nga KE-ja që flasin për Kosovën, thuhet se shumë lëndë janë të pakryera, madje një numër i madh i tyre të zhdukura e të parashkruara, ose në anën tjetër kemi edhe skandale dhe afera të ndryshme që kanë ndodhur në vijimësi në këtë sistem të drejtë- sisë. Deputeti nga 'Nisma' për Kosovën, Zafir Berisha, ka nënvizuar se zgjidhja më e mirë për tërë këtë katandisje që po ndodh në Kosovë, do të ishte që së pari të pastrohej politika dhe përmes saj edhe drejtësia që është e kapur nga politika, derisa siç tha jemi dëshmitarë se drejtësia në Kosovë është e kapur nga politika dhe për rrjedhojë ajo nuk mund që ta pastrojë politikën, pasi ato janë si dy hallka të një zinxhiri. Por, sipas Berishës, për ta ndryshuar këtë gjendje të brishtë dhe aspak të mirë në drejtësi dhe në institucionet e tjera shtetërore, duhet fillimisht të gjykohet nga qytetari përmes votës dhe pastaj të futet në mënyrë thelbësore që të pastrohen organet e drejtësisë. 

(Kosova Sot)