Ymeri thotë se Mustafa është ndjekësi më besnik i politikave të PDK-së

  • 05 July 2015 - 15:30
Ymeri thotë se Mustafa është ndjekësi më besnik i politikave të PDK-së

Kryetari i Lëvizjes "Vetëvendosje", Visar Ymeri, ka reaguar përmes Facebookut ndaj deklaratës së kryeministrit Mustafa, në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ymeri, thotë se Mustafa përmes farsës së transparencës po dëshiron të na përgatisë për kompromisin e radhës rreth asaj që Ymeri e ka quajtur “Zajednicën”.

Postimi i Visar Ymerit në Facebook:

Kryeministri Isa Mustafa përmës farsës së transparencës po dëshiron të na përgatisë për kompromisin e radhës mbi Zajednicën. Dikur thoshte se me të ardhur në pushtet do të ndërrohet qasja në bisedime, kurse sot 6 muaj pas krijimi të Qeverisë jemi dëshmitarë se e gjithë energjia Kosovës po i shkon në negociata me Serbinë e në Gjykatën Speciale të imponuar po nga Serbia. S’duhet harruar se kompromisi mbi Zajednicën është bërë me t’u pranuar Marrëveshja e 19 Prillit, e diskutimet mbi formën e Asociacionit janë vazhdim i tij. Më këtë qasje, Isa Mustafa do të mbahet mend si ndjekësi më besnik i politikave të PDK-së drejt krijimit të entitetit autonom serb brenda Kosovës.

Por ai duhet ta ketë të qartë që ndarja e Kosovës përmes Zajednicës është e papranueshme.

(Kosova Sot)