Miliona euro në hekurudhat e vjetra të Kosovës

  • 06 July 2015 - 14:47
Miliona euro në hekurudhat e vjetra të Kosovës

Hekurudhat e vjetruara vazhdojnë t’i krijojnë shpenzime të mëdha buxhetit të Kosovës. Për mirëmbajtja e tyre edhe për një kohë të gjatë do të dredhen milionë euro.  Bile sipas Bankës Botërore kjo shumë mund të shkojë edhe deri në 21 milionë euro në vit.

Por, ky institucion ndërkombëtar tërë këtë shpenzim s’po e sheh edhe të arsyeshëm.

“Mirëmbajtja e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës duhet se do të kërkojë investime në një vlerë mes 14 milionë euro dhe 21 milionë euro në vit, por marrë parasysh se sa përdoret hekurudha, nuk është e qartë nëse ky do të ishte një përdorim i mirë i resurseve”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Me 333 kilometra hekurudha, sipas Bankës Botërore çdo vit do të kërkoheshin rreth 7.2 milionë euro  për mirëmbajte. Mirëpo, siç ka treguar BB-ja  infrastruktura e hekurudhave të Kosovës, është në gjendje të keqe dhe përvoja ndërkombëtare sugjeron se këto kosto mund të dyfishohen apo trefishohen.

Përpos kësaj,  BB ka paraparë se shumica e mjeteve të vjetruara në përdorim nga TRAINKOS do të duhet të zëvendësohen në një afat të mesëm.  E, që edhe në këtë çështje duhet të  bëhen milionë euro investime.

“Lokomotivat e riparuara vlerësohet të kushtojnë secila me rreth 0.6 milionë euro dhe nëse TRAINKOS dëshiron të mbaj operacionet në nivelet e tanishme do të duhet të blej 6 me një kosto totale prej 3.6 milionë euro”.

Banka Botërore ka treguar se përpos investimeve të kërkuara për mirëmbajtjen e niveleve të tanishme të shërbimeve,  duhet të behën rehabilitime hekurudhore edhe në  Lindje-Perëndim, përfshirë pjesët e hekurudhës në mes Podujevës (kufiri me Serbinë) dhe Pejës së bashku me linjat e degëve jugore: prej Kline në Prizren dhe prej Fushë Kosove deri në Aeroportin e Prishtinës.

“Gjatësia e tërësishme për rehabilitimin është rreth 190 km në një kosto të vlerësuar prej 104 milionë euro ose rreth 0.54 milion euro për kilometër “.

E, shpenzimet në hekurudha shumë shpejt do të rriten. Por, kësaj radhe 200 milionë euro, sipas Qeverisë së Kosovës do të shkojnë në  ndërtimin e hekurudhës nga Hani i Elezit në Leshak.

Kryeministri i Kosovës, Isa Musfata,  ditë me parë ka thënë që qeveria që ai udhëheq do të investoj 200 milionë euro në hekurudhën që lidh jugun dhe veriun e Kosovës. Sipas tij, për hekurudhën nga Hani i Elezit në Leshak do të kërkohen firma serioze gjermane ose evropiane që ta kryejnë këtë investim.

“Ne do ta bëjmë rikonstruktimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Leshak. 200 milionë euro do të investohen në rikonstruktimin e kësaj linje hekurudhe. Për këto investime, ne po kërkojmë firma serioze gjermane ose firma serioze evropiane ta kryejnë këtë investim”, ka thënë Mustafa.

Por njohësit e ekonomisë tërë këtë investim në hekurudha nuk po e shohin edhe të arsyeshme. Madje ata thonë se Qeveria e Kosovës nuk banë të hy në kredi për ndërtimin e linjës hekurudhore  nga Hani i Elezit deri në Leshak.

“Nuk ka asgjë te keqe nëse realizohet ky investim, por vetëm prej nga do te sigurohen paratë ?  Nuk ia vlen që të merren kredi për këtë linje , përkatësisht te rritet borxhi publik, ndërsa shkalla e shfrytëzimit të saj të jetë minimale. Rëndësia e saj mund te vërehet vetëm ne momentin kur kjo hekurudhe është pjese e rrjetit evropian, kur ka liri te qarkullimit,siguri për qytetaret e Kosovës, si edhe potencial me te madh eksportues te ekonomisë kosovare”, ka thënë Ibrahim Rexhepi , drejtor i Institutit STRAS, transmeton Fjala.

Rexhepi ka thënë se buxheti nuk mund ta financoj këtë projekt, meqenëse, sipas tij e ka për barrë autostradën për në Han të Elezit.

“Nëse kjo do te mbështetej nga Komisioni Evropian, se projekt me rendësi rajonale, atëherë ia vlen të mendohet më seriozisht për të” , ka thënë Rexhepi.

Ai ka thënë se  ndërtimi i kësaj hekurudhe mund te këtë ndikim ne rritjen ekonomike. Por, sipas Rexhepit  Fillimisht këtë do ta vërej ndërmarrja qe menaxhon me hekurudhat, meqenëse do te jetë me  më shumë të hyra për taksat dhe pagesat e tjera,  qe edhe do të realizohej nga shfrytëzimi i hekurudhës.