Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (9)

  • 07 July 2015 - 07:42
Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (9)

3.3.2.1.1. Një rast i studiuar i natyrës së këtyre qendrave: Rripe

141. Gjatë hetimit tonë, ne kemi konstatuar se, të paktën tri burime, dëshmitë e të cilëve ne i kemi marrë, në mënyrë të padiskutueshme ishin fizikisht të pranishëm në shtëpinë e familjes K. në Rripe afër Burrelit (e shumëpërmendura "shtëpi e verdhë") në kontekstin e veprimtarisë kriminale të UÇK-së.

142. Secili nga këto burime ishte në gjendje që të kujtonte detaje unike dhe specifike në lidhje me lokalizimin preciz dhe pamjes së kësaj shtëpie, pronarit të saj, personelit të UÇK-së që ishin vendosur aty, si dhe karakterin dhe zinxhirin komandues të aktiviteteve ilegale, që u zhvilluan në këtë shtëpi në periudhën midis viteve 1999 - 2000.

143. Duke u bazuar në këto dëshmi, mund të arrihet deri te përfundimi se shtëpia K. ishte e zënë dhe nën kontrollin e UÇK-së, gjë që ishte pjesë e rrjetit, i cili operonte në pjesën më të madhe të gjysmës veriore të Shqipërisë.

144. Një grup i vogël i komandantëve të UÇK-së është raportuar të kenë urdhëruar dhe mbikëqyrur arritjet e shumta të të zënëve civilë në shtëpinë K. brenda një periudhe prej rreth një viti, nga korriku i vitit 1999 deri në mes të vitit 2000. Pjesa më e madhe e këtyre të zënëve ishin rrëmbyer në zonat provinciale në Kosovën jugore dhe ishin sjellë në Shqipëri duke përdorë mjete të transportit të përshkruara në këtë raport. Për dallim nga ata që mbaheshin në Kukës, të zënët e sjellë në Rripe kryesisht ishin serbë etnikë.

145. Për më tepër, burimet e përafërta me UÇK-në flasin për një numër të madh të grave dhe vajzave të trafikuara që silleshin në shtëpinë K., ku shfrytëzoheshin për seks jo vetëm nga personeli i UÇK-së, por edhe nga disa nga meshkujt e komunitetit në Rripe.

146. Gjatë periudhës sa ishte UÇK-ja e pranishme në shtëpinë K., heshtja e banorëve të Rripe-s sa i përket pranisë së njësiteve të UÇK-së dhe aktiviteteve të tyre, mbahej me anë të kërcënimeve, por edhe me anë të "pagesave", duke përfshirë shuma të konsiderueshme parash, si dhe nga qasja e lirë ndaj alkoolit, drogës dhe prostitutave.

147. Ekzistojnë elemente substanciale të dëshmive se një numër i vogël i të zënëve nga UÇK-ja, duke përfshirë edhe disa serbë etnikë të rrëmbyer, e gjetën vdekjen e tyre në Rripe, në shtëpinë K., apo në afërsi të saj. Ne kemi mësuar rreth këtyre vdekjeve jo vetëm nga dëshmitë e ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët kanë deklaruar se kishin marrë pjesë në mbajtjen dhe transportimin e të zënëve derisa ata ishin ende gjallë, por edhe nga dëshmitë e personave të cilët në mënyrë të pavarur kishin qenë dëshmitarë të varrimeve, zhvarrimeve, transportimit dhe rivarrimit të kufomave të të zënëve, si gjatë periudhës kur UÇK-ja ishte në atë shtëpi, si dhe në periudhën pasi që UÇK-ja e kishte braktisur atë shtëpi dhe kur ishin kthyer banorët e saj.

148. Gjetjet tona në raport me shtëpinë K. duket se, në një masë të madhe, konfirmojnë gjetjet e bëra nga një ekip i gazetarëve hulumtues që kishin punuar për producentët dokumentarë me seli në SHBA, "American Radio Works". Këto gjetje ishin mbledhur në një memorandum të brendshëm të besueshëm, i cili i ishte dorëzuar UNMIK-ut në vitin 2003, i cili edhe ndikoi në fillimin e misionit hetues në shtëpinë K., të përmendur më lart.

149. Megjithatë, dëshmitë që i kishim mbledhur po ashtu vinin në pah një dimension të veprimeve të UÇK-së në shtëpinë K. që nuk ishte parë më herët, qoftë nga ekipi i "American Radio Works", apo në memoaret e ish-prokurores kryesore të ICTY-së, e as në "zbulimet" e ardhshme në media.

150. Operativët e UÇK-së në fakt jo vetëm që dërgonin të zënët në Rripe, por edhe i merrnin nga aty, për transport të mëtejmë në qendra të ndryshme të mbajtjes. Gjykuar sipas vozitësve të përfshirë në transportimin e të zënëve, disa nga personat që i kishin marrë në Rripe ishin të njëjtit ata që i kishin sjellë nga Kosova, derisa të tjerët kishin arritur në Rripe nga vende të panjohura, gjë që shoferët nuk e morën vesh kurrë.

151. D.m.th se shtëpia K. nuk gjendej në fund dhe nuk ishte destinacioni përfundimtar në këtë rrjet të përbashkët të qendrave të mbajtjes dhe transportit të të zënëve. Roli i saj i veçantë, rëndësia për tërë operacionin, me gjasë më parë ishte interpretuar gabimisht.

152. Duket se shtëpia K., në fakt ka pasur më shumë rolin e një "stacioni rrugor", në të cilën mbaheshin të zënët deri te fati i tyre përfundimtar dhe, sipas disa burimeve, ata ishin nënshtruar ndaj formave të çuditshme të "procedimit/filtrimit", duke përfshirë edhe analizat e gjakut dhe gjendjen trupore.


3.3.2.1.2. Vështrim ndaj kushteve të mbajtjes dhe transportit

153. Raportohet se të zënit mbaheshin të izoluar nën rojën e vazhdueshme të armatosur, qoftë në dhomat e ndërtesës kryesore, apo në hambarë, garazhe, depo, apo në struktura të tjera ndihmëse, të dizajnuara për magazinim.

154. Gjatë transportimit midis këtyre ndërtesave, të zënët zakonisht ishin duarlidhur, por edhe të lidhur për pjesët e brendshme të automjeteve.

155. Shoferët e këtyre kamionëve dhe kamionçinave - disa prej të cilëve do të bëheshin dëshmitarë kyç për format e përshkruara të abuzimit - kanë parë dhe dëgjuar të zënët duke vuajtur shumë gjatë transportimit, kryesisht për shkak të mungesës së furnizimit adekuat me ajër në pjesën e automjeteve ku gjendeshin ata, apo për shkak të vuajtjeve psikologjike rreth fatit i cili supozohet se i priste ata. 

3.3.2.2. Nëngrupi i tretë i të zënëve: "viktimat e krimit të organizuar"

156. Grupi i fundit dhe më i theksuar i të zënëve në periudhën pas konfliktit, jo vetëm për shkak të fatit të tij që ka qenë objekt i një sensacioni dhe keqkuptimi të madh, përbëhet nga të zënët për të cilët ne mendojmë se ishin "viktima të krimit të organizuar". Në mesin e këtij nëngrupi janë disa persona për të cilët ne kemi konstatuar se ishin dërguar në Shqipërinë qendrore, për t'u vrarë menjëherë para se t'iu merreshin veshkat në një klinikë operative të improvizuar.

157. Të zënët e këtij nëngrupi pa dyshim se përjetuan përvojën më të hidhur të tmerrshme nga mbajtësit e tyre të UÇK-së. Sipas dëshmive të burimeve tona, të zënët "e filtruar" në këtë nëngrup final në fillim mbaheshin gjallë, ushqeheshin mirë dhe lejoheshin që të flinin, si dhe trajtoheshin me kufizime relative nga rojet dhe ithtarët e UÇKsë, të cilët përndryshe i rrihnin të zënët pa dallim.

158. sikur që thamë, të zënët kishin lëvizur secili prej tyre në të paktën dy qendra të mbajtjes, apo "stacione rrugore", para se të dërgoheshin në klinikën operuese. Këto "stacione rrugore", të kontrolluara nga operativët dhe bashkëpunëtorët e UÇK-së, pjesëtarë të "Grupit Drenica", gjendeshin inter alia në qendrat vijuese të mbajtjes: - Bicaj (në afërsi): në një shtëpi si duket private në fshatin e vogël në jug të Bicajt, në një ambient rural jo fort larg rrugës kryesore për Peshkopi; - Burrel: në periferi të qytetit Burrel, një kompleks që përmbante të paktën dy struktura individuale ku ishin mbyllur të zënët, si dhe një shtëpi në të cilën mblidheshin dhe pushonin operativët; - Rripe: shtëpia dykatëshe e fermës, që referohet si shtëpia K., apo "Shtëpia e verdhë", e cila ishte subjekt i një vizite mjekoligjore të kombinuar UNMIK/ICTY në vitin 2004, pasi që ishte identifikuar nga gazetarët hulumtues; - Fushë-Krujë: një shtëpi tjetër dykatëshe e fermës, larg rrugëve kryesore dhe e rrethuar nga një kompleks i madh, i cili raportohet të ketë shërbyer si vend i sigurt jo vetëm për bashkëpunëtorët e UÇK-së, por edhe për grupet e tjera të kriminelëve të organizuar, të përfshirë në trafikimin e drogës dhe të qenieve njerëzore.

3.3.2.2.1. Rast i veçantë rreth natyrës së këtyre qendrave: Fushë-Krujë

159. Në këtë lokalitet të fundit, të zbuluar gjatë hetimeve tona, Fushë-Krujë, zhvillohej faza përfundimtare e procesit të "filtrimit" dhe një grup i vogël, i përzgjedhur i të zënëve nga UÇK-ja që ishin sjellë deri këtu, këtu ishin ballafaquar me vdekjen.

160. Ka tregues të fortë, nga dëshmitë e burimeve të cilat i kemi marrë, se në procesin e zhvendosjes nëpër vendet kalimtare, të paktën disa nga të zënët ishin bërë të vetëdijshëm rreth fatit përfundimtar i cili i priste. Në qendrat e mbajtjes ku mbaheshin ata, në afërsi të personave të tjerë të trafikuar, dhe në transportim e sipër, disa nga këta të zënë thuhet se iu janë përgjëruar personave që i mbanin që t'i kursenin nga fati i "bërjes copë e grimë".

161. Të paktën, kur iu ishte marrë gjaku me shiringë për bërjen e analizave (një hap i cili duket të ketë nënkuptuar "tipizimin e indeve", apo përcaktimin e niveleve të përshtatshmërisë për përshtatshmëri të transplantimit), apo kur ata ekzaminoheshin fizikisht nga njerëzit të cilët referoheshin si "doktorë", të zënët mund ta kenë marrë vesh se ishin duke u trajtuar si "mall mjekësor". Burimet përshkruajnë analizat dhe ekzaminimet e tilla të jenë bërë si në Rripe, po ashtu edhe në Fushë-Krujë.

162. Dëshmitë mbi të cilat ne i kemi bazuar gjetjet tona, flasin në mënyrë bindëse dhe të qëndrueshme për një metodologji me anë të së cilës ishin vrarë të zënët, zakonisht me një të shtënë në kokë, para se të operoheshin për t'ua marrë një a më shumë organe. Ne mësuam se kjo në rend të parë ishte tregti me "veshka të të vdekurve", gjë që d.m.th se veshkat merreshin pas vdekjes; kjo nuk ishte një procedurë e përparuar kirurgjike që kërkon kushte të kontrolluara klinike dhe, për shembull, përdorimin e gjatë të anestetikëve.

163. Ne mësuam nga burime të pavarura brenda UÇK-së rreth elementeve të dallueshme dhe perspektivave të zinxhirit të trafikimit të organeve në veprim: në anën tjetër, nga perspektiva e shoferëve, truprojave dhe personave të tjerë që kishin performuar detyra logjistike dhe praktike, me qëllim të dërgimit të trupave njerëzorë në klinikën operuese; dhe, në anën tjetër, nga perspektiva e "organizatorëve", kryebanditët kriminalë, të cilët besohet se ishin hyrë në biznesin e sigurimit të organeve njerëzore për qëllim të transplantimit, në këmbim të shpërblimeve të majme financiare.

164. Dimensioni praktik i trafikimit ishte relativisht i thjeshtë. Të zënët që ishin dërguar deri në Fushë-Krujë (e cila gjendet rreth disa orë vozitje larg Rripes ose Burrelit) në fillim ishin mbajtur në një "qendër të sigurt". Pronari i kësaj prone ishte një shqiptar etnik, i cili thuhet se kishte si lidhje klanore, po ashtu edhe lidhje të krimit të organizuar me anë- tarët e "Grupit Drenica".

165. Nëse dhe kur kirurgët e transplantimit konfirmoheshin se ishin në gjendje dhe të gatshëm për të operuar, të zënët nxirreshin individualisht jashtë "qendrës së sigurt", për t'u ekzekutuar përfundimisht nga ndonjë pjesëtar i UÇK-së, e më pas kufomat e tyre transportoheshin me të shpejtë në klinikën operuese.

166. Procedurat kirurgjike që bëheshin aty - marrja e veshkave nga kufomat, në vend të operacioneve nga dhuruesit e gjallë - paraqesin metodat më të rëndomta të sigurimit të organeve dhe indeve nga donatorët për qëllime të transplantimit, me përjashtim të metodës kriminale të sigurimit të kufomave. Ekspertët eminentë të transplantimit të organeve, të cilët i kemi konsultuar gjatë hetimit tonë, i përshkruajnë këto metoda si efikase dhe me rrezik të vogël.

167. Burimet kanë deklaruar se boshti Fushë-Krujë ishte zgjedhur si vend i këtyre qendrave, për shkak të afërsisë së saj me aeroportin kryesor të Tiranës. Qendrat në bërthamë të kësaj unaze të trafikimit të organeve - "qendra apo shtëpia e sigurt" dhe klinika operuese - ofronin një qasje të mirë për vizitorët ndërkombëtarë, si dhe për dërgesat jashtë shtetit. 

4. Klinika "Medicus"

168. Gjatë rrjedhës së hetimit tonë, ne kemi zbuluar disa informata të cilat dalin përtej gjetjeve tona, të prezantuara në raport. Këto informata duket të paraqesin një konspiracion më të gjerë e më kompleks të krimit të organizuar, për sigurimin e organeve njerë- zore për transplantime ilegale, duke përfshirë bashkë-konspiratorët në të paktën tri vende të huaja përpos Kosovës, që ka zgjatur më shumë se një dekadë. Në veçanti, ne kemi gjetur një numër treguesish të besueshëm, konvergjentë se komponenti i trafikimit të organeve në qendrat e mbajtjes gjatë periudhës pas konfliktit, të përshkruara në raportin tonë, ka lidhje të ngushtë me rastin aktual të klinikës "Medicus", jo vetëm me anë të personaliteteve të dalluara kosovare dhe ndërkombëtare, të cilët e luajnë rolin e bashkë-konspiratorëve në të dy rastet. Por, në shenjë respekti ndaj hetimeve aktuale dhe procedurave gjyqësore që udhëhiqen nga EULEX-i/Zyra e prokurorit special të Kosovës, ne ndihemi të obliguar që në këtë moment të përmbahemi nga publikimi i gjetjeve tona në këtë aspekt. Mjafton të thuhet se ne inkurajojmë që të gjitha vendet, shtetasit e të cilave paraqiten në aktakuzën në lidhje me klinikën "Medicus", që ta bëjnë të pamundurën për ndaljen e këtij aktiviteti të turpshëm dhe të ndihmojnë në sjelljen e orkestruesve dhe konspiratorëve të tij para drejtësisë. 

5. Reflektime rreth "pragut të qelqtë të përgjegjësisë" në Kosovë

169. Hetimi ynë ka treguar se ekziston një "kufi i qelqtë i përgjegjësisë" në lidhje me hetimet që janë duke u bërë aktualisht dhe për paditë e publikuara deri më tani, nën mbikëqyrjen e Zyrës së prokurorit të veçantë në Kosovë.

170. Duket se ekzistojnë dy pengesa kryesore ndaj kërkesës për drejtësi në emër të popullit të Kosovës, në mënyrën sesi është duke u udhëhequr nga Zyra e prokurorit special të Republikës së Kosovës. Problemi i parë është përfshirja de facto e hetimeve është duke u menaxhuar dhe kufizuar me kujdes nga autoritetet e Kosovës; prandaj bashkëpunimi i tyre me EULEX-in vuan nga një mungesë e thellë e besimit.

171. Së dyti, këta njerëz duket se më me dëshirë do të ballafaqoheshin me drejtësinë për rolet e tyre të supozuara në udhëheqjen e kampeve ilegale të mbajtjes dhe trafikimin e organeve njerëzore, sesa të implikonin ishkomandantët e tyre të lartë të UÇK-së, nën autoritetin e të cilëve ata kishin vepruar, e të cilët tani janë figura të larta politike.

172. Pengesa qendrore për arritjen e drejtësisë së vërtetë për shumë kosovarë, rrjedhimisht del të jetë një adet i trashëguar, i cili ende mbizotëron në disa pjesë të shoqërisë, për njëfarë besnikërie ndaj klanit, apo të ekuivalentit të tij në sferat e krimit të organizuar. Edhe në rastet kur konspiratorët në fjalë nuk janë vetë anëtarë të klaneve apo familjeve të njëjta të zgjeruara, besnikëria të cilën ata e ndiejnë në raport me "shefat" e tyre kriminalë, është e pathyeshme, sikur lidhjet familjare.

173. Për këtë shkak, Sabit Geci me vendosmëri eviton përfshirjen e personave me të vërtetë përgjegjës për torturimin e të të burgosurve civilë në Kukës, të cilët tani janë bërë figura të respektueshme politike. Njësoj, Ilir Rrecaj do të vazhdojë t'i pranojë pasojat e të qenit "kurban" për licencimin jo të rregullt dhe për praktikat financuese të klinikës "Medicus" në Prishtinë, në vend se ta bënte me gisht kah ata që janë me të vërtetë përgjegjës për këtë aktivitet të krimit të organizuar në sektorin shëndetësor të Kosovës.

174. Rezultat i kësaj është fakti që liderët politikë mund t'i refuzojnë në mënyrë të besueshme akuzat në lidhje me përfshirjen e UÇK-së në mbajtjet, torturimet dhe vrasjet e kryera në Shqipëri - akuza serioze të cilat duhet që të hetohen, sikur që kemi parë, me një seriozitet shumë më të madh, sesa që ka qenë rasti deri më tani - pak më shumë sesa spektakli i krijuar nga propaganduesit serbë. 

6. Disa vërejtje përfundimtare

175. Në përfundim, ne duhet që edhe një herë të rikujtojmë se ky raport është përpiluar pas zbulimeve të botuara në memoaret e ishprokurores kryesore të ICTY-së. Të tronditur nga ky zbulim, Asambleja Parlamentare na e besoi detyrën e analizimit më për së afërmi të pohimeve rreth shkeljes së të drejtave të njeriut që thuhet të jenë bërë në Kosovë gjatë periudhës kritike. Elementet e raportuara në librin e ish-kryeprokurores në rend të parë kishin të bënin me trafikimin e supozuar të organeve njerëzore. Hetimet tona të vështira dhe të ndjeshme na kanë ndihmuar jo vetëm që t'i gjejmë këto elemente, por edhe të hedhim më shumë dritë ndaj akuzave të ardhshme, që kanë lidhje me to, duke fituar një imazh shqetësues dhe të zymtë të asaj që ka ndodhur dhe që, në njëfarë mase, është duke vazhduar që të ndodhë në Kosovë. Ne nuk kishim për detyrë ta bënim një hetim kriminal - ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë dhe, mbi të gjitha, nuk i kemi burimet e nevojshme - e lëre më të bëjmë vlerësime rreth fajësisë, apo pafajësisë.

176. Informatat të cilat i kemi mbledhur megjithatë kanë të bëjnë me ngjarje tepër të rënda, të cilat u zhvilluan në zemër të Evropës. Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare të tij nuk munden të mbesin indiferente ndaj një situate të tillë. Ne kemi dëshmuar se krimi i organizuar është fenomen i theksuar në Kosovë. Kjo nuk është asgjë e re, dhe nuk është karakteristikë vetëm e Kosovës. Krimi i organizuar paraqet problem të madh në regjion, duke prekur edhe Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, midis tjerash. Ekzistojnë edhe lidhje shqetësuese, befasuese midis grupeve të ndryshme, të përfshira. Për më tepër, grupet e tilla kriminale duket të bashkëpunojnë midis vete në një mënyrë shumë më efikase sesa autoritetet përgjegjëse gjyqësore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne kemi theksuar dhe dokumentuar lidhjet e fshehta, por në disa raste edhe të hapura midis krimit të organizuar dhe politikës, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e autoriteteve; as kjo nuk paraqet risi, të paktën për ata që nuk i kanë mbyllur sytë dhe veshët e tyre në të gjitha rastet. Heshtja dhe dështimi për të reaguar ndaj një skandali të tillë është sa serioze, po aq edhe e papranueshme. Ne nuk jemi përfshirë thjesht në transmetimin e thashethemeve, por në vend të kësaj kemi përshkruar ngjarjet në bazë të dëshmimeve të shumta, dokumenteve dhe dëshmive objektive. Ajo që kemi zbuluar nuk është gjë e padëgjuar më parë. Gjetjet e ngjashme, apo të njëjta ka kohë që janë detajuar dhe dënuar në raportet nga agjencitë kryesore të inteligjencës dhe policisë, por pa një përcjellje adekuate, për shkak se shefat politikë të autorëve të tyre kishin preferuar që të heshtnin, me gjasë për shkak të "interesave politike". Por, ne duhet të pyetemi se çfarë interesash mund ta justifikojnë një sjellje të tillë të mosrespektimit ndaj të gjitha vlerave për të cilat flitet në publik? Çdokush në Kosovë është i vetëdijshëm rreth asaj që ka ndodhë dhe rreth situatës aktuale, por njerëzit nuk flasin rreth kësaj teme, pos në kushte private; ka vite që ata e kanë pritur të vërtetën - të vërtetën e plotë, në vend të versionit zyrtar. Qëllimi ynë i vetëm sot është që të shërbejmë si zëdhënës për ata burra e gra nga Kosova, si dhe nga Serbia dhe Shqipëria, të cilët pa dallim ndaj përkatësisë së tyre etnike dhe fetare, thjesht kanë për qëllim të vërtetën dhe dhënien fund të mosndëshkueshmërisë së turpshme, me të vetmen dëshirë që të mund të jetojnë në paqe. E vërteta dhe përgjegjshmëria janë nevoja absolute nëse dëshirohet të ketë një pajtim të vërtetë dhe një stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Gjatë misionit tonë me takuam persona me vlera të larta - si lokalë po ashtu edhe ndërkombëtarë - të cilët janë duke luftuar për tejkalimin e indiferencës dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Ata meritojnë jo vetëm shprehjen tonë të solidaritetit, por edhe mbështetjen tonë të plotë aktive.

FUND 

(KOSOVA SOT)