Dëshmia e gruas: 15 minuta në shtëpi me vrasësin e turistëve

  • 07 July 2015 - 08:24
Dëshmia e gruas: 15 minuta në shtëpi me vrasësin e turistëve

Age Koçeku, banore në fshatin Grudë e Re në Shkodër, gruaja që mbajti në banesë për rreth 15 minuta Sokol Mjacajn, rrëfen për atë që ndodhi në momentin kur personi i kërkuar për vrasjen e turistëve çekë hyri në banesën e saj e deri sa u arrestua nga policia.

“Isha në shtëpi dhe dëgjova nënën që fliste me dikë në shkallë jashtë. Dola dhe e pyeta se më ke fliste dhe më tha ishte një fëmijë aty. Kur dola pashë një të ri që ndodhej në oborr. Dukej i qetë. Pashë që hoqi çorapet dhe mori një palë pantofla te hyrja e fqinjës. E pyeta, në kishte nevojë për gjë dhe a dëshironte ujë, por ai m’u përgjigj negativisht”, tregon gruaja, e cila kur kuptoi se përballë kishte një vrasës ishte tronditur shumë, transmeton Shekulli.

“Pasi hyra brenda, erdhi pas meje dhe më kërkoi ujë, meqenëse më parë unë e kisha pyetur për këtë gjë. U ul në divan dhe piu. Dukej i lodhur dhe mbante dorën në xhep. Aty dyshova se personi që kisha përballë fshinte diçka, pasi policia kishte rrethuar fshatin dhe po e kërkonte . E pyeta mos ishte ai djali që kërkojnë dhe ai ma konfirmoi, duke thënë vetëm: “Po”. Më hyri frika dhe i thashë që bënte mirë të dorëzohej dhe iu luta të mos më bënte keq. Ka qëndruar rreth 15 minuta brenda në shtëpinë time”, tregon ajo.