AAK e NISMA nuk ndryshojnë qëndrimin për Specialen

  • 07 July 2015 - 14:20
AAK e NISMA nuk ndryshojnë qëndrimin për Specialen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se këtë javë në rend dite në Kuvend nuk do të jetë themelimi i Gjykatës Speciale.

Veseli nuk e ka hedhur mundësinë që javën e ardhshme do të diskutohet se a do të kthehet në riprocedim në Kuvend amendamenteve që i hapë rrugë themelimit të Speciales.

Lidhur me këtë deputeti i Nisma-s, Bilall Sherifi ka thënë për Indeksonline se Qeveria nuk duhet që ta riprocedojë një çështje e cila njëherë është refuzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që Qeveria në vend që të insistojë në riprocedim të amendamenteve kushtetues, ajo duhet ta lexojë mirë vendimin e deputetëve. Vendimi i seancës së Kuvendit e obligon qeverinë që të kërkojë rrugë tjera për të adresuar këtë çështje. Deputetët e Kuvendit atë ditë kanë kërkuar të gjithë njëzëri krijimin e një mekanizmi që të ndëshkojë të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë”, ka thënë Sherifi.

Ai më pas ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka obligim që ta zbatojë vendimin e parlamentit të Kosovës dhe jo të insistojë dhe të kërkojë me çdo kusht që parlamenti të votojë sipas dëshirës tyre.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj është shprehur kundër riporcedimit të amendamenteve kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Lekaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se janë kundër themelimit të saj.

“Ne nuk kemi ndryshuar mendim sa i përket Speciales. Jemi kundër themelimit të saj pos nëse ajo themelohet dhe procedohet me ligjshmërinë e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Kuvendi i Kosovës dy javë më parë ka dështuar në miratimin e ndryshimeve Kushtetuese të Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale.