Sektori i qumështit në krizë / 50 mijë litra në ditë s'kanë treg të shitjes

  • 07 July 2015 - 16:58
Sektori i qumështit në krizë / 50 mijë litra në ditë s'kanë treg të shitjes

Nënkryetari i parë i Lëvizjes "Vetëvendosje", Driton Çaushi si dhe drejtuesi i Komitetit për Bujqësi, deputeti Salih Salihu u takuan sot takuan me përfaqësuesit e shoqatës së përpunuesve të Qumështit të Kosovës.

Ky takim është në vijim të takimeve që janë mbajtur bashkërisht në lidhje me problemet e këtij sektori. Tashmë mund të themi se ky sektor është në krizë e cila shkakun kryesor e ka moskontrollin e kompanive importuese të qumështit dhe produkteve të tij, të cilat kanë përmbajtje të dyshimtë sa i përket cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

Qumështi i importuar, qumështi pluhur dhe produktet e tij me përmbajtje të vajrave me origjinë bimore kanë kosto më të lirë të prodhimit dhe rrjedhimisht janë më lirë në treg, duke i dëmtuar kështu kompanitë vendase të përpunimit të qumështit si dhe prodhuesit vendorë të qumështit. Si pasojë, rreth 50 mijë litra qumësht vendor në ditë nuk kanë treg të shitjes.

Pra, përkundër kërkesave legjitime të shprehura me shkrim dhe përmes protestave të shoqatës së prodhuesve dhe të përpunuesve vendorë të qumështit, Qeveria ende nuk po ndërmerr asnjë hap në drejtim të normalizimit të gjendjes së këtij sektori kaq të rëndësishëm për bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës.

Komiteti për Bujqësi në Lëvizjen "Vetëvendosje" kërkon nga organet përgjegjëse që të mbrohet prodhimi vendor i qumështit duke bërë aplikimin i tarifës së integruar të Kosovës sikur që bëjnë vendet e BE-së dhe vendet e rajonit me qëllim të mbrojtjes së produkteve vendore, zbatimi i përpiktë i ligjit antidamping, kuotizimin e importeve për qumësht dhe produkteve të qumështit, rregullimi ligjor i importit të produkteve me prejardhje bimore, masat kundër balancuese ndaj produkteve të subvencionuara, lirimet e repromaterialit dhe lëndës djegëse për prodhim nga taksat e importit si dhe hartimin e një baze ligjore që rregullon importin e produkteve të qumështit dhe atyre me yndyrë bimore, të ndryshohet ligji i prokurimit, i cili në mënyrë diskriminuese përjashton prodhuesit vendor që të marrin pjesë dhe të bëjnë furnizime në institucionet publike sikurse kompanitë importuese.

Lëvizja "Vetëvendosje", do të mbështesë protestën e ardhshme të Shoqatës së Prodhuesve dhe të Përpunuesve të qumështit të Republikës së Kosovës që do të mbahet të hënën me 14 korrik 2015, ora 12 para qeverisë së Republikës së Kosovës dhe fton të gjithë anëtarët e saj që t'i bashkëngjiten kësaj proteste.

(Kosova Sot)