Tahiri flet për dënimin me vdekje

  • 07 July 2015 - 17:06
Tahiri flet për dënimin me vdekje

Rifutja e dënimit me vdekje në Shqipëri për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, është një besim i humbur i qytetarëve te drejtësia dhe reforma e munguar e saj.

Nëpërmjet statusit të tij në Facebook, Tahiri i është përgjigjur pasditen e sotme interesit të qytetarëve për rikthimin e dënimit me vdekje, duke u shprehur se “Thirrja për dënim me vdekje? Nuk është instikt hakmarres, por shenja me e fortë e mosbesimit ndaj drejtësisë e nxitja më e madhe për reformë. Kështu i kuptoj secilin prej qindra në mos mijëra qytetarët që me kanë shkruar këto ditë lidhur me arrestimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen e dy turistëve në Dukagjin. Sugjerimi si rrugëzgjidhje e rikthimin e dënimit me vdekje, në themel nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi”.

“E mosbesimi se drejtësia nuk do bëjë drejtësi, bën që shumë njerëz të besojnë se vetëm rikthimi i dënimit me vdekje është drejtësia fundore. Nuk mund të zgjedhim rrugën më të thjeshtë. Duhet të reformojmë sistemin e drejtësisë, ndërkohë që na duhet te monitorojmë me sa më shumë sy, çdo vendim te çdo gjyqtari në vend e të denoncojmë çdo abuzim. Policia ka filluar të ndjekë ecurinë e çdo çeshtjeje të filluar te saj, duke përfshirë edhe procesin gjyqësor. Sepse puna e policisë nuk mbaron kur i vihen prangat autorit të dyshuar, por atëherë kur ai merr vendimin e gjykatës”, shprehet Tahiri, transmeton Shekulli.

Po ashtu, ministri në vijim të arsyetimit të tij në përgjigje të interesit të qytetarëve pohon se ka propozuar zyrtarisht dy nisma, të cilat shpreson t'i nënshtrohen debatit nga ekspertet e institucioneve përkatëse, por edhe të reformës në sistemin e drejtësisë.

Ministri Tahiri sjell dy propozime konkrete, përsa i përket ashpërsimit të dënimit dhe në propozimi e parë thekson  “bashkimin mekanik (matematikor) të dënimeve. Sot ka bashkim me përthithje, që do të thotë dënimi me i madh përthith dënimin më të vogël. Neqoftë se propozimi do miratohet, autori do dënohet me bashkimin matematikor të të dy dënimeve për të dyja (ose më shumë) veprat penale që ka konsumuar. Ndërsa, në propozimi e dytë parashikon Regjimin e Perforcuar të Vuajtjes së Dënimit. Kjo do të sjellë veçimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë kriminale, duke hequr çdo mundësi që të rikthehen në shoqëri, si kriminele me të stërvitur”.