Fushatë për procesin e liberalizimit të vizave

  • 07 July 2015 - 17:08
Fushatë për procesin e liberalizimit të vizave

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, dhe partnerët e tijë të shoqërisë civile, vazhdon me fushatën për liberalizimin e vizave të filluar në prill të këtij viti, me letrën dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, Komisionerit Johannes Hahn dhe Komisionerit Dimitris Avramopoulos.

Me këtë fushatë, organizatat e shoqërisë civile i drejtohen  autoriteteve të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kosovës. Fushata përmban vendosjen e postereve (shih me poshtë)  në aeroport të Prishtinës si dhe në media sociale, një film dokumentar që do të jetë i gatshëm në gusht të këtij viti, si dhe një peticion qytetar drejtuar akterëve kryesorë të izolimit të vendit, Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kosovës.

Teksti i këtij peticioni, që pritet të nënshkruhet nga shumë qytetarë do të jetë ky:

"Ne qytetarët e nënshkruar në këtë peticion jemi të bindur se izolimi i Kosovës i imponuar me viza Shenghen, tashmë ka filluar t'i ndikojë negativisht të gjitha lëvizjet në shoqëri, dhe të lë gjurmë të pakthyeshme në proceset zhvillimore që aq shumë na duhen. Kufizimi i lëvizjes së lirë, i vendeve Europiane brenda Europës, është një paradoks i kohës, sidomos sot, kur globalizimi e ka përfshirë çdo skutë të jetës dhe e pamundëson zhvillimin normal atëherë kur nuk ka liri të lëvizjes. 
Kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Europian, si dhe nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t'i krijojnë kushtet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. BE-ja duhet të na trajtojë ashtu si i ka trajtuar vendet tjera në rajon, ndërsa qeveritarët tanë duhet t'i plotësojnë kriteret e vendosura me më shumë vullnet dhe vendosshmëri. 
Nëse duam më shumë zhvillim ekonomik, edukim cilësor, shëndet publik, këmbim kulturor dhe sportiv, e sidomos nëse duam më pak Kosovar që duan të migrojnë, atëherë jemi të bindur se duhet liberalizuar vizat Shengen sa më parë!"

Image

 

(Kosova Sot)