'Fushata anti ISIS do jetë e gjatë'

  • 07 July 2015 - 17:19
'Fushata anti ISIS do jetë e gjatë'

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka deklaruar se fushata kundër ISIS do të jetë e gjatë, por jo e shpejtë.

“Nuk do të veprojmë shpejt. Militantët e grupit ekstremist janë të shkathët dhe dinë ta shfrytëzojnë mirë terrenin e pozicionet që kanë brenda popullsisë civile”, tha Obama gjatë një vizite të pazakontë në Pentagon. Aty, presidenti amerikan takoi këshilltarët e sigurisë kombëtare si dhe Sekretarin e Mbrojtjës, Ash Carter.

Ky takim vjen menjëherë pas një fundjave sulmesh ajrore intensive të ndërmarra nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA kundër militantëve, të cilët kanë nën kontroll hapësira të mëdha në veri e perëndim të Irakut dhe në Sirinë lindore. Koalicioni ndërmori 38 sulme, gati gjysma e tyre në rrethinat e kryeqytetit të vetëshpallur të ISIS-it, Raqqa.

Presidenti i Amerikës, u shpreh se për të mposhtur ISIS duhet të jetë punë e forcave lokale, të cilat sipas tij, do të vazhdojnë të marrin trajnim dhe mbështetje ajrore nga Shtetet e Bashkuara.

Obama foli për përpjekjet që po bëjnë kundër Shtetit Islamik në Siri. Ai shtoi se sulmet ajrore do të vazhdojnë të kenë në shënjestër komplekset e naftës dhe gazit, të cilat financojnë pjesën më të madhe të operacioneve të këtij grupi.

“Kur të kemi një partner në terren, ISIS do të mund të zmbrapset”, tha presidenti amerikan. Gjithashtu, Obama u shpreh se ideologjitë nuk luftohen me armë, ata luftohen me ide më të mira dhe se kjo betejë e madhe për zemrën dhe mendjen do të jetë një betejë e gjeneratave.