Familja Krasniqi jeton mes lagështisë dhe insekteve

  • 07 July 2015 - 18:37
Familja Krasniqi jeton mes lagështisë dhe insekteve

Pos varfërisë, përballen edhe me sëmundje

“Zgjohemi me ‘veshë në krahë’ se mos kjo shtëpi kaq e rrënuar një ditë do të na zërë brenda”, thotë nënë Mirdita

  
Familja 5-anëtarëshe Krasniqi në Prizren jeton në kushte të këqija me vetëm 75 euro ndihmë sociale në muaj. Ata po ashtu përballen edhe me sëmundje. Kryefamiljari Xhaviti vuan nga të pamurit, kurse e zonja e shtëpisë vuan nga zemra. Kjo familje jeton në Qendrën kolektive nr. 1 në qytet, gjegjësisht në lokacionin "Te Farmakosi". Shumica e familjeve në këtë qendër mbajnë frymën gjallë me punë krahu dhe nga ndihma sociale.

Familja e Xhavit e Mirdita Krasniqit, nga Arbana, është një prej familjeve të qendrës. E zonja e shtëpisë, Mirdita, është e sëmurë nga zemra. Po ashtu, ajo ka pasur disa operacione në repartin e traumatologjisë dhe ka jo më pak se 150 qepje në trupin e saj. Ndryshe, ajo vetëm për barëra që i duhen kundër tensionit të lartë dhe për diabet, për yndyrë në gjak shpenzon 70 euro në muaj. Kjo familje ka vështirësi të paguajë edhe faturat, pasi të ardhurat e vetme në familje janë ndihmat sociale prej 75 euro në muaj. Mirdita shprehet se burri nuk arrin të gjejë punë si punëtor krahu, shkaku i moshës. “Kështu nuk lidhen assesi muajt, por aty këtu shoqatat humanitare na ndihmojnë për bukën e gojës”, thotë ajo. Mirdita duhet të kujdeset edhe për vjehrrën e saj, e cila është 74-vjeçare. I zoti i shtëpisë, Xhaviti 54-vjeçar, shprehet se ka lëndim në të pamur dhe tani më s’ka mundësi të kryejë asnjë punë fizike apo tjetër. (Më gjërësisht mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)