Auditori gjen një mal shkeljesh në institucione shtetërore

  • 07 July 2015 - 20:38
Auditori gjen një mal shkeljesh në institucione shtetërore

Shkelje të ndryshme të ligjeve në fuqi, harxhime pa asnjë kriter, moskomunikim brenda institucioneve, dallim mes vlerës së ndarë dhe faturës, janë vetëm disa nga shkeljet që ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në institucione shtetërore të sektorit ekonomik.

Auditori thuajse në të gjitha këto institucione kishte gjetur harxhime të mëdha të buxhetit për telefoni mobile, pa pasur kontratë me ndonjë prej operatorëve ekonomikë, siç e kërkojnë ligjet në fuqi, raporton KTV.

Një mal shkeljesh auditori kishte gjetur në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sidomos në mënyrën e ndarjes së 20%-shit të punëtorëve.

Auditori ka konstatuar se AKP-ja me rregulloren e brendshme për shpërndarjen e 20%-it i tejkalon dispozitat e rregullores bazike, ndërsa nuk ka marrë informata nga BSPK-ja lidhur me shpërndarjen e këtyre parave për ish-punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

E njëjta kishte kryer pagesa të parregullta për kompensimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, ndërsa në buxhet kishte aprovuar 271 të punësuar nga 257 sa ishte numri mesatar i të punësuarve.

Shkelje të mëdha kishte edhe në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që sipas auditimit të bërë ka dalë se nuk ka kontrolle adekuate të pasurisë, ka mungesë protokolli të faturave nga operatorët ekonomikë.

Si rezultat i kësaj, AKK nuk kishte të dhëna lidhur me obligimet e saja mujore dhe nuk kishte raportuar asnjëherë në Ministrinë e Financave, gjithashtu kishte vonesa në ekzekutimin e pagesave në 9 raste.

Autoriteti kishte shpenzuar mbi 4 mijë euro për 4 zyrtarë të saj dhe 4 inspektorë të mbikëqyrjes së tregut për vetëm dy ditë qëndrimi në Shqipëri.

Përpos transferimeve të punëtorëve nga një pozitë në tjetrën, autoriteti nuk ka asnjë evidencë për shpenzimet e shfrytëzimit të 5 automjeteve, pronë e saj.

Pas analizimit të listës së bizneseve që nuk i përgjigjen ATK-së në kryerjen e obligimeve tatimore ka dalë se disa bizneseve përfituan kontrata për punë dhe shërbime nga Buxheti i Kosovës.

E njëjta agjenci, sipas auditorit ka problem në mbulimin e pagave mujore të punëtorëve për shkak të aprovimit të buxhetit në këtë kategori që ishte nën kërkesat reale të ATK-së.

Si pasojë e kësaj, ATK për çdo muaj ka mungesë të mjeteve për paga dhe mëditje dhe kjo mungesë e buxhetit është financuar nga njё program tjetër i MF-sё.

Në këtë agjenci janë 47 raste, ku koeficienti në kontratë nuk përputhet me pagat, të cilat i marrin aktualisht këta punëtorë si dhe për shumë të tjera ka mungesë përshkrimi të detyrave dhe përgjegjësive të të punësuarve.

Hiq më mirë nuk ka dalë nga auditimi as Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kjo e fundit ka dobësi të vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve të tjera në sisteme kyç financiare.

Sipas auditorit, AKK-ja ka buxhetuar gabimisht një pjesë të shpenzimeve për investime kapitale në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Gjithashtu, Kundër Korrupsioni kishte bërë dy pagesa në vlerë prej mbi 1700 eurosh për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve dhe ndërtesave, ku zotimi i mjeteve është bërë pas pranimit të faturës, ndërsa në pesë pagesa të tjera në vlerë 11.638€ urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të mallrave dhe faturës.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë auditori ka vërejtur mungesë të madhe komunikimi si në mes të agjencive që funksionojnë brenda kësaj ministrie, ashtu edhe me institucione jashtë saj.

Mbi 18 mijë euro ishin harxhuar për telefoni mobile, kishte paguar biletë udhëtimi të klasit biznes për në Japoni në vlerë prej 6.843 €, ndërsa ka mbajtur një numër ushtrues detyre për më shumë se tre muaj.

Auditori ka vërtetuar raportimet e medieve rreth subvencionimit të një OJQ-je në vlerë prej 20 mijë eurosh, ku kryetare e bordit drejtues është Sekretarja Permanente e MTI-së, e cila ka vendosur për dhënie të subvencionit, kurse drejtor ekzekutiv i kësaj OJQ-je ishte ish-drejtori i Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Edhe ministria që menaxhon buxhetin e shtetit nuk u ka shpëtuar shkeljeve.

Auditori ka konstatuar se Ministria e Financave ka pasur keq klasifikim të projekteve dhe shpenzimeve kapitale, janë shmangur procedurat e hapura në disa tenderë, si dhe janë angazhuar zyrtarë të njëjtë në përpilimin e specifikacioneve teknike dhe në vlerësimin e ofertave.

Madje në këtë ministri janë edhe të paarsyetuara avanset e udhëtimeve në mbi 1 mijë euro që datojnë nga viti 2012.

Fondi i parasë së gatshme është përdorur për pagesa të drekave zyrtare si dhe blerje, furnizim për zyra dhe udhëtime brenda vendit.

Në Ministrinë e Bujqësisë auditori ka vërejtur se e njëjta kishte nënvlerësuar objektet e Institutit Bujqësor në Pejë, kurse në Prishtinë nuk i kishte vlerësuar fare.

Probleme kishte vërejtur në subvencionimin e fermerëve, në një rast ministria kishte subvencionuar blerjen e një kamioni në vlerë prej 75.000 €, derisa fatura e dorëzuar nuk përmbante asnjë detaj për karakteristikat e tij dhe as dokumentacionin përcjellës.

Auditori ka gjetur probleme edhe në mungesë të detajeve në regjistrin e ankesave të bujqve, për të cilat komisioni nuk kishte raportuar ndaj kryeshefit të agjencisë për zhvillimin e bujqësisë, raporton KTV.

Ministria e Infrastrukturës sipas auditimit të bërë për tre vjet me radhë e ka planifikuar vlerën e njëjtë për të hyrat, pasi që nuk kishte bërë vlerësim të potencialit, ndërsa mbi gjysmën e buxhetit për investime kapitale e kishte shpenzuar në tre muajt e fundit të vitit.

Një vërejtje është bërë edhe për pagesën e këshilltarit të transaksionit për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit nga fondet e zotuara për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale.

Kjo ministri ka gjashtë nëpunës si ushtrues detyre, të cilëve u vazhdohet kontrata çdo muaj.

Madje, kjo ministri kamionët e vet ia ka dhënë në dispozicion operatorit ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve në verë dhe dimër, por asnjëherë nuk kishte kërkuar siguri se po bëhet mirëmbajtja e tyre sipas kushteve të kontratës.

Vetëm këshilltarët e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale kishin harxhuar rreth 50 mijë euro për derivate, pasi një vendim i ministrit u kishte mundësuar atyre të shfrytëzonin veturat zyrtare 24 orë.

E njëjta ministri, sipas auditivit, kishte angazhuar mjek për pjesëmarrje nëpër komisione vlerësuese me kontrata më të gjata se gjashtë muaj.

Vlera e avanceve të pambyllura ishte mbi 30 mijë euro, pjesa dërmuese në kredit kartela dhe në avance për udhëtime të zyrtarëve jashtë vendit.

Auditori kishte vërejtur se Sekretari i Përgjithshëm kishte avancuar pesë zyrtarë brenda ministrisë pa zhvilluar fare procedurat e konkurrimit të brendshëm. Madje, për një zyrtar nuk ishte bërë vlerësimi i perfomancës fare për vitin 2013, transmeton Koha.net.

Shkelje të mëdha janë gjetur edhe në dhënien e pensioneve për invalidët e luftës, pjesëtarët e TMK-së dhe në përfituesit e skemës sociale.