Pas ndarjes me gruan, burri vret dy djemtë dhe veten

  • 07 July 2015 - 20:56
Pas ndarjes me gruan, burri vret dy djemtë dhe veten

Tetë muaj pasi që i ka humbur dy djemtë e saj bashkë me bashkëshortin, në një vrasje në familje, një nënë nga Nevada ka folur për pasditen që ia ka ndryshuar jetën. Hera e fundit kur Ashley Deane, 28-vjeçare, i kishte parë bijtë e saj – shtatëvjeçarin Jacob dhe dyvjeçarin Austin – ka qenë 8 nëntori i vitit 2014, kur i kishte dërguar tek babai i tyre për fundjavë. Ashley dhe Robertson White Deane, 36-vjeçar, kishin vendosur që të ndaheshin për disa ditë dhe si rrjedhojë ajo kishte filluar të jetonte me djemtë në shtëpinë e gjyshit të saj për katër ditë.  “I dëgjoja djemtë teksa luanin brenda dhe duke mos dashur që t’i shqetësoj teksa luanin nuk iu pata treguar se po largohesha”, ka thënë Ashley për ‘Reno Gazette-Journal’, transmeton Kosova Sot.

Mesazhet e ashpra telefonike

Ndonëse Ashley e kishte përqafuar bashkëshortin e saj para se të largohej, ajo ka thënë se ata kishin filluar të diskutonin ashpër me mesazhe telefonike, gjatë kohës kur ajo ka qenë duke shkuar në Sakramento me një shoqe të saj. Teksa biseda e tyre ishte nxehur edhe më shumë, Ashley kishte filluar të brengosej për bashkëshortin dhe djemtë e saj, andaj edhe e kishte telefonuar të ëmën për të shkuar dhe për t’i kontrolluar fëmijët. Ajo më pas e kishte lënë celularin e saj dhe e kishte injoruar një mesazh të dërguar nga Rob-i. Ajo ka qenë në njërin prej dyqaneve të “Ikea”-s në Sakramento kur e kishte nxjerrë celularin dhe e kishte parë mesazhin tmerrues: “Djemtë kanë vdekur, sikurse edhe unë”.  Teksa ka qenë duke qëndruar përballë një rafti të syzeve, Ashley, në nguti për ta lajmëruar policinë, e kishte rrëzuar raftin me syze. “E pata thirrur 911 në Sakramento, e ata mundoheshin të më lidhnin me Renon. Gjithçka ka qenë e turbullt”, ka thënë ajo. Në kohën kur policia ishte shfaqur në shtëpinë e familjes Deane, rreth orës 16:00, ishte bërë shumë vonë. Të dy djemtë ishin gjetur të vdekur në banjë. Ndërsa, në dhomën e fjetjes ishte gjetur i vdekur babai i tyre, i zhytur në gjak afër një revolveri. Në fillim, Ashley kishte filluar të ndihej e zemëruar me bashkëshortin e saj për shkak të faktit se ai ia kishte vrarë fëmijët, mirëpo tani ajo po i shikon gjërat më me qetësi.  “Kam qenë e zemëruar me të, mirëpo kjo nuk vlen asgjë. Nuk m’i kthen djemtë”, ka thënë ajo.

 

Image

Kujtimi i vazhdueshëm për fëmijët

Metoda e Ashley-t për t’u marrë me tragjedinë e tmerrshme nuk është harresa e djemve të saj, mirëpo kujtimi i vazhdueshëm për ta.  Ajo, së fundmi e ka postuar një fotografi të ditës së saj të martesës, në mbishkrimin e së cilës kishte shkruar: “Ndonëse martesa jonë ka pasur shumë probleme, kjo ditë është njëra prej ditëve të lumtura”. Ajo madje e ka ruajtur afërsinë me prindërit e ish bashkëshortit të saj, me të cilët, së fundmi, e ka kaluar Ditën e Baballarëve.  Ashley ka vendosur që të flasë për tragjedinë të cilën e ka përjetuar në përpjekje të ngritjes së vetëdijes për depresionin, nga i cili kishte vuajtur bashkëshorti i saj, pasi që i kishte mbijetuar kancerit në moshën e adoleshencës. “Unë dhe prindërit e tij jemi munduar t’i ndihmojmë, mirëpo nuk kemi pasur mundësi t’i ndihmojmë shumë”, ka thënë Ashley. Megjithatë, ajo ka thënë që ai i ka dashur shumë fëmijët dhe se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë që ai do të ishte në gjendje t’i lëndonte ata. “Dua që njerëzit ta dinë që ne kemi pasur një jetë të lumtur bashkëshortore. Djemtë kanë qenë të lumtur dhe e kanë adhuruar babanë e tyre. Edhe ai i ka dashur shumë ata. Kurrë në jetë nuk e kam menduar që do të mund të bënte diçka të tillë. Pse do të martohesha me një person të tillë?”, ka thënë ajo. Ashley ka thënë që e kishte njoftuar Rob-in në ueb-faqen ‘MySpace’ në vitin 2006, nga ku më pas ishin takuar në shtëpinë e tij. “Ai më pati bërë shumë pyetje për mua dhe jetën time dhe mua më ka pëlqyer kjo gjë, pasi që e pata vërejtur që po interesohej për mua”, ka shtuar ajo. Më 4 korrik të vitit 2007, në jetë kishte ardhur i biri i tyre i parë, Jacob-i, ndërsa, nëntë muaj më vonë ata ishin martuar.

(Kosova Sot)

 

Image