Presidenti fsheh kriterin kryesor

  • 16 February 2017 - 07:44
Presidenti fsheh kriterin kryesor

Nuk është vetëm Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi,shkruan gazeta Kosova Sot.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në paraqitjet e tij publike, ka kohë që po bën thirrje për përmbylljen sa më të shpejtë të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ratifikimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, si kusht që qytetarët ta përfitojnë këtë vit liberalizimin e vizave, por në ndërkohë ai po e anashkalon vazhdimisht kushtin kryesor për liberalizimin e vizave të vendosur nga BEja, që është luftimi i krimit dhe korrupsionit. Lërjen krejtësisht në harresë të këtij kushti nga presidenti i vendit, nga më të rëndësishmit dhe më kryesorin, që kërkohet nga institucionet e sundimit të ligjit dhe vazhdon të flasë dhe insiston me çdo kusht në ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend, deputetët nga pozita dhe opozita, por edhe analistët politikë, po e cilësojnë si një lojë tinëzare dhe dinake të presidentit të vendit. Ai po mundohet që ta mbulonjë qeverisjen, në krye të së cilës ishte dy mandate, ku sipas deputetëve dhe analistëve ishte instaluar shtresa më e madhe krimit dhe korrupsionit nga ai si lider i PDK-së dhe partnerët e koalicionit. Një dyshim të tillë e shpreh deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Berisha: Thaçi, në krye të kupolës së krimit

Sipas Salihajt, Bashkimi Evropian vazhdimisht e ka potencuar këtë fakt, luftën kundër korrupsionit, ndërsa Thaçi vazhdimisht është munduar ta fshehë këtë."Thaçi e fsheh këtë fakt, meqë vetë është kapja e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Ai nuk mund ta luftojë këtë, sepse do të duhej ta luftonte vetveten dhe ta fuste veten në burg, bashkë me qindra e mijëra mafiozë që ka pas vetes", tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për "Kosova Sot". Gjykim të njëjtë ka edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. "Është shumë e qartë dhe botërisht e ditur kjo gjendje, se tani presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që ishte për dy mandate e gjysmë në krye të Qeverisë së vendit, e lë anash kriterin kryesor për liberalizimin e vizave dhe nuk e përmend fare atë, sepse është plotësisht i vetëdijshëm që ai vetë është në krye të kupolës së krimit", tha Berisha për "Kosova Sot". Analisti Ali Hertica thotë se paraqitja publike e presidentit Thaçi, i cili siç po duket po e anashkalon çdoherë si vazhdimësi kushtin kryesor, çelësin kyç për të përfituar liberalizimin e vizave dhe për të hyrë në familjen evropiane, sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit e korrupsionit, është diçka që i ngjason një sjellje të paprecedent dhe të pakuptimtë. "Duke u nisur nga ato veti që duhet të ketë një president i vendit, një vendosmëri të paluhatshme për luftimin e dukurive negative, tani del që ky vullnet mungon në vetë piramidën më të lartë shtetërore, që nuk merr guximin për t'i shpallur luftë të pa kompromis krimit të organizuar dhe ta rikthejë ligjin në binarët e funksionimit të drejtë e mirëfilltë", u shpreh ai. 

Demarkacioni si mbulesë

Sipas Herticës, heshtja e tashme e presidentit të vendit, që mos ta shtyjë përpara këtë proces, tregon se para nesh gjendet edhe një barrierë e madhe për ta kaluar dhe duhet të jemi të sigurt që BE-ja nuk do t'i hapë dyert as për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës e aq më pak për përshpejtimin e anë- tarësimit të Kosovës në BE. Ai thotë se vetë presidenti i vendit do të duhej gjykuar pse po e bën një lojë të tillë. "Është një mëkat i pafalshëm insistimi që bëhet me çdo kusht për kalimin, madje nën presion të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, një marrëveshje me plot të panjohura dhe sipas ekspertëve e dëmshme për palën kosovare që humb mijëra hektarë tokë pa të drejtë dhe harrohet kushti kryesor që është zbatimi i plotë i ligjit dhe luftimi i korrupsionit, luftimi i nepotizmit në institucione dhe ndalimi e ndëshkimi i pasurimit të paligjshëm, qoftë i njerëzve të politikës, qoftë i grupeve të organizuara kriminale", tha Ali Hertica për "Kosova Sot". Edhe politologu Arsim Haziri thotë se Hashim Thaçi jorastë- sisht është definuar si makiavelist. "Mund të kuptohet përgjithësisht pse arrin të zhvillojë një strategji të tillë, mbase ai konsiderohet si aktori themelor pse Kosova si shoqëri e dhunuar dhe e izoluar gjendet në çdo aspekt. Konsideroj se kushti për demarkimin me Malin e Zi me kohë s'ka qenë kusht i përcaktuar prej institucioneve ndërkombëtare, në asnjë raport të progresit për Kosovën nuk është fokusuar një kusht i tillë, por jam shumë i bindur që ky kusht është prodhuar dhe paramenduar nga vetë politika kriminale që po e udhëheq vendin për t'i ikur kushtit themelor, luftimit të kriminalitetit, një element që në masë të madhe e përbëjnë vetë ata që e kanë pasur pushtetin dhe vazhdojnë të jenë në pushtet", tha Haziri. 
 

(Kosova Sot)