Nëntë vjet Padrejtësi!

  • 17 February 2017 - 07:40
Nëntë vjet Padrejtësi!

Drejtësia, "mollë e ndaluar" në Kosovë

Nëntë vjet pavarësi nuk mjaftuan për sistemin e drejtësisë, përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët, që të vendosin sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë se kjo, veç tjerash, po ndodh edhe për shkak të kapjes së shtetit nga politikëbërësit dhe ata që janë në krye të institucioneve. Ndaj është shtruar edhe çështja se si mund të ketë barazi të qytetarëve kur mungon drejtësia e mirë- filltë për ta, derisa është ngritur edhe pyetja se përse institucionet e drejtësisë dështuan që ta bëjnë një shtet me sundim të fortë të ligjit dhe me një drejtësi efikase, që do të ishte në shërbim të qytetarëve? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është afër një dekadë, pa një vit, pa përjashtuar UNMIK-un më herët dhe EULEX-in më vonë, që në sistemin e drejtësisë nuk u arrit ajo që është dashur të arrihej. Sipas tij, sistemi i drejtësisë, gjyqësori dhe prokuroritë po ashtu nuk janë ende në pavarësinë e tyre të plotë nga ndikimet e politikës dhe të tjera, pa përjashtuar mungesat e tjera, siç janë ndërtimi dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe efikasiteti në sundimin e ligjit. "Duke parë në retrospektivë gjendjen dhe zhvillimet deri më tash në sferën e drejtë- sisë, nuk mund të themi se është arritur ajo që ka mundur të arrihet dhe ajo që është dashur të bëhet në këtë sferë, mbase si shtylla kryesore e shtetit, siç është gjyqësori. Ne sot ende mund të flasim për një sistem drejtësie pa integritet, pa fuqi në zbatimin dhe respektimin e ligjit dhe pa një drejtësi të pavarur, dhe në këtë rast për një sistem drejtësie mbase edhe të kontrolluar e të ndikuar nga interesat e politikës dhe të grupeve tjera të interesit", theksoi ai.

Drejtësi e trafikuar

Sipas Kelmendit, edhe nëntë vjet të pavarësisë mund të flasim për një drejtësi të trafikuar, për një sistem drejtësie jo të kënaqshëm e të besueshëm nga qytetarët, por edhe mjaftueshëm për mungesë të pavarësisë së Gjyqësorit dhe të Prokurorisë në vendimet e tyre. Tutje, Kelmendi ka shtuar se për mosfunksionimin dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në të shumtën fajin kryesor e ka mafio-politika e inkriminuar dhe oligarkia e inkriminuar, e që këtë sistem drejtësie e kanë kontrolluar dhe e kanë kapur për të arritur interesat e tyre."Prandaj, edhe për nëntë vjet të pavarësisë së shtetit të Kosovës, me sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës, jemi larg nivelit dhe standardeve evropiane, derisa pa plotësimin e këtij standardi nuk mund të flasim për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në nivelin dhe funksionin e duhur. Pra, është koha e fundit, mbase imperativ i kohës, që të ngrihet sistemi i drejtësisë në funksionin e tij të duhur, ashtu sikur e kërkon standardi për një shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit", është shprehur Kelmendi. Ndërsa, deputeti nga Lëvizja 'Vetëvendosje', Ismajl Kurteshi, ka nënvizuar se gjyqësia si një segment shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë po dështon për shkak të dështimeve të gjithanshme, të cilat po ndodhin në këtë shoqëri, e që kjo po ndodh, siç tha, për shkak të kapjes së shtetit nga politikëbërësit dhe ata që janë në krye të institucioneve, por natyrisht po ndodh edhe për shkak të mosinsistimit të atyre që janë përgjegjës për gjyqësinë, janë ekspertë të kësaj pune që atë ta kryejnë me nder e me përgjegjësi dhe me profesionalizëm. 

Misionet bënë lëshime të mëdha

Tutje, Kurteshi ka veçuar se edhe misionet ndërkombëtare që janë marrë me drejtësi, edhe gjatë kohës së UNMIKut por edhe tani EULEX-i, kanë bërë lëshime të mëdha dhe nuk janë treguar aspak efikase në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe fenomeneve të tjera të dëmshme."Shpeshherë kanë dhënë deklarata shumë pompoze, por që veprat nuk janë përputhur me deklaratat dhe ata natyrisht që bartin përgjegjësi për moskryerjen e punëve të tyre, sepse ata në krahasim me gjyqtarët tanë e kanë pasur një përparësi, ngase ata nuk janë varur drejtpërdrejt, siç po varen këta tanët, prej politikanëve nga politika kosovare, por një pjesë e tyre janë infektuar dhe kanë rënë nën ndikime edhe politike, sa ma merr mendja që edhe janë zhytur në korrupsion e që e kanë dëmtuar shumë Kosovën, por kjo e ka dëmtuar edhe imazhin e vendeve prej nga vijnë edhe Bashkimin Evropian në përgjithësi, në të cilin qytetarët e Kosovës kanë besuar jashtëzakonisht shumë, ndërsa tash edhe këta gjyqtarë, por edhe këto misione, shikohen me dyshim", u shpreh ai."Por, shpresojmë se në të ardhmen e afërt drejtësia si edhe segmentet e tjera do të marrin një rrugë të mbarë dhe do të vihet në shërbim të interesave të vendit, e kjo do të thotë që të punojnë bazuar në ligjet, në kriteret dhe procedurat që janë në fuqi, e që natyrisht po t'i respektojnë si duhet punën do ta kishim shumë më mirë", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" deputeti nga lëvizja 'Vetëvendosje', Ismajl Kurteshi.  

Reformat nuk patën sukses

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se edhe pas kaq vitesh liri, mbi 18 vjet, dhe 9 vjet pavarësi, fatkeqë- sisht, me gjithë përpjekjet e pamohueshme që janë bërë si nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga institucionet e vendit dhe qytetaria kosovare, ngase të gjithë kanë ndikim dhe mundësi, qoftë për mirë apo për keq, në zhvillimin institucional. Ne nuk kemi arritur ende që të krijojmë një sistem institucional në përgjithësi, pra shtetëror, dhe një shtet efikas e brenda tij as një sistem gjyqësor efikas, të paanshëm dhe me drejtësi jo selektive. "Përkundrazi, të gjitha përpjekjet dhe reformat e pretenduara, veçanërisht ato të bashkësisë ndërkombëtare, gjatë administrimit të UNMIKU-ut, nuk kanë pasur sukses, janë dëshmuar si të gabuara dhe të pasuksesshme, por edhe përpjekjet gjatë kohës prej kur jemi të pavarur e këndej, pra përpjekjet tona institucionale fatkeqësisht nuk kanë rezultuar me një sukses të mirë- filltë, me një konsolidim të sistemit gjyqësor, prandaj pikërisht këto ditë është aktuale biseda që të ketë ndryshim edhe në organet kryesore të gjyqësorit, siç është Këshilli prokurorial dhe ai gjyqësor pikërisht për arsye se nuk ka efikasitet dhe as rezultate", potencoi ai. Sipas Baraliut, ka të meta, devijime dhe gabime të shumta, të cilat po i kushtojnë qytetarëve tanë në realizimin e të drejtave të tyre, por po i kushtojnë edhe shtetit të Kosovës në ngritjen e imazhit, si një shtet funksional dhe si një shtet me sistem të drejtësisë.

Qeveritarët e sabotuan sistemin

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se është evidente se ndërkombëtarëve në vendin tonë nuk u ka konvenuar që të aplikohet ligji, sepse kësisoj ata ishin më të pavarur, më violentë, më arbitrarë e të pakontrolluar derisa sipas tij në anën tjetër as pushtetarëve tanë nuk ju ka përshtatur kurrsesi që të aplikohet ligji pasi, siç tha, 'ujku kërkon mjegull' dhe një numër jo i vogël i personave janë pasuruar në rrethana të tilla turbulente dhe mjegullore gjatë dhe pas luftës dhe kjo në disfavor të parasë e djersës së popullit, derisa sipas tij natyrisht që personave në fjalë nuk u përshtaten absolutisht prokuroritë dhe gjykatat e forta që funksionojnë dhe së këndejmi shumë pasoja të rënda i janë shkaktuar vendit."Ndër të tjera, qeveritarët tanë qëllimisht nuk e kanë kompletuar sistemin e drejtësisë me prokurorë dhe gjykatës dhe kjo për arsyen që ata të mos kenë kapacitete për të funksionuar me efikasitet dhe efiçiencë. Pra, mungojnë prokurorët dhe gjykatësit dhe po asisoj edhe ata që janë në masë të konsideruar janë pasivë, indolentë, nën influencën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, pastaj nuk i zgjidhin lëndët, i zvarritin, i parashkruajnë dhe i zhdukin ato. Prandaj, gjendja është absolutisht e mjerë dhe e disfavorshme që për afro një dekadë shteti ynë nuk ka arritur që të vendosë sundimin e rendit dhe të ligjit", ka spikatur për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka

(Kosova Sot)