Milionat e korrupsionit pastrohen në ndërtimtari

  • 17 February 2017 - 07:48
Milionat e korrupsionit pastrohen në ndërtimtari

Për shumë firma nuk dihet origjina e fondeve investive

Që nga pas lufta e deri më sot, e veçanërisht gjatë 9 vjetëve që kur jemi shpallur shtet sovran, dyshohet se shumica e parave të pista të politikanëve tanë të korruptuar kanë qarkulluar në fushën e ndërtimtarisë. Arkitektë e ndërtimtarë, por edhe analistët e politikës dhe ekonomisë, deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se janë politikanët tanë, të cilët e kanë zaptuar sektorin e ndërtimit dhe atë kryesisht po e bëjnë përmes lidhjeve të tyre familjare apo klanore. Ata thonë se janë shumë kompani të ndërtimit në Kosovë që po e bëjnë pastrimin e parave të politikanëve, duke e parë se ka kërkesa të mëdha për ndërtime, sidomos në Prishtinë, por edhe në qendrat e mëdha komunale. Sipas tyre, ka shumë raste ku ka edhe politikanë nga Shqipëria që po e bëjnë pastrimin e parave përmes ndërtimeve që po bëhen në Kosovë. Arkitekti Ylber Vokshi tha se fusha e ndërtimit ende është në gjendje të mjerë falë mosfunksionimit të shtetit ligjor në vitet e pasluftës në Kosovë. Ndërsa ish-kreu i Shoqatës së Ndërtimtarisë së Kosovës, Nebih Zariqi, pronar i kompanisë " Standard - Group", në një prononcim të mëhershëm rreth kësaj teme, iu është bashkuar shqetësimeve të të gjithëve që flasin për këtë gjendje. Sipas Zariqit, shumica e ndërtimeve në vend, e në veçanti në kryeqendër, po bëhen me para të pista që nuk u dihet origjina dhe pronarët nuk e kanë profesion ndërtimtarinë, por kanë për qëllim vetëm shpëlarjen e parave. "Shumë pronarë të kompanive që punojnë në këtë formë, nuk janë kujdesur shumë për cilësinë e ndërtimit, madje as për obligimet komunale", është shprehur ai. 

Deputetët besojnë se po bëhet pastrim i madh parash

Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) tha se nuk ka dyshim se në fushën e ndërtimtarisë po bëhet pastrim parash. "Kjo është një fushë që është shumë e vështirë të mund të argumentohet. Një gjë tashmë po dihet se fusha e sektorit të ndërtimeve është e zaptuar kryesisht nga politikanët, të cilët përmes lidhjeve të tyre familjare apo klanore po bëjnë pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit", theksoi ai . Sipas Hotit, në opinion me të madhe po flitet se ka shumë kompani të ndërtimit nga Kosova që po e bëjnë pastrimin e parave të politikanëve, duke e parë se ka kërkesa të mëdha për ndërtime, sidomos në Prishtinë, por edhe në qendrat e mëdha komunale. "Po flitet me të madhe se ka edhe politikanë nga Shqipëria që po bëjnë pastrime parash përmes ndërtimeve në Kosovë", u shpreh ai. Sipas tij, këto punë të pista, që po bëhen me pastrimin e parave në ndërtimtari, mund t'i argumentojnë vetëm Prokuroria e Gjyqësia. Ndërsa deputeti tjetër opozitar, Bali Muharremaj (AAK) tha se që nga pas lufta në Kosovë ka mënyra të ndryshme të shpëlarjeve të parasë, ndër këto janë edhe me krijimin e kompanive fiktive për ndërtimet ku kemi parë se në vitet e fundit industria e ndërtimet ka marrë një hov të madh të zhvillimit. "Puna e pistë e shpëlarjes së parave nis që nga koha e projektimit, marrjes së lejeve, si dhe vetë ndërtimit.", tha ai.

Politikanët zgjedhin emra fiktivë

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci tha se sfera e ndërtimtarisë gjithmonë, e në veçanti nga pas lufta, është përdorur për pastrimin e parave, sidomos kur është bërë fjalë për ndonjë person, i cili është familjar me ndonjë politikan apo biznesmen. Ai sqaron se kryesisht kjo dukuri e shëmtuar po ndodh, sepse dëshirojnë që t'u ikin tatimeve, ku pastaj ato apartamente do të shiten me një mesatare prej 50 mijë eurove dhe ku çdo person mund ta ketë mundësinë e blerjes me kesh ose përmes bankave komerciale me këste dhe për disa vjet. "Ka shumë politikanë në Kosovë që kanë ndërtuar objekte nëpër shumë qendra të Kosovës, e veçanërisht në Prishtinë, por problemi është që gjithmonë e bëjnë legjitimitetin e atij objekti që ka ndërtuar në emër të ndonjë personi tjetër që askush nuk e njeh. Prandaj, mendoj se kjo situatë duhet që të trajtohet seriozisht si dhe ndërpritet ndërtimi i egër aty ku nuk duhet", tha ai. Analisti politik, Florim Rrudhani tha se politika qëndron realisht prapa zaptimit të sektorit të ndërtimit, përmes lidhjeve familjare e klanore. "Jam kundër që të përdoret forca në interes kryekëput për familje të vet, kur politika ka shpërlarë paratë përmes sektorit të ndërtimit, për Prishtinë, ku përgjegjësinë kryesore e ka LDK-ja e Kosovës, 90 dosje nga viti 2001 - 2014 vetëm në Prishtinë, dhe Prokuroria hesht, mos të flasim për komunat e tjera ku përgjegjësia bie nga njerëzit e PDK-së-AAK-së", potencoi ai.

Sektor shumë fitimprurës

Analisti Rrudhani tha se sektori i ndërtimit është edhe fitimprurës, prandaj edhe aty qëndron shpëlarja e parave nga skena politike. "Ka shumë deputetë që qëndrojnë prapa blloqeve të ndërtimit në Prishtinë dhe në asnjë mënyrë nuk justifikohet me paga kjo gjë, përveçse me keqpërdorime. Krimi dhe korrupsion politikë strofkën kryesore e ka sektorin e ndërtimit, aty janë paratë e qytetarëve të Kosovës", theksoi Rrudhani. Ndërsa, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori) tha se një pjesë e mirë e ndërtimeve nuk mund të sigurojë dëshminë mbi pronësinë nga pronari, blerësi, konsumatori për arsye të mosrespektimit të procedurave juridiko-ligjore. Ai tha se ka spekulime se 5.000 - 8.000 banesa, kthina, hapësira, lokale, vetëm në Prishtinë janë të gatshme e nuk shiten, sepse ndërtuesit kanë bërë marrëveshje karteli për mosuljen e çmimeve. "Kur jemi te çmimet, duhet thënë se çmimet e një metri katror janë jashtëzakonisht të larta. Krahasoni çmimet në Fushë- Kosovë e Prishtinë", theksoi ai. Kaçaniku tha se të gjitha pretendimet e blerësit, e qytetarit konsumator, e publikut, e opinionit llogariten të sakta dhe të vërteta përderisa sistemi i drejtësisë, organet e shtetit, mekanizmat heshtin. Sipas tij, kjo heshtje edhe më shumë forcon bindjen e tyre për lagje të tëra që ndërtojnë politikanët dhe rrjeti i tyre me bizneset ose " donatorët " e panjohur.

(Kosova Sot)