Akuzat e Speciales mund ta dërrmojnë Kosovën

  • 21 February 2017 - 07:34
Akuzat e Speciales mund ta dërrmojnë Kosovën

Fillimi i marsit dhe prilli i këtij viti pritet të jetë periudha kur Gjykata Speciale për krimet e supozuara të luftës do të mundë të ngritë edhe aktakuzat e para.shkruan gazeta Kosova Sot. Sipas njohësve të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, veprimi i kësaj gjykate mund të jetë me ndikim mjaft rrënues për imazhin e Kosovës, qofshin fajtorë apo jo të akuzuarit e mundshëm. Ky rrezikim i imazhit të Kosovës mund të vijë, sepse akuzat për trafikim të organeve do të marrin vëmendjen e medieve të mëdha ndërkombëtare, të cilat do ta nxijnë imazhin e një shteti të ri në sy të publikut. Ndërkohë, Serbia ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës, por me fajin e institucioneve të vendit ajo nuk u padit për tentim shfarosjen e shqiptarëve dhe dëmeve të luftës afro 100 miliardësh. Profesori i së drejtës, Riza Smaka pohon se formimi dhe funksionalizimi i Kolegjeve Gjyqësore e Prokuroriale apo i Gjykatës Speciale në Kosovë, pashmangshëm, nga fillimi e ka devalvuar prestigjin shtetëror, politik e kulturor të vendit tone. "Apriori, formimi i trupit të tillë të judikaturës ndërkombëtare për krime lufte të supozuara në vendin tonë, imponon një imazh tejet dubioz, negativ dhe dyshues referuar papërfilljes së vlerave elementare të rregullave të luftës e, përgjithë- sisht, të normave morale, juridike si dhe të postulateve metaetike", u shpreh ai.

Pasojat e qeverisjes dhe gjyqësorit të dobët

Sipas Smakës, formimi i trupit të judikaturës ndërkombëtare në fjalë, në masë të konsideruar është pasojë e qeverisjes së dobët, të pavizion afatgjatë dhe të stilit "sot për nesër" apo le të dalë ku të dalë". "Pra, në vendin tonë, së pakut, është dashur që ekzekutivi të propozojë e legjislativi të miratojë dhe vijimisht judikatura vendore të zbatojë infrastrukturën legale referuar krimeve të luftës, tekefundit për t'i përmbushur disa insistime në atë drejtim, të cilat, për ata e ato që kishin vesh, kanë tingëlluar kohë më parë. Aq më parë kur, shtetet përreth vendit tonë, pikërisht ashtu kanë vepruar dhe, ashtu e kanë absolvuar, qoftë edhe formalisht kërkesën e tillë", theksoi më tej Smaka. "Tanimë, veçanërisht pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale në Kosovë, veçanërisht në mediet e shteteve të jashtme përgjithësisht e në ato serbe veçanërisht, temë dite, aktuale, atraktive e intriguese, do të jetë çdo akt prokurorial e më tepër çdo akt gjyqësor kondemnativ! Gjithsesi, pasojat negative do të jenë të dimensioneve të ndryshme, në të gjitha sferat e jetës shoqërore, socio- ekonomike, politike e posaçërisht në relacionet ndërkombëtare të vendit tonë me shtete të tjera", tha prof. Riza Smaka. Sipas tij, proceset gjyqësore që priten të nisen, ndër të tjera, mund të vënë jashtë rendit të ditës çfarëdo pranimi të vendit tonë nga shtete që akoma nuk e kanë njohur për shtet demokratik të së drejtës, të pavarur e sovran.

Goditja e Dik Martit

Rrezikim serioz të imazhit të shtetit të ri nga kjo gjykatë sheh edhe prof. Muhamet Kelmendi. " Kuptohet se me Gjykatën Speciale do të keqësohet shumë gjendja në vend, sepse fillimisht do të ketë pakënaqësi, si në vend dhe në arenën ndërkombëtare, sepse akuzat janë të një përmbajtjeje që tërheq vëmendjen dhe përqendrimin e medieve ndërkombëtare", theksoi ai. Kelmendi thotë se akoma më keq është që Specialja po vjen e miratuar nga vetë Kuvendi, si kërkesë e këtij institucioni të zgjedhur nga populli. "Fakti se tehu i akuzës do të jenë akuzat për "trafikim" të organeve është një problem në vete, i cili ka zgjuar dhe do të rrisë interesimin e medieve ndërkombëtare. Tani fakti i mosakuzës kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë, si dhe për kompensim dhe dëmshpërblim të dëmit material dhe moral, duke ikur Qeveria e Kosovës nga kjo detyrë, e ka rritur interesimin e faktorit ndërkombëtar se mos "ne jemi të përlyer në krim dhe po frikësohemi për të bërë padi". Kjo e bëri të bindur edhe Këshillin e Evropës kur Dick Marti paraqiti raportin mbi "Trafikim të organeve nga ana e ushtarëve të UÇK"-së. Me atë lloj të akuzës u aprovua raporti dhe eci çështja. Tash vazhdon akuza. Si e tillë ajo e ka zbehur dhe do ta zbehë edhe më shumë imazhin e shtetit të Kosovës. Ajo do ta godasë tërë UÇK-në dhe natyrisht edhe popullin tonë, i cili në vitet 1989 - 1999 e përjetoi dhunën dhe gjenocidin më të rëndë në historinë e vet", tha prof. Muhamet Kelmendi. Ai pohon se të dhënat paraprake flasin për një dëm që arrin shifrën e 100 miliardëve. "Dhe, në vend që ne të akuzojmë për gjenocid, po akuzohemi për krime, gjë që kurrsesi nuk i falet pushtetit në Kosovë", vlerëson prof. Kelmendi. Sipas tij, nëse akuzat janë shumë të rënda, pa bërë fjalë për vërtetësinë e tyre, ka mundësi që edhe ndonjë nga njohjet e bëra deri më tani të tërhiqen mbrapa. "Kjo sepse ka mundësi që shtetet ta analizojnë situatën dhe të vijnë në përfundim se ky shtet nuk e meriton pavarësinë. Ky rrezik ekziston dhe kësi shembulli kemi pasur me Tajvanin. Mbi 25 njohje iu kanë tërhequr Tajvanit në 20 vjetët e fundit. Shkaqet janë ekonomike, politike, juridike etj., por tërheqje ka pasur. Tani ky rrezik ekziston edhe te Kosova, ndonëse kam mendim se nga akuzat nuk do të ketë gjë të vërtetë, sidomos për "trafikim organesh". Mirëpo, edhe kjo mjafton për të denigruar dhe për të dëmtuar shtetin tonë. Po mbetemi të shpresojmë se megjithatë nuk do të ecë çështja këndej", tha prof. Muhamet Kelmendi.

Dështimi i padive për gjenocid

Edhe sipas analistit politik Florim Zeqa, ndikimi negativ i akuzave që do ngrihen nga Specialja do të jete mjaft i madh, derisa, sipas tij, dështimi i institucioneve të Kosovës për ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid dhe kërkim të kompensimeve për dëmet e luftës të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit, përveçse i qëllimshëm, është shprehje e pafuqisë dhe mosguximit politik të liderëve shtetërorë. "Nëse Kosova nuk e ka të drejtën, meqë nuk është anëtare e OKB-së (siç mundohen të arsyetohen disa naivë politikë), atëherë një gjë e tillë ka mundur të bëhet në bashkëpunim me Shqipërinë si shtet amë, anëtare e OKB-së me të drejta të barabarta. Sikur Kosova të ngrinte padi për gjenocid ndaj Serbisë, do ta kishte në dorë një adut të fuqishëm dhe do të përmirësonte pozitën e saj disfatiste në bisedimet e Brukselit", ka thënë ai. "Sipas mendimit tim, pengesa kryesore e bartësve të institucioneve tona, për mosngritjen e as një padie të vetme ndaj shtetit serb, është "zënia e bishtit me derë" e krerëve shtetërorë për vepra korruptive dhe kriminale. Më tepër se kaq, as Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion ky i kapur nga politika, nuk ishte në gjendje për këto 9 vjet të iniciojë në padi të vetme për gjenocid kundër shtetit serb",tha Zeqa për "Kosova Sot"

Askush nuk mund të amnistohet nga krimi

Të dëmtuar e shohin imazhin nga kjo gjykatë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e konsiderojnë atë një zgjidhje të imponuar për shkak të mosveprimit të institucioneve vendore. "Gjykata Speciale do ta rrënojë në masë të dukshme imazhin e Kosovës, sepse për disa vjet me radhë do të jetë në fokus të opinionit ndërkombëtar. Gjykimi i kriminelëve të llojllojshëm për lloj-lloj krimesh do të na mbajë në fokus për një kohë të gjatë. Gjykata Speciale ishte një e keqe e imponuar nga agjenturat serbo-ruse,të cilat arritën ta kenë përkrahjen e BE-së për t'i gjykuar njëanshëm krimet e luftës dhe na sollën para aktit që ne vetë ta krijojmë këtë gjykatë, si një e keqe më e vogël krahasuar me atë që mund ta krijonte Këshilli i Sigurimit të OKB-së", theksoi ai. Sipas Salihajt, gjykimi i shqiptarëve për krime lufte i amniston ndërkombëtarisht serbët, të cilët kanë kryer masakrat dhe krimet më monstruoze ndaj shqiptarëve. "Por, nuk duhet amnistuar aspak disa nga individët dhe komandantët e UÇK-së, të cilët, në vend se të luftonin kundër forcave militare e paramilitare serbe, vranë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe shqiptarë atdhetarë.", tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj. Imazhi i dobët, edhe pa Gjykatën Speciale Deputeti Ismail Kurteshi konsideron se imazhi është i dëmtuar që nga momenti kur është pranuar votimi i kësaj gjykate në baza etnike. "Po të kishte pasur Kosova imazh të mirë, Gjykata Speciale e ngritur enkas për shqiptarët që e kanë bërë një luftë mbrojtëse në shtëpinë e vet, do të kishte pësuar rënie të imazhit për faktin që shteti i Kosovës nuk ka qenë në gjendje t'i dënojnë krimet eventuale, nëse ka pasur ndonjë rast të tillë gjatë luftës. Por, në situatën kur Kosova në të gjitha vlerësimet e organizatave ndërkombëtare del ndër vendet më të korruptuara, me krim të organizuar, me papunësi enorme, me cilësi të arsimit më të ulët në Evropë, me shëndetësi të lodhtë për shkak të organizimit të dobët dhe investimeve të vogla. Në këtë situatë vërtet nuk kemi çka të humbim, sepse imazhin edhe pa këtë gjykatë e kemi shumë të ulët", ka thënë ai. "Ikjes së Serbisë nga përgjegjësia e madhe që e ka për krimet, plaçkitjet dhe shkatërrimet që i ka bërë në Kosovë, si dhe përparimin e saj në procesin e integrimit në BE, i ka kontribuar dialogu pa koncept i Qeverisë së Kosovës, nga të cilat ka përfituar ekskluzivisht vetëm Serbia. Zbulimi i ndonjë rasti të izoluar të krimit të luftës nuk e dëmton Kosovën. Kosovën e dëmton përpjekja e Serbisë, nëse arrin, që Luftën Çlirimtare dhe të drejtë të UÇK-së bashkë me shumicën e qytetarëve të Kosovës, ta barazojnë me luftën gjenocidale e okupuese të Serbisë të zhvilluar në truallin e Kosovës", tha deputeti Kurteshi. Ai thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, për krimet që i ngarkohen UÇK-së, e dinë edhe drejtësia, edhe politika e Evropës. Por, ky fakt nuk garanton se Kosovës nuk do t'i bëhet edhe një e padrejtë nga ndërkombëtarët
 

(Kosova Sot)