Na shpërfillën në Komision

  • 21 February 2017 - 07:37
Na shpërfillën në Komision

FLET FITIM HUMOLLI, ANËTARI I DORËHEQUR NGA KOMISIONI I EKSPERTËVE PËR MATJEN E TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Profesor Fitim Humolli, në një bisedë për "Kosova Sot", shprehet se në Komision ka pasur tendencë në instalimin e kritereve kadastrale për përcaktimin e sipërfaqes së Kosovës. Ai shton se Komisioni ka marrë për bazë vetëm dokumente, të cilat kanë qenë me bazë kadastrale.

"Kosova Sot": A ka presion mbi Komisionin që të ngutet me rezultatin e punës?

Fitim Humolli: Nuk ka qenë e shfaqur një formë e tillë e presionit. Tendencë ka pasur në instalimin e kritereve kadastrale për përcaktimin e sipërfaqes së Kosovës

"Kosova Sot": Çfarë dokumentesh ka në dispozicion ky Komision?

Fitim Humolli: Formalisht, Komisioni ka lejuar dorëzimin e dokumenteve të ndryshme, ndërsa faktikisht ka marrë për bazë vetëm dokumente, të cilat kanë qenë me bazë kadastrale ose të mbështetura në këtë bazë kadastrale.
Komisioni për demarkacion nuk ka pasur kritere

"Kosova Sot": Pse asnjë nga kritiket e demarkacionit nuk ishin në Komision?

Fitim Humolli: Unë e di që Komisioni për demarkacion nuk ka pasur kritere, por ka zbatuar një të tillë, ndërsa Komisioni aktual ka zbatuar të njëjtin me disa nuanca të tjera.

"Kosova Sot": Si gjeograf, sa janë përfillur faktet nga Komisioni që bëri marrëveshjen?

Fitim Humolli: Është provuar i njëjti "koncept"

"Kosova Sot": Pse pranuat së pari të jeni pjesë e Komisionit?

Fitim Humolli: Me eksperiencën time nga kjo fushë kam menduar t'i kontribuoj zgjidhjes së këtij problemi.

"Kosova Sot": Çfarë po bënte në fakt ky Komision?

Fitim Humolli: Problemin më të madh e ka pasur në amortizimin e kërkesave të mia dhe disa kolegëve të tjerë të respektuar, të cilët së bashku kemi menduar ndryshe nga pjesa tjetër e anë- tarëve të Komisionit.

"Kosova Sot": Sa u përfillën vërejtjet që janë dhënë për demarkacionin?

Fitim Humolli: Sipas mendimit tim, nuk janë përfillur fare

"Kosova Sot": Çka humbet Kosova, nëse Kuvendi ratifikon marrëveshjen e kontestuar?

Fitim Humolli: Sipas mendimit tim dhe jo vetëm, humb një pjesë të konsiderueshme të territorit.

"Kosova Sot": Ju keni thënë se kadastra nuk duhet të jetë kriter për definimin e kufirit shtetëror, aq më tepër që përmes këtij kriteri Kosova "humb territor të konsideruar". A mund ta shpjegoni pak më shumë këtë, si humb territor Kosova?

Fitim Humolli: Ajo pjesë e territorit të "humbur" nuk është e regjistruar në të dhënat zyrtare të sistemit kadastral të Kosovës. Problemi i mosregjistrimit të këtyre pronave duhet kërkuar në historikun e kadastrës së Kosovës. Pronat e paregjistruara nuk do të thotë se duhet t'i falen shtetit fqinj.

(Kosova Sot)