Zgjedhjet nuk na shpëtojnë nga skema kriminale

  • 21 February 2017 - 07:44
Zgjedhjet nuk na shpëtojnë nga skema kriminale

Apatia qytetare pritet të vazhdojë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kurdo që Kosova do të futet në një proces të ri zgjedhor, duke i munguar dalja në skenë e një alternative të re politike, qoftë për zgjedhjet lokale apo ato qendrore, sipas analistëve, qytetarët do të rrezikojnë të futen edhe në një situatë të re apatie akoma më të thellë. Populli i provoi deri më tani të gjitha partitë dhe realisht as edhe njëra nga këto parti (PDK, LDK, VV, AAK, Nisma, AKR) nuk punuan asgjë për të rregulluar jetën e qytetarëve. Dështimi i tyre është i faturuar si në nivelin komunal, edhe në atë qendror. Edhe financimi i të gjitha partive, pa dallim, përfshirë edhe VV-në në Prishtinë, buron nga nëntoka dhe bizneset e 'Devollëve&Co', që po bën që të gjitha partitë, që po e marrin pushtetin, po punojnë vetëm e vetëm për interesa të nëntokës. Tani pa një alternativë të re politike, sipas analistëve, Kosova do të vazhdojë të mbetet peng i nëntokës, ndërkaq qytetarët të vetmen zgjidhje do ta kenë që të ikin nga Kosova, shtet ky për të cilin sakrifikuan shumë. Sipas analistit politik Ali Hertica, mbetja e të tillëve në pushtet do të ishte tash e tutje një vazhdim i apatisë dhe mosperspektivës qytetare për zhvillim. "Tani qytetarit i duhet një subjekt i ri politik, i duhen fytyra të reja politike, që ta stabilizojnë dhe ta ndihmojnë qytetarin për të jetuar dinjitetshëm dhe shtetin për ta zhvilluar. Nuk është aspak normale, që dikush tani mbijeton me një pagë minimale prej 170 euro, e ndërsa matrapazët e lidhur me oligarkinë politike kriminale shkojnë me paga deri në 6000 euro", është shprehur ai.

Kriminalizimi i politikës

Edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani, pohon se ne mund të kemi një gjendje të njëjtë pa ndryshime në qeverisje efikase, stabile dhe me probleme në zbatim të interesit qytetar, nëse nuk kemi ofertë të re politike. "Pra, me këtë klasë politike opozitë dhe pozitë do të ketë vendnumërim, pra s'do të ketë asgjë më ndryshe, me probleme të njëjta. Tani qytetarët janë ata që duhet të vetëdijesohen për të përkrahur iniciativa të reja, që të binden se duhet një subjekt i ri politik i përbërë nga intelektual dhe klasa e biznesit, për të sjellë ndryshime. Në rast se nuk do të ketë një parti tjetër të re, atëherë gjendja mbetet e pashpresë për ndryshime", tha Blerim Burjani. Politologu Arsim Haziri pohon se është pikërisht ajo apatia sociale ndaj politikës së Kosovës, që nuk e hapi perspektivën. "Sot, pothuaj pjesa dërrmuese e skenës politike është e shpërdoruar dhe e kriminalizuar, secila në ndonjë mënyrë, dhe duke vazhduar nën këtë logjikë është duke bërë që Kosova të mos jetë vend i jetueshëm. Situata e sotshme dhe degradimi i përgjithshëm i vendit u faturohet atyre subjekteve, që udhëhoqën me vendin, dhe që pamundësuan vendin të jetë i lirë në çdo pikëpamje. Ky botëkuptim skajshmërisht ka neglizhuar vendin dhe e ka krijuar perceptimin e përgjithshëm se Kosova, është vend që nuk përmbush as nevojat më minimale për jetë dhe prosperim", tha Arsim Haziri. Ai ka pohuar se aq shumë i është dhënë politikës hapësirë në shoqërinë tonë sa ka ndikuar negativisht edhe tek gjeneratat e reja, të cilat në mungesë të një zhvillimi dhe prosperimi ndihen të obliguar të flasin vetëm për politikë. 

Bllokimi nga oligarkët

Sipas Hazirit, kjo situatë do duhej të merrej me shqetësim. "Ndryshimet në udhëheqjen janë të nevojshme, por pak janë të besueshme se mund të prodhojnë kushte për jetë dhe punë. Sot, besimi qytetar karshi situatës politike është tejet i zbehur, dhe i gjithë ky vlerësim negativ është krijuar pikërisht pse aq gjatë janë në skenë dhe asgjë s'kanë bërë për shtetin dhe shoqërinë", tha Haziri. Ai konsideron se mbi këtë bazë qytetari është i vetmit mekanizëm substancial, që mund të kontribuojë në ndryshimin e situatës së përgjithshme. "Fakti se Kosova është peng i kësaj klase politike edhe më se e vërtetë, mirëpo fakti se vullneti qytetar përbën mekanizmin potencial për reformimin e klasës politike është edhe më e vërtetë. Pra, zgjatja e politikës dhe ndryshimi i situatës politike varet prej vullnetit qytetar. Ndërsa sa i përket financimit të subjekteve dhe mbështetjes së fushatave elektorale është e vërtetë se kjo u ka shërbyer pothuajse gjithë subjekteve politike. Pra, një reformim subjektiv ndërqytetar, për një ndryshim të përgjithshëm politike. Kjo është rruga drejt së cilës mund të garantohet orientimi kredibil për shtet të mirëqenies dhe ligjit", tha politologu Haziri. Perspektivën e daljes në skenë të një subjekti të ri politik e sheh të bllokuar nga oligarkia kriminale analisti Jeton Kelmendi. "Në Kosovë është krijuar një situatë e keqe politike. Partitë politike kanë krijuar rrjetet e tyre të krimit dhe gati të gjitha partitë politike kanë edhe mekanizma parapolitikë, të cilët i mbajnë njerëzit në pushtet. Është vështirë të thyhen këto parti, sepse kanë burime të majme financiare dhe përveç pjesës militante, që kanë partitë si elektorat tradicional, këto struktura drejtuese të partive kosovare punësojnë njerëz nëpër institucione publike, kanë edhe lidhje me biznesmen, ku liderët u japin tenderë bizneseve, ndërsa bizneset ua japin paratë partive", u shpreh Kelmendi
 

(Kosova Sot)