Drejtësia e kapur, mburojë e oligarkëve të biznesit

  • 21 February 2017 - 07:50
Drejtësia e kapur, mburojë e oligarkëve të biznesit

Kosova përballet me pabarazi të thella ligjore e biznesore,shkruan gazeta Kosova Sot.

Po bëhen 18 vjet që nga paslufta e deri më sot që kur në Kosovë është krijuar një bashkëjetesë në heshtje në mes të drejtësisë së korruptuar dhe bizneseve monopoliste dhe këta të fundit nuk preken, për shkak të fuqisë së madhe ekonomike dhe ndikimit të madh politik që ka në të gjitha sferat e pushtetit. Analistë të ekonomisë dhe specialistë të kësaj fushe janë të mendimit se kjo aleancë e mafio-politikanëve dhe mafiobizneseve është shndërruar në një burim të të gjitha të këqijave që e kanë kapluar vendin. Sipas tyre, fajtor është vetë sistemi politik që e ka bërë sistemin e drejtë- sisë të jetë i varur nga politika, ku nuk preken të pushtetshmit e ekonomisë dhe të cilët diktojnë jo vetëm drejtësinë, por edhe politikën. Shih për këtë analistët janë të mendimit se kjo që po ndodhë nga politizimi i gjykatave në vendin tonë po vazhdon të dëmtojë bizneset. Ata thonë se imazhi aktual i sistemit të drejtësisë konsiderohet të jetë një pengesë për tërheqjen e investitorëve të huaj. Analistët sugjerojnë se Kosova ka shumë nevojë për reforma të thella në sistemin politik dhe atë juridik, në mënyrë që bizneset e mëdha të mos ndikojnë në këto sisteme. Ata thonë se kemi një sistem të drejtësisë të korruptuar nga oligarkët e fuqishëm ekonomikë, por mbrapa këtyre kapitalistëve të mëdhenj qëndron politika.

Rastet e rënda anashkalohen

Bankieri Milazim Abazi tha se Kosova ka shumë nevojë për reforma të thella në sistemin politik dhe atë juridik, në mënyrë që bizneset e mëdha të mos ndikojnë në këto sisteme."Kështu siç është sot, pa asnjë dyshim, bizneset e mëdha nëpërmes politikës po ndikojnë edhe në drejtësi dhe në këtë mënyrë po krijohet pabarazi e theksuar ligjore dhe juridike", u shpreh ai. Sipas analistit Abazi, për këtë arsye sot kryesisht ndiqen rastet e vogla korruptive, siç ishte rasti i 57 policëve të trafikut, sa për të bëre një zhurmë mediatike, ndërsa rastet e mëdha lihen anash dhe nuk gjykohen asnjëherë ose mbyllen heshtazi. Eksperti i integrimeve evropiane për fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, tha se çdo favorizim që bëjnë gjykatat ndaj bizneseve që tentojnë të krijojnë monopole e dëmtojnë rëndë ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe njëkohësisht kjo situatë krijon një pasqyrë të keqe për biznesbërjen në Kosovë, gjë që krijon efekte negative në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Sipas Shaqirit, Qeveria duhet të insistojë në mënyrë decidive në ruajtjen e një konkurrence të drejtë për të gjitha bizneset. Ai tha se politizimi i gjykatave në vendin tonë po vazhdon të dëmtojë bizneset.

Kriza e besimit në sistemin e drejtësisë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha se drejtimi i deritashëm politik e ka degraduar qëllimin tonë të përbashkët për sistem të mirëfilltë politik. "Kemi dëmtim të demokracisë, ngulfatje e iniciativave të lira, degradim të sistemit juridik, ekonomik dhe pabarazia para ligjit e kanë bërë qytetarin e Kosovës të mos ndihet mirë dhe pjesa dërmuese e njerëzve, e sidomos tek të rinjtë, ku me të mëdha dëshirojnë të largohen nga vendi", potencoi ai. Neziraj tha se nëse nuk do të bëjmë ndryshime të shpejta në politikën tonë që do të siguronte një luftë të pakompromis ndaj të këqijave, perspektiva ekonomike e vendit vetëm sa do të  përkeqësohet. Sipas tij, sistemi politik në vend duhet të jetë mburojë për sistemin juridik të pavarur, por deri më tani për vite me radhë kemi një pabarazi para ligjit që është bërë shkaktar i degradimit të sistemit ekonomik të Kosovës."Sistemi i Drejtësisë në Kosovë përcillet me mungesë të besimit dhe profesionalizmit me ndërhyrjet të shpeshta nga pushtetarët për interesa individuale. Në vendin tonë të gjitha institucionet e shtetit duhen që të jenë në funksion të mbrojtjes së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik e jo vetëm të ketë favore për biznesmen që janë të lidhur me politikën e sotme", tha ish-deputeti Xhevdet Neziraj.

Nëntoka qeveris

Njohësi i kësaj fushe, Florim Rudhani, tha se janë bashkëjetesa e drejtësisë, politikës dhe monopolet e bizneseve të mëdha, indikatorët kryesorë që e kanë zhvatë paranë publike, sepse kemi një sistem të drejtësisë të korruptuar nga oligarkët e fuqishëm ekonomikë, por mbrapa këtyre kapitalistëve të mëdhenj qëndron politika."Sistemi politik është sistem parlamentar, pra Parlamenti e nxjerrë edhe Qeverinë, Presidentin", tha ai. Rrudhani më tej u shpreh se në letër është mirë sistemi politik në Kosovë, prandaj kërkohet përgjegjësi nga skena politike në luftimin e bandës kriminale, e cila ka kapur çdo institucion të Republikës së Kosovës: drejtësinë, arsimin, ekonominë, shëndetësinë."Të gjitha këto dikastere i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe social për të gjithë, këto janë infuzioni i një shteti zhvillimor". Rudhani tha se skena politike e kapur nga bandat e nëntokës i ka rrënuar këto dikastere thelbësore për një shtet ligjor, funksional dhe mirëqenie për të gjithë."Janë politikanët që i kanë krijuar këto banda monopolesh nga kapitali i tyre i madh, që edhe janë të pafuqishëm të luftojnë, por edhe të korruptuar, sepse janë të instaluar nga politika në pozitat e tyre në të cilën janë akoma", potencoi ai."Nëse e shikon skenën politike nuk ka ndryshuar për 17 vjet, njerëzit e njëjtë, veçse nëpër detyra të ndryshme institucionale dhe po kjo skenë politike e ka tkurrë paranë publike dhe ka shpërlarë nëpër këto biznese të mëdha dhe nuk duhet realisht të presim nga këta politikanë që të luftojnë korrupsionin, sepse do t'i bie që po e luftojnë vetveten e tyre", tha Rrudhani. Sipas tij, gjeneratat e reja të edukuara mirë me integritet dhe kredibilitet duhet që të vendosen në politikat vendimmarrëse, po këtu vendos qytetari me votën e tij.

Konsumatorët e shkelur

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha se kemi të bëjmë me një lloj të "privatizimit" të institucioneve e mekanizmave të shtetit, por pa konkurs, pa paralajmërim, pa transparencë, sipas modelit klanor-fisnor që është model i punës mafioze."Kjo trajtë përdoret edhe me rastin e vendosjes dhe emërimit të menaxhmenteve e bordeve të ndërmarrjeve publike, të agjencive e mekanizmave të ndryshëm. Partitë politike dhe institucionet politike e shtetit duke i përzgjedhur militantët partiakë sipas logjikës së tyre, të meritës dhe meritokracisë, nuk kujdesen për kompetivitetin etiko-profesional e me ekspertizë të duhur, as për kënaqshmërinë e qytetarit konsumator taksapagues, të cilit i shërbejnë të gjitha administratat, NP-të e agjencitë, mekanizmat", theksoi Kaçaniku. Ai tha se këto shtrirje vazhdojnë më tutje dhe arrijnë edhe deri te bizneset, mes të cilave parapolitika ka krijuar monopole, oligopole, kartele të fuqishme, të cilat dominojnë edhe në politikë, edhe në institucione, edhe mes mekanizmash, edhe mbi bizneset e vogla, posaçërisht mbi qytetarin konsumator takspagues."Këto veprime joinstitucionale, jashtë normave, praktikave e mandateve etiko-profesionale, administrativo-juridike e ligjore, na sqarojnë se para vetes kemi vetëm ambalazhin e partive politike dhe të institucioneve të shtetit, ndërsa në brendinë e tyre kemi struktura parapolitike, kemi pushtet paralel, kemi logjikë mëhallësh e primitivizmash, të cilat e kanë për qëllim pasurimin partiak, grupor e individual", theksoi Kaçaniku. 
përkeqësohet. Sipas tij, sistemi politik në vend duhet të jetë mburojë për sistemin juridik të pavarur, por deri më tani për vite me radhë kemi një pabarazi para ligjit që është bërë shkaktar i degradimit të sistemit ekonomik të Kosovës."Sistemi i Drejtësisë në Kosovë përcillet me mungesë të besimit dhe profesionalizmit me ndërhyrjet të shpeshta nga pushtetarët për interesa individuale. Në vendin tonë të gjitha institucionet e shtetit duhen që të jenë në funksion të mbrojtjes së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik e jo vetëm të ketë favore për biznesmen që janë të lidhur me politikën e sotme", tha ish-deputeti Xhevdet Neziraj.

 

(Kosova Sot)