Çfarë thotë Edi Rama për Princ Vidin!

  • 21 February 2017 - 22:20
Çfarë thotë Edi Rama për Princ Vidin!

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot Princ Vilhelm Vidin dhe Karli I Anzhu, të cilët në 21 shkurt u pranuan si sovranë nga shqiptarët në dy periudha të ndryshme historike.

AMARCORD

Kjo foto tashmë e mirënjohur, paraqet dërgatën e fisnikëve shqiptarë rreth Princ Vilhelm Vidit, më 21 shkurt 1914, pasi ky i fundit pranoi zyrtarisht prej tyre lutjen për t'u bërë sovrani i një Shqipërie zyrtarisht e sërish të pavarur.

Sërish, do të thotë, në reminishencë të 21 shkurtit të 1272, këtu e 745 vjet më parë, kur mbreti i Siçilisë dhe Jeruzalemit, Karli I Anzhu, vëlla i Shën Luigjit IX, mbret i Francës, u pranua nga baronët dhe zotërinjtë shqiptarë si sovran i atij entiteti që prej asaj date hyri në diplomatiken ndërkombëtare si Regnum Albaniae, Mbretëria e Shqipërisë. Aktet e moçme mesjetare përkatëse u transliteruan për publikun e gjerë nga i madhi Milan Sufflay në vëllimin e parë të Acta et Diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, botuar në Vienë më 1913.

Nuk dihet se sa ky fakt ka ndikuar në përzgjedhjen e datës së "kurorëzimit" të Princit Vilhelm, i cili me Anzhuinët kishte të përbashkët edhe Durrësin, kryeqytet i të dy mbretërive.

Çka është e sigurtë është se ambienti i shkallëve të nderit në kështjellën e Neu-Wied ku është shkrepur kjo foto, i harruar prej dekadash, u rishfaq krejt papritur dhe krejt i paprekur në një nga skenat e filmit Grand Budapest Hotel, të Wes Anderson, më 2014, frymëzuar nga vepra e Stefan Zweig dhe vlerësuar me çmimet më prestigjoze ndërkombëtare.

(Kosova Sot)