Thaçi strehon te Rama ish-njeriun e tij në Dogana

  • 24 February 2017 - 08:04
Thaçi strehon te Rama ish-njeriun e tij në Dogana

Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, i afërt me 'Devollët', këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Ditë më parë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, e ka emëruar Lulzim Rafunën, ish-drejtorin e Doganës së Kosovës, si këshilltar për tatime dhe doganë. Rafuna ka qenë shumë i afërt me oligarkët 'Devolli', por edhe i besuar i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në reagimet e njohësve të ekonomisë dhe fushës së financave, theksohet se emërimi i Lulzim Rafunës si këshilltar i Edi Ramës më në fund po shpërfaq lidhjet që i kanë treshja e famshme, e oligarkëve 'Devolli' me kryeministrin Rama dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe interesat e tyre të përbashkëta të inkriminuara. Sipas analistëve, emërimi i drejtorit të ri të Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, me asistencë të kompanisë britanike i përkrahur nga ambasada Britanike e së fundi edhe nga Ambasada Amerikane e ka trazuar dyshen e inkriminuar Thaçi-Rama dhe oligarkët 'Devolli'. Deputeti i opozitës Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha se vetë fakti se për këshilltar të Edi Ramës më herët ka shkuar një personalitet si Shkëlzen Maliqi kjo nuk do koment. "Ndërkaq, edhe emërimi i Lulzim Rafunës në këtë post po tregon se klasa politike e Kosovës është për një vazhdimësi të rrugës së keqe që është nisur nga andej kufirit. Së këndejmi mendoj se emërimi i Rafunës në postin e këshilltarit të Edi Ramës është forcim i lidhjeve të mafiozëve në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar", tha Hoti.

Bartja e përvojës së paligjshmërisë

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, tha se në pamje të parë emërimi i ishdrejtorit të Doganave të Kosovës është një shkëmbim i përvojave. "Në mjedisin faktik të Ballkanit kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Në një mjedis me shkallë shumë të lartë të korrupsionit dhe të lidhjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë me krimin nuk kërkohet njohuri dhe përvoja profesionale, kërkesa është për njohuri dhe përvoja të shmangies së zbatimit të ligjit", u shpreh ai. "Në mjediset ku zotëron lidhja e krimit me zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, janë vetëm individët e përzgjedhur që mund të janë të besueshëm për kryerje të transaksioneve me bazë kriminale. Se çfarë profili ka pasur ish-drejtori i Doganave të Kosovës kuptohet nga presioni rreth emërimit të drejtorit të ri të Doganave të Kosovës", ka thënë ai. Analisti Meha potencoi se ky nivel i presionit në fakt është nivel i presionit të krimit mbi institucionet e shtetit për mos-përzgjedhje të individëve zbatues të ligjit në krye të institucioneve me interes të lartë shtetëror. "Ish-drejtori, sigurisht se paska demonstruar specializim të shkathtësive për punë në kushtet e nivelit të lartë të moszbatimit të ligjit", vijoi më tutje Meha. "Bartjen e këtyre përvojave tek shteti tjetër po e shoh si një lloj internacionalizimi të këtyre përvojave, një lloj vazhdimi i praktikave të "zhvillimit te internacionalizmit proletar" që e kishim dikur", tha ai.

Mafia kontrollon shtetin

Analisti Dardan Grapci tha se " me këtë marrëveshje haptas po deklarohen kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me kompaninë 'Devolli', duke i treguar popullit që mafia e ka në dorë shtetin e jo shteti mafinë", u shpreh ai. "Populli është duke u varfëruar, dhe janë duke jetuar ndoshta edhe me 1 euro në javë, prandaj duke e parë gjendjen dhe shoqërinë civile se si po heq keq nga ana ekonomike , nuk është edhe larg ndonjë trazirë apo protestë e dhunshme", tha Grapci.

Oligarkët, të fuqishëm në Kosovë e në Shqipëri

Analisti Florim Rudhani tha se ky emërim i Rafunës dëshmon shumë se oligarkët janë të fuqishëm si në Kosovë gjithashtu edhe në Shqipëri, për shkak të politikës së korruptuar dhe të involvuar direkt apo indirekt në afera të ndryshme kriminale. "Presidentit iu mbyll dera që të vendosë njeriun e vet nga Ambasada Britanike dhe ajo Amerikane. U demantua Thaçi me letrën e tij drejtuar kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veselit, që kinse u shkel ligji", tha ai. "Po tash paskemi emërimin nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si këshilltar për dogana dhe tatime të Lulzim Rafunës ish-drejtorin e Doganave së Kosovës. Kjo po tregon interesat e përbashkëta personale që kanë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama", potencoi ai. "Synimi i tyre është i qartë - importet e prodhimit të jenë në duart e këtyre personave dhe krimit të organizuar", u shpreh më tej ai. Sipas Rrudhanit, emërimi i drejtorit të Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, me asistencë të kompanisë britanike e përkrahur edhe nga Ambasada Amerikane kanë goditur strofullin e lulëzuar kriminal të Ramës-Thaçit dhe oligarkëve tani të kriminalizuar. "Shoqëria duhet ta përkrahë këtë iniciativë britanikeamerikane dhe të jemi falënderues që po na ndihmojnë në luftimin e vërtetë të krimit dhe korrupsionit të organizuar, sepse vetëm këto shtete mund të shkapin kapjen e shtetit nga kjo mafi politike, nuk mund të pres shkapje nga kjo skenë politike që kanë bashkëjetuar me krimin dhe korrupsionin do të ishte naivitet i madh", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)