Shpend Ahmeti fundos VV-në në Prishtinë

  • 25 February 2017 - 08:28
Shpend Ahmeti fundos VV-në në Prishtinë

PASOJAT POLITIKE TË DËSHTIMIT TË NJË KRYETARI

Modeli i Prishtinës, katastrofal për Lëvizjen

"Deliri që kapi VV-në, që me marrjen e pushtetit në Prishtinë dhe pompimi, që segmente të caktuara i dhanë Shpend Ahmetit, mbase me pretendimin që ta vendosnin atë në epiqendrën e zhvillimeve në 'Vetëvendosje' ishin dy goditjet që prodhuan një pushtet lokal të pasuksesshëm përmasash të pritshmërive qytetare, andaj sot edhe një xham autobusi u vjen si argument për të ngjallur luftën politike", thekson Baton Dushi, nga Nisma për Kosovën, dega e Prishtinës

Derisa po afron fundi i mandatit të pushtetit lokal në nivel vendi dhe subjektet politike po përgatiten për zgjedhjet e rregullta lokale në vjeshtën e këtij viti, pa e përjashtuar edhe opsionin befasues të zgjedhjeve qendrore, fokusi i vlerësimit është përqendruar në qeverisjen komunale të Prishtinës, e vetmja mundësi e sprovimit me pushtet që i është dhënë lëvizjes 'Vetëvendosje'. Është një konstatim që i bëhet këtij mandati qeverisës, si nga opozita komunale e Prishtinës, por edhe nga analistët politikë, se qeverisja e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin ishte dhe po përfundon si një qeverisje Haxhi Qamiliste, për përgjegjësinë NUL ndaj qytetarit. Qeverisja e Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut po i zhgënjen edhe aleatët e dikurshëm të VANit, të cilët nuk mund t'i mbyllin sytë përballë kësaj qeverisjeje tepër të çoroditur, që nuk punon për interesa të qytetarëve, por vetëm për interesa personale dhe puro-korruptive e kriminale. Nga kjo qeverisje tani prej gati 4 vitesh, qytetarët e Prishtinës kanë fituar një pushtet prej kaubojsh kërcënues e të neveritshëm në kryeqytet. Vlerësohet se qeverisja e Shpend Ahmetit po i jep një fund me "vetë- fundosje" të VV-së si një udhëheqje e dështuar në Prishtinë, duke u bërë shembull për keq edhe në komunat e tjera dhe do të mbetet pa asnjë shans tjetër, edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Mashtrimi me projektet

Lirije Avdiu, asambliste nga radhët e PDK-së, thotë se fitorja e VV-së në këtë mandat që e mori afro katër vite më parë, është ndër fatkeqësitë më të mëdha të kryeqytetit që kanë ndodhur në rrafshin politik ndër vite. "Në kohën kur qytetari i Prishtinës kishte pritje dhe besim maksimal, që gjërat do të merrnin kah tjetër, dhe do të përmirësoheshin, ndodhi që vetëm u keqësuan, punësimet partiake korrupsioni, veprimet e kundërligjshme, dhënia e lejeve të ndërtimit në mënyrë shumë selektive vetëm për përkrahësit e tyre, punët e kota që shiteshin sikur të ishin punë që po na e shpëtonin jetën u bënë prioritetet dhe metoda e punës së kësaj qeverisjeje", tha Avdiu. Ajo përmendi platonë e Kurrizit, rruga 'Luan Haradinaj', që gjoja po shtroheshin, por mbetën rrëmujë dhe kurrë nuk u përmendën, e çka është më e keqja vetëm pak më tej rrugës 'Luan Haradinaj' ose edhe pas ndërtesave janë balta, pluhuri e mbeturinat që po ua zinin frymën qytetarëve, ndërkaq për ndriçim, gjelbërim e të tjera as që bëhej fjalë. "E ku ishin pastaj rrugët e lagjeve më periferike ose fshatrat që as kushtet bazike nuk i kanë.... Pra, tendenca ishte që me dy tri të bëma të mbuloheshim mosbëmat që ishin premtuar po ashtu edhe keqpërdorimet. Të njëjtën kohë në maksimum përpiqeshin të reflektonin si të ishin bllokuar nga kuvendi, me skenar pas skenari bënin që mbledhjet të dështonin, në mënyrë që t'i iknin ballafaqimit me të zgjedhurit e qytetarëve. Dhe pa asnjë ndryshim po vazhdojnë tani me avazin e njëjtë", tha Avdiu. Ajo ka pohuar se tani vetëm kanë ndërruar elementët e manipulimit të opinionit. "Le t'ua përkujtoj dikush që autobusi si mjet transporti nuk është shpikje e tyre, as autobusët e blerë nuk janë dhuratë e tyre për trafikun urban. Janë një blerje me një kredi për të cilën ka garantuar Kuvendi komunal, Ministria e Financave, Kuvendi i Kosovës dhe është nënshkruar nga presidenti i Kosovës, e ndërkaq fatura është e qytetarit. Kështu që le të mos na neveritin më shumë me pretendimin që e kanë bërë namin", është shprehur asamblistja Avdiu për "Kosova Sot".

Qytetarët po keqtrajtohen

Baton Dushi, nga Nisma për Kosovën, dega e Prishtinës, zbulon një mal dështimesh dhe shkeljesh ligjore nga qeveritarët e tanishëm të Prishtinës dhe është i sigurt që të gjitha këto qytetari do t'ia faturojë 'VETËVENDOSJES' me ndëshkim vote në zgjedhjet e radhës, lokale e qendrore. "Radhët nëpër sportele, fodullëku i shërbyesve të administratës, linçimi i qytetarëve me mosdhënie shërbimesh si dënim mungesash në pagesa të ndryshme e jashtë fushës së një zyrtari sportelist, bjerrakoha e pushtetit lokal me çështjet e pushtetit qendror dhe mangësi, që kjo ndërmarrje i prodhon për detyrat e marra me mandatin qeverisës lokal etj. Janë dhe do të mbeten probleme që do t'i vuajë qytetari dhe qyteti. Është koha e fundit të themi se duam një Prishtinë ndryshe. Këtë nuk po ngurron ta thotë askush si nomenklaturë në ardhje, por po ngecë secila në realizim. Ne duam të besojmë në vete se mund ta bëjmë kryeqytetin të besoj në veten e tij dhe të ofroj nuancat e një metropoli, dhe pse modest për shkak të kushteve që kemi mendësisë që prodhuan tjerët", tha Baton Dushi për 'Kosova Sot'. Sipas tij, ndëshkimi këtë qeverisje po e pret mbi kokë, ngase zgjedhjet janë afër. "Ne tani jemi futur në vitin e fundit të mandatit qeverisës për pushtetin lokal dhe pa dyshim se në nisje të këtij mandati që po mbaron, kemi qenë shpresëplotë se e kishim hedhur pas shpine praktikat fodulle të një përgjegjësie NUL, që kishte mbjellë jetëgjatësia pushtetore lokale, siç mund të themi e një qeverisjeje me duar në xhepa. E përkrahëm ndryshimin atëherë për shumë gjëra ndryshe: të mos vuante qytetari sporteleve të shërbimit komunal, si për shembull ai as sot nuk e regjistron dot makinën për mungesën e ndonjë, pagese tatim prone a cilitdo obligim tjetër. Ky është një trajtim mizor brenda shtetit ligjor, të cilin thirremi ta respektojmë. Kjo masë dënimi nuk duhet të jetë në duart e zyrtarëve komunalë askund sporteleve të shërbimit. Janë institucionet përgjegjëse ato që janë të thirrura dhe rrugët ligjore, të cilave qytetari domosdo se duhet t'u përgjigjet. Në të kundërtën sportelistët komunalë shndërrohen në kaubojt e një perëndimi të egër, të cilin menduam se e kishim hedhur pas shpine që në mundjen e LDK-së, i cili vinte me mendësinë e një administrate të shkuar jugosllave", theksoi ai.

Ndryshimi nuk ndodhi

Dushi tha se NISMA si parti e strukturuar së voni vjen me qasje krejt njerëzore edhe në kritikën e saj. "Kemi zgjedhur të jemi në anën e qytetarit, ndaj u shkojmë halleve të tij. Neve nuk na vjen mirë dhe s'kemi pse të heshtim, kur qytetarët bëhen pre e pritjeve sporteleve, kur ata nuk marrin shërbimet në kohë dhe përmasë të kënaqshme. Fundja politika dhe administrata janë aty për qytetarin. Pritshmëria jonë ka qenë më e madhe dhe tashmë mund të themi se nuk është bërë mjaftueshëm. Deliri që kapi VV-në që me marrjen e pushtetit në Prishtinë dhe pompimi, që segmente të caktuara i dhanë Shpend Ahmetit, mbase me pretendimin që ta vendosnin atë në epiqendrën e zhvillimeve në 'Vetëvendosje' ishin dy goditjet që prodhuan një pushtet lokal të pasuksesshëm përmasash të pritshmërive qytetare, andaj sot edhe një xham autobusi u vjen si argument për të ngjallur luftën politike", u shpreh ai. "Shoqëria në vetvete ka inercionin drejt zhvillimit dhe përparimit të frymës njerëzore dhe ajo ka sjellë ca të mira edhe në këtë mandat si kiflet a qumështi nëpër shkolla, por kryeqyteti kishte nevojë për kryetarin në 100% të tij angazhues. Zgjedhjet qendrore sigurisht se kanë specifika të tjera dhe ndoshta kryetari ynë i kryeqytetit i ka hedhur spirancat drejt Parlamentit, por para se ta ankorojë anijen e dëshirave të tij politike, duhet të mbyllë llogaritë e ofertës që bëri për pushtet bërjen lokale para 3 vitesh, dhe në funksion të mbylljes së mandatit të bëjë detyrat e shtëpisë. Me një fjalë qytetarët nuk kanë marrë pushtet bërjen e ndryshimit çfarë dhe kanë synuar me bashkimin e tyre kundër dekadës së keqe drejtuese të LDK-së me kryeqytetin", pohon Baton Dushi për "Kosova Sot". Imitimi i qeverisjes qendrore Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se qeverisja e kryeqytetit nuk dallon shumë nga qeverisja qendrore. "Pushtetarët në Komunën e Prishtinës i kanë tejkaluar të gjitha parashikimet e banorëve të kryeqytetit, të cilëve u kalon koha duke pritur sporteleve për rregullimin e dokumentacionit, duke filluar nga nxjerrja e dokumenteve personale e deri tek lejet e ndërtimit, të cilat për shumëkë janë bërë 'mollë e ndaluar' shkaku i kapadaillëkut të pushtetarëve të papërgjegjshëm dhe procedurave të stërzgjatura burokratike", theksoi ai. "Një situatë e tillë i ka neveritur tejmase edhe aleatët e dikurshëm të VANit, të cilët nuk po mund t'i mbyllin sytë edhe më tutje ndaj një qeverisjeje të çoroditur dhe infektuar nga virusi kancerogjen i korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik. Pushtetarët e Prishtinës, në mungesë të përmbushjes së premtimeve elektorale ndaj qytetarëve dhe në mungesë të sukseseve në qeverisje, pa ndonjë arsye kapen edhe pas një xhami të thyer autobusi nga persona të paidentifikuar", është shprehur ai. "Me këtë logjikë qeverisëse, VV-ja përveç humbjes së sigurt të Prishtinës, do të hyjë në zgjedhjet lokale të vjeshtës me gjasa minimale për të fituar ndonjë komunë të vogël në Kosovë, e të mos flasim për zgjedhjet qendrore, në të cilat do të kënaqet me sfilatën zgjedhore, pasi për marrjen e pushtetit qendror, për të mos thënë të pamundur, gjasat i ka tepër të limituara", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Mungon alternativa e duhur

Sipas Blerim Burjanit, derisa e kemi këtë vit të ri zgjedhor, edhe qytetari duhet të vlerësojë mirë e me kujdes dhe të matet seriozisht se kujt duhet dhënë votën. "Kjo është pozitive që ka mundësi që qytetarët me votën e tyre të vendosin vetë për kë dëshirojnë të votojnë dhe të bëjnë ndryshimin, nëse veç ata mendojnë se duhet ndryshuar qeverisja. Një çështje është e dukshme se qytetarët nuk kanë akoma alternativë të duhur politike as në Prishtinë, e për fat të keq akoma as për nivelin qendror", u shpreh ai. Sipas Burjanit, këta të gjithë u sprovuan, vetëm se ai subjekt politik që nuk e kishte deri tash kryetarin e komunës është PDK-ja. "LDK-ja ka stazhin më të gjatë të qeverisjes në Prishtinë dhe rezultati është ky që shihet përplot me situata kaotike, pa kadastra dhe me skica kadastrale, ku shumë prona janë shitur edhe blerë pa kadastër, me skica pa fuqi ligjore, që janë të viteve 1952 e plot gjëra të tjera. Tani mendoj se të gjitha këto shitje dhe blerje të pronave dhe uzurpimeve publike të tokave duhet të hetohen, ku del se janë shitur edhe rrugët publike në komunën e Prishtinës", theksoi ai. "Një segment tjetër është edhe me leje të dyshimta që janë dhënë për ndërtime. Sidoqoftë dhe tani me ardhjen e 'VETËVENDOSJES' situata nuk ka ndryshuar", potencoi Burjani.

(Kosova Sot)