Bashkimi doganor i Vuçiqit fuqizon oligarkët e importeve nga Serbia

  • 28 February 2017 - 07:34
Bashkimi doganor i Vuçiqit fuqizon oligarkët e importeve nga Serbia

Së pari të hiqen doganat ndërmjet shteteve të shqiptarëve

 Propozimi i dhënë kohë më parë nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, për të themeluar një bashkim doganor të Ballkanit, nga ana e ekspertëve të ekonomisë dhe specialistëve të kësaj fushe, konsiderohet të jetë një grackë e palës serbe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Ata janë të mendimit se një Union doganor nënkupton që të gjitha vendet e Ballkanit të funksionojnë si një bllok i vetëm ekonomik (konfederal, i ngjashëm me atë të vitit 1946, nga serbët dhe Titoja), duke u shndërruar në një treg të vetëm, por në këtë rast tepër të dëmshëm për shqiptarët. Ndërkohë që ekspertët janë të mendimit se përfituesi më i madh do të jetë vetëm Serbia, për shkak të eksporteve të mëdha që ka aktualisht mbi 17 vjet në drejtim të Kosovës dhe të rritjes së eksporteve të Serbisë në Shqipëri. Ndaj analistët vlerësojnë se miratimi apo nënshtrimi e Qeverisë shqiptare ndaj propozimit të Vuçiqit është dëmi më i madh që u bëhet ekonomive shqiptare në të dyja anët e kufirit dhe vetëm në favor të Serbisë. Sipas ekspertëve edhe më i dhimbshëm se kjo është fakti se Serbisë armiqësore, gjenocidale e vrastare, po i mundësohet nga një grusht mafiozësh (ish-UDB-ashë), të inkriminuar në Prishtinë dhe në Tiranë, të cilët kanë blerë e korruptuar majat e të dy qeverive, me qëllimin e vërshimit të mallrave serbe nën standardet e EU-së, që po rrezikojnë shëndetin, siç janë gruri e mielli serb me vetëm 8 -9 për qind proteina ( pa jod dhe hekur), sikur edhe me gamë të tjera të produkteve që prodhohen enkas dhe vetëm për tregun kosovar ose mbarshqiptar me cilësi të dyshimtë. Analistët thonë se këtu bëjnë pjesë shumë artikuj ushqimorë në gjendje të lëngët dhe të fortë, mandej janë edhe produkte të naftës e derivateve të saj nga rafineritë në Serbi dhe Rusi, sikur edhe produktet e Rusisë, të stacionuara në Serbi.

Biznesi qindra-milionësh

Analistët thonë se eksporti i Serbisë në Kosovë gjatë një viti sillet mbi 500 milionë deri në 700 milionë euro në vit, sikur edhe plus rreth 200 milionë euro që futen në të zezën ose kontrabandë, derisa në tregjet shqiptare Serbia eksporton mbi 1 miliard euro. Sipas analistëve, një grusht mafio-oligarkësh të inkriminuar të politikës e të biznesit të pistë për çdo vit po dërgojnë 1 miliard euro të qytetarëve shqiptarë për të financuar ndërtimin, zhvillimin e prodhimin në Serbi, ndërkaq që Kosovën dhe Shqipërinë e bllokojnë duke e mbajtur pa zhvillim ekonomik dhe në varfëri, gjithçka duke shfrytëzuar qeveritarët (edhe majat e tyre) në Prishtinë e në Tiranë. Analistët dhe ekspertët pajtohen me vlerësimin se e tëra kjo po bëhet me organizim perfekt, të dyshuar si kriminal, nga qeveritarët tanë kosovarë e shqiptarë, siç janë "Devollët", që prijnë në ushqimore, pastaj kompania "Elkosi", që është në pronësi të zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, por edhe disa kompani oligarkike që importojnë për çdo vit më shumë se nga 3500 cisterna, deri në 5000 cisterna, me derivate nafte në vit, me dokumente dhe letra të rregullta, pa llogaritur këtu edhe qindra cisterna të tjera të dyshuara në të zezën apo edhe aq sasi që munden ta prodhojnë dy rafineri të mëdha . Sipas analistëve, e tëra kjo po bëhet ngase prapa këtyre bizneseve po qëndrojnë njerëz me pozita të larta në Qeveri, në pozita të larta të Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm kaq.

Sadiku paralajmëron kryeministrin Rama

Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Muhamet Sadiku,tha se në asnjë mënyrë Edi Rama nuk guxon që të bjerë pre e grackës së kryeministrit serb, Vuçiq. "Koha për një bashkim doganor në Ballkan ka kaluar. Aq më tepër kur edhe tash CEFTA nuk po funksionon si duhet në saje të obstruksioneve, grackave dhe pengesave të pandërprera që Serbia po ua bën prodhimeve të Kosovës kur eksportohen jashtë vendit", u shpreh ai. Sipas Sadikut, është Serbia, përkatësisht Qeveria e saj, që ende po i pengon zhvillimet normale të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën."Ajo po i pengon marrëdhëniet tregtare dhe këmbimin e mallrave dhe lëvizjen e lirë", potencoi ai. Analisti Dardan Grapci tha se arsyeja pse kjo çështje nuk debatohet në Kuvend është se vetë brenda në Kuvend është personi që merret me importimin e mallrave serbe dhe shitjen e tyre në territorin e Kosovës, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi. "Ai jo vetëm që po bën shitjen e këtyre mallrave, por me këtë po e ngrit ekonominë serbe duke u bërë nder atyre që mos të bankrotojnë nga kriza ekonomike dhe financiare, si dhe me këtë po e shkatërron në anën tjetër ekonominë e Kosovës dhe po e helmon popullin e vet", theksoi ai. Analisti Grapci u shpreh se derisa janë biznesmenët të infiltruar në politikë dhe nuk largohen nga Kuvendi i Kosovës, kjo dukuri nuk do të ndalet aq lehtë. "Duhet me të vërtetë që deputetët, të cilët nuk janë të infiltruar në korrupsion, ta parashtrojnë këtë problem në Kuvendin e Kosovës, që kjo të përfundojë njëherë e përgjithmonë si dhe të merren masa që Dogana e Kosovës mos t'i lejojë më prodhimet dhe mallrat serbe të hyjnë në Kosovë", ka theksuar GrapcI.

Serbia pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Muhamet Mustafa (LDK), tha se në kushte normale secili propozim për avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve dhe në kuadër të rajoneve të caktuara do të ishte i mirëseardhur. "Mirëpo, secili propozim i një natyre të tillë mund të ketë sukses vetëm nëse bartësi dhe iniciatori ka kredibilitet që do ta mbështeste atë propozim. E kredibiliteti i Vuçiqit për një propozim të tillë është shumë i diskutueshëm. Serbia, përkatësisht Qeveria e saj, ende nuk është akomoduar me realitet e reja në Ballkan, duke vazhduar që këto realitete t'i kundrojë me një dioptri të viteve 90' të shekullit të kaluar", tha ai. Sipas tij, eksporti i Serbisë në Kosovë është afro 400 milionë euro, kurse eksporti i Kosovës në Serbi rreth 15 milionë euro. "Eksporti i Kosovës në Shqipëri është rreth 40 milionë euro, e në kundërshtim me këtë situatë tregu i Serbisë ka potencial më të madh sesa ai i Shqipërisë 3-4 herë, që do të thotë se Kosova në kushtet e tregtisë së lirë do të duhej të eksportonte në Serbi 3-5 herë më shumë sesa eksporton tash", u shpreh Mustafa. "Qeveria e Serbisë po pengon ka disa vite, bile edhe tash, pas nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse në bisedimet e Brukselit, anëtarësimin e KOSTT në asociacionin e operatorëve të sistemeve elektro-energjetike ETNOS-E . Kjo po ndikon në humbjen e dhjetëra miliona eurove tek operatori i KOSTT-it dhe operatorit të Shqipërisë. Investimi në intekonjekcionin 400 KV midis Kosovës dhe Shqipërisë për këtë shkak nuk mund të vihet në përdorim të plotë", theksoi më tej Mustafa.

Pushtetarët, pas bizneseve të pista

Analisti Florim Zeqa tha se bashkimi doganor i Ballkanit, në kohën kur mungon zhvillimi ekonomik në Kosovë dhe në Shqipëri, është tepër i dëmshëm për shqiptarët."Nga unioni doganor, përfituesi më i madh na del të jetë Serbia, për shkak të eksporteve të mëdha që ka aktualisht mbi 17 vjet në drejtim të Kosovës dhe të rritjes së eksporteve të rrezikshme të Serbisë në Shqipëri", tha ai."Pozicioni nënshtrues i dy qeverive shqiptare (Kosovë-Shqipëri) ndaj propozimit të Aleksandër Vuçiqit është dëmi më i madh që u bëhet dy ekonomive të shteteve tona në të dyja anët e kufirit", vijoi më tej Zeqa. Sipas tij, i gjithë eksporti i mallrave të dyshimta në trojet shqiptare realizohet në mënyrë të organizuar nga qeveritarët në Prishtinë dhe Tiranë, nëpërmjet oligarkëve ekonomikë të të dyja shteteve. "Arsyeja pse asnjëherë një çështje e kaq e ndjeshme dhe e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve nuk shtrohet për debat në Kuvendin e Kosovës është se prapa këtyre bizneseve të pista qëndrojnë njerëz me pozita të larta në Qeveri, Presidencë dhe Parlament", ka thënë ai. Sipas Zeqës, është e pajustifikueshme pse asnjëherë nuk u formua asnjë një komision i pavarur i mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkaqet e sëmundjeve kancerogjene, përderisa nga mjekë të specializuar, siç thotë ai, është konstatuar fakti se shumica e sëmundjeve kancerogjene burimin e kanë nga produktet ushqimore.

Bashkimet nuk bëhen me armiqtë

Bankieri Milazim Abazi tha se bashkimet doganore krijohen vetëm në mes të vendeve të barabarta dhe mike."Në raste të tilla ka vetëm përfitime, sepse krijohet një treg i përbashkët dukshëm më i madh. Por, marrë parasysh se me Serbinë Kosova ka marrëdhënie jomiqësore dhe tejet të renduara, krijimi i bashkimit doganor në Ballkanin Perëndimor tash për tash thuajse është i pamundur", u shpreh ai. Sipas Abazit, hapi i parë drejt krijimit të bashkimit doganor në Ballkan do të ishte pranimi i Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dëmshpërblimi i të gjitha dëmeve të luftës, si dhe pajtimi në mes të dy kombeve."Rrjedhimisht në këtë situatë aktuale pretendimi për bashkim doganor është thjesht një utopi", potencoi ai. Ndërsa, profesori universitar, Berim Ramosaj, tha se institucionet vendimmarrëse në Kosovë duhet që të mendojnë racionalisht dhe jo me emocione."Duhet të bëhet një strategji dhe plan i detajuar i ekspertëve ndaj atyre ofertave se ato që mund të sjellin benefite dhe dëme", u shpreh ai. Ramosaj tha se mbushja e buxhetit nga doganat do të jetë vetëm edhe pak kohë, sepse nëse duam të hyjmë në Evropë ato nuk mund të jenë faktori vendimtar i mbushjes së buxhetit të vendit."Duhet të orientohemi nga TVSH-ja dhe format e tjera të tatimeve", theksoi më tej ai.

(Kosova Sot)