Thaçi, presidenti i izoluar

  • 28 February 2017 - 07:48
Thaçi, presidenti i izoluar

Presidenca e kapur dhe e nënshtruar, aspak unifikuese

Një vit nga zgjedhja e presidentit Hashim Thaçi, analistët politikë dhe deputetët nga të dyja kampet politike, pozita dhe opozita, vlerësojnë se personaliteti i ish-liderit të PDK-së lë shumë për të dëshiruar. "Thaçi u zgjodh president në një situatë të tensioneve të mëdha, me presione, shantazhe e blerje votash. Zgjedhja e tij nuk ishte një zgjedhje e mirëfilltë me vullnetin e deputetëve dhe elektoratit, më tepër një pazar politik i koalicionit. Kjo ka shkaktuar një refuzim ndaj Thaçit si president dhe një izolim të tij, jo vetëm politik, por edhe njerëzor", tha deputeti Adem Salihaj. "Si pasojë e izolimit, ai ka mbetur si i harruar, kështu që po mundohet të dalë nga izolimi duke u marrë me punët që nuk i takojnë atij", tha deputeti i LDK-së Adem Salihaj. Një gjykim të tillë ka edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. "Me Hashim Thaçin kryetar vendi ka përjetuar atak në vlerat demokratike të Kosovës. Regresi gjatë kësaj kohe është evident në prezantim të shtetit edhe në politikën e jashtme, por edhe në unifikimin e faktorit politik të brendshëm. Forma makiaveliste e ardhjes në këtë pozitë po i kushton dhe do t'i kushtojë shumë rëndë ambicieve të ardhme të qytetarëve për të ndërtuar një shtet ligjor", tha deputeti Berisha.

Mashtrimi i qytetarëve

Deputeti Ismail Kurteshi thotë se madje jo vetëm presidenti, por të gjithë udhëheqësit e institucioneve të vendit po kontestohen dhe braktisen çdo ditë e më shumë nga qytetarët për një varg arsyesh. "Po kontestohen për shkak të keqqeverisjes dhe keqpërdorimit të besimit të qytetarëve, të mashtrimit të përsëritur në të gjitha fushatat elektorale. Të kontestuarit kanë premtuar shumë vende të punës, rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve në shëndetësi, administratë, infrastrukturë më të mirë, arsim më të mirë etj. Në vend të përmbushjes së premtimeve ata gjatë tërë mandatit janë marrë me arsyetimin e nënshkrimeve të tyre antikushtetuese e të dëmshme për vendin si Demarkacioni e "Zajednica", me bisedimet joparimore me Serbinë, për ta shpërqendruar vëmendjen nga papunësia, nga korrupsioni e keqpërdorimet e tjera, nga rënia e vazhdueshme e standardit të qytetarëve të rëndomtë dhe pasurimi i pushtetarëve", theksoi ai. "Këta udhëheqës institucionesh që erdhën në pozita të larta, duke i mashtruar votuesit e duke i korruptuar disa deputetë me ofiqe të ndryshme për votat që u nevojiteshin për postet që i kanë fituar, do të përfundojnë ashtu si e meritojnë, do të shkojnë shpejt nga këto pozita, por do të mbahen mend gjatë si keqbërës që dëmtuan shumë vendit, por edhe përgjegjësia e tyre para drejtësisë nuk përjashtohet për çështjet që konstatohet se janë përgjegjës. Ata së shpejti do të largohen nga këto pozita", tha Kurteshi për "Kosova Sot". Po aq kritik dhe me vlerësime negative e shohin këtë vit të parë të mandatit të presidentit Thaçi edhe analistët politikë. Jeton Kelmendi rikujton se pozita e presidentit të Kosovës që prej vdekjes së Rugovës ka shkuar drejt rënies, nga zgjedhja e njërit president tek tjetri. "Kulminacioni i degradimit të institucionit të presidentit u arrit me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, ku me forca policore u zgjodh", potencoi ai.

Përkulje për Speciale

Sipas Kelmendit, ky president që në fillim shkoi dhe u përkul para varrezave dhe heronjve të atyre, që na vranë dhe na dëbuan nga shtëpitë tona, nisi iniciativën për t'u pajtuar me Nikoliqin, edhe pse ai e quajti kriminel vetë Thaçin. "E pse këto iniciativa të tij mund të pyesë dikush? Mbase nuk duhet shumë mend: Thaçi ka në objektiv për të shpëtuar nga Gjykata, sepse Gjykata Speciale u krijua pikërisht mbi akuza edhe ndaj lëkurës së tij, dhe përveç dëmeve me imazhin që ia sjell Kosovës, si presidenti ka probleme me ligjin, prandaj ky njeri edhe nga brenda për brenda po e dëmton shtetin me sjelljet e tij, duke mbështetur shitjen e tokës Malit të Zi, që në fakt vetë e bëri, si dhe duke kërkuar Asociacionin e komunave serbe", tha analisti Jeton Kelmendi. Sipas tij, letrat e famshme të Thaçit janë po ashtu shkelje të Kushtetutës. Edhe politologu Arsim Haziri vlerë- son se në kulmin e njëvjetorit të marrjes së detyrës, presidenti Thaçi po konsiderohet si figura më e padëshiruar për vendin, pasi si mënyra e zgjedhjes prej një shtetrrethimi ashtu edhe e kaluara e tij antiligjore kanë ndikuar pikërisht që ai të mos luajë rolin e një presidenti unik dhe demokratik. "Përgjatë kohës sa është në këtë pozitë presidenciale as edhe minimalisht nuk ka arritur të konsolidojë, përkatësisht fuqizojë pozitën shtetërore përmes rolit të tij unifikues", potencoi Haziri.

(Kosova Sot)