Shqiptarët e "kursejnë" Serbinë nga padia për gjenocid

  • 28 February 2017 - 07:56
Shqiptarët e

Autoritetet zyrtare u treguan të ngathëta dhe indiferent

Derisa Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës po e ripërsërit padinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, për krimet dhe gjenocidin serb, shteti i Kosovës, por edhe ai i Shqipërisë kanë fjetur dhe po vazhdojnë akoma të flenë, pa shenja të zgjimit më të shpejtë për ta paditur Serbinë për gjenocid, madje jo vetëm gjatë luftës së fundit, por që nga viti 1912 deri në vitin 1956, ku janë kryer krime të mëdha, që kanë pasur për tendencë shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës me serbë e malazezë të ardhur në këto troje, dhe dyndjen e shqiptarëve për në Turqi. Është e sigurt që padia për gjenocid, si ajo e armenëve kundër Turqisë, do ta trembte me të madhe Serbinë, e cila u alarmua këto ditë kur mediet kanë shkruar se nga Bosnja dhe Hercegovina është deponuar kërkesa për rishikimin e vendimit të mëparshëm të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në këtë shtet dhe së fundi ka sinjale edhe nga Maqedonia, ku LSDM-ja e BDI-ja janë marrë vesh për ta paditur Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve. Tani, me të drejtë nga ekspertët e kësaj fushe shtrohet pyetja, pse Shqipëria e Kosova nuk e bëjnë këtë hap në pikëpamje juridike për të ushtruar padi ndaj Serbisë për gjenocid dhe çfarë po i pengon shtetet tona për ta ushtruar këtë padi...?

Propozimi për padi kolektive

Eksperti i së Drejtës Blerim Burjani e sheh tepër të paarsyeshëm këtë mosveprim të institucioneve të Kosovës. Sipas tij, edhe vetë faktori ndërkombëtar është shumë i interesuar që të zbardhet e vërteta e kësaj lufte dhe kriminelët të ndëshkohen, qoftë si individë apo grup i organizuar institucional e politik. "Autoritetet kosovare kanë humbur shumë kohë të vlefshme për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare, kur dihet qartë se edhe bashkësia ndërkombëtare ka interes të madh ta nxjerrë të drejtën për viktimat civile të shumta në Kosovë, të shkaktuar nga krimet serbe", është shprehur ai. "Këto gjëra kanë mundur edhe të koordinohen, që nga të tri shtetet të përgatitet akuza dhe ta akuzojnë Serbinë për gjenocid, ndonëse është i komplikuar në aspektin juridik dhe të drejtës ndërkombëtare, sepse duhet të dihet ku është kryer krimi serb", vijoi më tutje Burjani. Sipas tij, dihet që këto krime janë bërë në Kosovë, prandaj është tani në duart e kosovarëve ta denoncojnë krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë. "Unë mendoj se edhe Bosnja, Kroacia dhe Kosova duhet bashkërisht ta bëjnë padinë ndaj Serbisë për krime dhe gjenocid, të cilat shtete janë të prekura ashpërsisht nga krimet serbe", tha Burjani për "Kosova Sot". 

Shkaqet e mosngritjes së padisë

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se shkaqet e mosngritjes së padisë kundër shtetit serb për gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë asnjëherë nuk janë përmendur dhe asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk kanë treguar arsyet e mosngritjes së padisë. Sidoqoftë, ai thotë se nëse i bëhet këtij problemi një analizë politiko-juridike dhe diplomatike dalin vetvetiu disa fakte që flasin për shkaqet e mosngritjes së padisë. " Ato konsistojnë: 1. Mosekzistimi i vullnetit të Qeverisë së vendit dhe Parlamentit të Kosovës për t'u marrë me një çështje të tille; 2. Nënshtrimi i pushtetarëve të vendit ndaj politikës së BE-së mbi mosngritjen e padisë për shkaqe që Serbinë gjoja ta afrojnë kah BE-ja dhe NATO-ja, për ta larguar nga ndikimi i shtetit të Rusisë; 3. Nënshtrimi i pushtetarëve të vendit ndaj politikës së BE-së mbi bazën e dosjeve që vendorët i kanë të hapur dhe, 4. Mosekzistimi i subjektivitetit të Kosovës si anëtare e OKB-së për të ngritur një padi të tillë", u shpreh Kelmendi. Sipas tij, tri kushtet apo faktet e para janë shkaktare qenësore të mosngritjes së padisë. "Ne kemi ndaj Kosovës një plan të quajtur"PATKOI" që kishte për qëllim zhdukjen e popullit shqiptar me masa shfarosëse të tipit gjenocidal. Ky plan ka elemente gjenocidale mbi bazën nacionale, me qellim të asimilimit të Kosovës, duke e shfarosur një popull të tëre. Pra, kemi plan gjenocidal e ky plan mbështetej mbi idenë e zhdukjes së një etnie nacionale. Plani u ekzekutua me besnikëri nga forcat nacional-fashiste serbe", tha prof. Kelmendi. Ai thekson se derisa Kosova nuk ka ulëse në OKB dhe i pamundësohet ushtrimi i padisë së drejtpërdrejtë këtë mundë ta bëjë fare lehte shteti shqiptar në emër të Kosovës, duke denoncuar projektin serb për zhdukjen e plotë të një popullate shumicë nga trojet e veta etnike.

Mosanëtarësimi në OKB, pengesë

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku shprehet kritik pse edhe tetëmbëdhjetë vjet pasi e lamë prapa një luftë të egër dhe nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës ende nuk e ka konkretizuar hapin e saj për ta paditur Serbinë për krimet e bëra. Ai thotë se Qeveria tek në vitin 2011 kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë. Sipas tij, ky Institut për punë bazë do ta kishte kalimin e fazës së parë, e cila është përgatitja e të gjitha materialeve të nevojshme, duke filluar nga mbledhja, selektimi, përpunimi dhe përgatitja e dosjes për padinë. Maloku thotë se për mbledhjen e fakteve që kanë qenë të bollshme për krimet e Serbisë në Kosovë më shumë janë angazhuar disa organizata joqeveritare vendore e ndërkombëtare sesa Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i themeluar nga Qeveria e Kosovës. "Është fakt se Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Prandaj, ajo nuk ka mundësi për ta vënë përballë anëtaren tjetër të OKB-së, në këtë rast Serbinë, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e bërë në Kosovë. Është po ashtu fakt se kanalet ligjore që Kosova të padisë Serbinë janë të limituara, sepse GJND-ja nuk ka juridiksion të detyrueshëm, që do të thotë se ajo mund ta dëgjojë një çështje nëse bien dakord si pala akuzuese, ashtu edhe ajo e paditur. Mirëpo, një përjashtim për këtë bëhet për anëtarët e Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, CPPCG. Neni IX i statuteve të tij jep juridiksion të detyrueshëm për krimet e përcaktuara në konventën e gjenocidit", u shpreh Maloku. Sipas tij, kjo do të ishte baza ligjore që Kosova ta çonte çështjen e saj në GJND.

Neglizhenca e Qeverisë

Edhe prof. Riza Smaka thotë se është për t'u habitur që Qeveria e Republikës së Kosovës tregohet indiferente dhe indolente përkitazi me dëmtimet monstruoze fizike, materiale e morale, të cilat shteti serb nëpërmjet aparatit policor e ushtarak, që iu ka shkaktuar shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht gjatë periudhës 1998-99. "Qeveria në fjalë do të ishte dashur që me seriozitet të madh t'i kishte përpunuar rastet e dëmtimeve të të gjitha formave të shqiptarëve të Kosovës dhe që sa më parë të kishte ngritur aktakuzë penale dhe aktpadi civile kundër shtetit serb, e rrjedhimisht edhe kundër funksionarëve të identifikuar edhe nga ata vetë, të cilët drejtpërdrejt kanë komanduar ekzekutime të akteve monstruoze anti- civilizuese në formë të terrorit shtetëror, krimeve të luftës, madje edhe të gjenocidit", tha prof. Smaka. Ai ka pohuar se po të kishte ndodhur eventualisht e kundërta, shteti serb, pa dyshim, do të kishte ngulfatur me shkresa e dokumente akuzuese antishqiptare të gjitha institucionet ndërkombëtare. "Qeveria aktuale mbase nuk ndjen përgjegjësi për t'i mbrojtur qytetarët e vet të dëmtuar rëndë nga aktet monstruoze të shtetit serb, as për të kërkuar kompensimin moral e material të të njëjtëve. Përkundrazi, kjo Qeveri, sikundër është e dukshme, është e përkushtuar jo për të mbrojtur integritetin territorial, por përkundrazi për ta dëmtuar atë ndër të tjera edhe nëpërmjet ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin, e cila mbështetet vetëm në të dhëna kadastrale problematike, sekondare, por jo edhe në faktorët primarë historikë, gjeografikë, etnohistorikë dhe etnokulturorë ", tha Smaka për "Kosova Sot".

Edhe Shqipëria indiferente

Mungesën e ulëses në OKB e sheh pengesë për ushtrimin e padisë nga ana e shtetit të Kosovës edhe analisti Ali Hertica. Ai thotë se edhe një projekt i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë për ta ushtruar një padi të tillë mund të rrezikohet nga mosmbështetja e shumicës së anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sidoqoftë, ai e sheh me interes edhe për Kosovën nismën e partive politike në Maqedoni, sepse me këtë veprim të konkretizuar i hapet rruga edhe palës kosovare. "Marrëveshja e koalicionit të partive politike në Maqedoni, maqedonase dhe shqiptare, ndër të tjerash është edhe akuzimi i Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve të Maqedonisë në periudhat mes dy luftëtarëve botërorë- nga viti 1912 deri 1956. Pra, kjo do të jetë një goditje shumë e fuqishëm e vetë shqiptarëve të Maqedonisë për Serbinë, derisa mospadia nga Shqipëria për Serbinë është një mosveprim për shkak se Shqipëria nuk dëshiron që t'i prishë marrëdhëniet me Serbinë, kur dihet se kanë të nënshkruara shumë marrëveshje bilaterale mes dy shteteve për fqinjësi të mirë dhe shumë memorandume të përbashkëta të bashkëpunimit ndër shtetëror", theksoi ai. Sipas Herticës, në këtë situatë Kosova nuk do të ketë kurrfarë mundësie që të paraqesë ndonjë padi apo aktakuzë për gjenocidin që Serbia e bëri në Kosovë, ku gjatë periudhës së luftës janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë e 812 shqiptarë. 

(Kosova Sot)