Zonja ambasadore, po me dyfish çmim pse e more? Po për kriminelët e drogën pse s’flet?

  • 28 February 2017 - 09:23
Zonja ambasadore, po me dyfish çmim pse e more? Po për kriminelët e drogën pse s’flet?

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin ka folur për herë të parë në lidhje me akuzat për blerjen e një super vile me vlerën 1.6 milionë euro, thuajse dyfishin e çmimit normal të nëj rezidence në periferi të Tiranës.  Në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Vlahutin ka deklaruar se çështja e vilës sipas saj, është një aferë e trilluar nga disa politikanë shqiptarë të cilët sipas saj duan të përdorin ndërkombëtarët si mbrojtje për gabimet e tyre.

“Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre. Nganjëherë kam përshtypjen se kjo është njëra nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës, kur njerëzve ua shpëlanë trurin se si të gjithë të huajt janë armiq dhe se të gjithë kanë qëllime të fshehta. Megjithatë, ndryshe nga grupi relativisht i vogël i njerëzve, por shumë agresivë, të cilët janë të lidhur me grupet e interesave politike dhe kriminale, populli shqiptar është jashtëzakonisht mikpritës, i hapur posaçërisht për mysafirët dhe të huajt. Historia e rezidencës së BE-së ka përkuar pikërisht me ditën e fillimit të krijimit të institucioneve të vettingut, verifikimit dhe bazohet kryesisht në idenë e dikujt se bëhet fjalë për një punë të dyshimtë. I gjithë procesi i identifikimit të pronës dhe negociatave ka përfunduar muaj të tërë para se unë të isha vendosur ambasadore e BE-së”, tha Vlahutin.

Po ashtu ambasadorja foli edhe heqjen e vizës së Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, e cila sipas saj ishte ‘ilaçi i duhur në vendin e duhur’.  “Vettingu natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër. Flasim për gjyqësorin, në të cilin, për shembull, kryeprokuror i shtetit është ende personi të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia hoqën vizën për të hyrë atje, si dhe rrethi më i afërt i bashkëpunëtorëve të tij. Situata me gjyqësorin ishte e padurueshme dhe Shqipëria nuk kishte tjetër zgjidhje. Te ne ekziston një thënie ‘ilaçi i duhur në plagën e duhur’, dhe kjo është pikërisht ajo që solli reformat e gjyqësorit”, ka thënë Vlahutin.

Ndërkohë ambasadorja ka sqaruar dhe lajmin për masat e sigurisë që janë shtuar rreth saj, ku ka mohuar të jetë kërcënuar me jetë por sipas saj grupe të caktuara interesi mund të kenë qëllim t’i trembin. “Në Shqipëri unë ndihem shumë mirë. Titujt e gazetave se kinse më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake”, u shpreh Vlahutin.

Duke marrë parasysh këtë rrëfim tej mase të “sinqertë” të ambasadores Vlahutin, na mbeten për të shtuar në këtë intervistë “spontane”, vetëm disa pyetje të pafajshme, që vinë nga veprimtaria e zonjës në këto vite në Tiranë.  Zonja Vlahutin thekson se çështjen e aferës së vilës ja kanë kopsitur sipas saj disa politikanë shqiptarë. Por pyetja që shtrohet për ambasadoren në këtë kontekst është kjo: Po blerjen e vilës me dyfish të çmimit nga ai normali, këta politikanë t’a detyruan zonja ambasadore? Po eurodeputetja gjermane, përgjegjëse për buxhetin e BE-së, prej zërit të këtyre politikanëve thua vallë të ketë nisur hetimet për supervilën?

Po ashtu, disa pyetje për ambasadoren lindin edhe kur ajo flet për çështjen e vizës së Kryoprokurorit dhe korrupsionin, e ndërsa pa dashur harron se ajo ndoshta është ndër të vetmet përfaqësues diplomatike në Shqipëri që në këto vite nuk ka thënë ende asgjë për kriminalitetin në politikë?

Kush e ka detyruar vallë ambasadoren të kyç gojën për njerëzit me rekorde kriminale të përfshirë në politikë?

Cili e detyrona ambasadoren e BE-së, e cila duhej të ishte më e zhurmshja nga të gjithë përfaqësuesit diplomatikë, mos flasë për çështjen e dekriminalizimit?

Si mundet përfaqësuesja e BE-së në Tiranë mos flasë për njerëzit me rekorde kriminale të përfshirë në politikë e administratë, një fenomen aq i thellë sa rasti konkret i Lezhës të lë me gojë hapur?  Pas dorëheqejs së Armando Prengës, lista e deputetëve të PS-së në Lezhë nuk ka më deputetë zëvendësues, pasi pjesën më të madhe e ka prekur ligji i dekriminalizimit! Deri këtu nuk kishte arritur asnjëherë, por sërisht për ambasadoren çështja nuk ka asgjë për t’u shqetësuar!

Në të njejtën linjë shfaqet ambasadorja edhe për fenomenin e kanabasit, ku në asnjë prej qëndrimeve të saj në këto vite në detyrë, nuk është vënë re ndonjë deklaratë për çështjen, madje edhe kur vetë raporti i BE apo raporte të tjera kanë përmendur shqetësime.

Por duket se këto pyetje, nuk kanë se si të marrin përgjigje nga zonja Vlahutin, pasi kjo e fundit ka thyer çdo normë diplomatike të Unionit që përfaqëson në Shqipëri, duke u bërë palë me qeverinë dhe kryeministrin. Ambasadorja ka arritur deri aty sa sulmon e krikikon në çdo gjë veprimet apo vendimmarrjet e opozitës. Në fakt edhe pse anon hapur nga PS, zonja Vlahutin sa për sy e faqe, në emër të postit që mban, duhej të ruante etikën diplomatike, duke mbajtur staturën e një të deleguara të BE-së. Por jo, ambasadorja ka vendosur të jetë në krahun qeveritar, e madje të luftojë për këtë krah,duke përcjellë underground akuza e sulme për të gjitha palët e tjera të përfshira në proçese apo çështje të ndryshme.

Nisur nga sa më sipër,  zonja Vlahutin nuk ka pse bëhet më shumë qesharake me intervista të tilla, duke kërkuar “politikanët shqiptarë” që i kanë përgatitur sipas saj “rrengun” me super vilën. Pasi tanimë edhe ata që e caktuan në postin aktual në BE, kanë nisur të flasin për tepri njëanshmërie në veprimet e saj. Në këto kushte, ambasadorja do bënte mirë të vazhdonte ta shijonte vilën e delegacionit, me dyfish të çmimit normal, dhe njëkohësisht të mos harronte të luftonte korrupsionin, ashtu si ajo e di më mirë, nisur nga eksperienca në Kroaci.

(Kosova Sot)