Politikanët e nivelit të lartë, pronarë të vërtetë të kompanive të naftës - Lajme - Kosova Sot
Politikanėt e nivelit tė lartė, pronarė tė vėrtetė tė kompanive tė naftės

Politikanėt e nivelit tė lartė, pronarė tė vėrtetė tė kompanive tė naftės

Biznesi i naftës mbetet fitimprurës në Kosovë, sidomos për kompanitë e mëdha, pas të cilave jo rrallë është raportuar në medie se qëndrojnë edhe figura të politikës. Sipas njohësve të kësaj fushe, kompanitë e këtij sektori për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë nga 5000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë dhe benzinë me një qarkullim vjetor mbi 200 milionë euro. Dyshimeve për lidhje të këtij biznesi me pushtetin, ndonëse u janë dërguar pyetjet përmes adresës elektronike, Prokuroria e Shtetit dhe ajo Speciale, si dhe AKI-ja nuk kanë dhënë përgjigjen e tyre se a kanë hapur hetime se kush janë "padronët" ose pronarët e vërtetë që po sundojnë "arin e zi" në Kosovë, ku qarkullon më shumë se 1 miliard euro brenda vitit. Por, nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, thotë se një e vërtetë është se politikanët më të lartë të shtetit nuk qëndrojnë vetëm prapa kompanive të derivateve të naftës, po edhe prapa çdo kompanie tjetër që është fitimprurëse. "Kjo mund të dëshmohet me tenderët e kapur nga zyrtarët e lartë të Qeverisë, por edhe interesi i tyre që edhe pas skadimit të tenderit me mekanizmat që përdorin, mbajnë në shfrytëzim edhe më tej", ka thënë ai.?Sipas Malokut, për këto raste është për habi se si edhe Prokuroria e Shtetit sikur nuk është e interesuar ta ndërpresë këtë të keqe, e cila shumë po i kushton buxhetit të vendit me qindra miliona euro të humbura,shkruan gazeta Kosova Sot.

Shmangia e detyrimeve shtetërore

çështja e kompanive të derivateve të naftës në Kosovë është një problem shumë i mbrehtë si për shtet, ashtu edhe për organet që janë kompetente për të luftuar kundër. "Nafta kudo është nga faktorët kryesorë që pa ndonjë vështirësi dhe kosto krijon të ardhura të mëdha përfituese. Në Kosovë nuk ka kompani që nuk është e lidhur me politikën dhe që nuk ka njerëz të politikës në gjirin e vet", ka thënë ai. Kelmendi potencon se kompanitë e mëdha kanë përfitime të shumta, sidomos nga shmangia dhe mospagimi i doganës dhe tatimit "E kjo realizohet kryesisht nga politika. Dhe, natyrisht se duhen nga organet e ndjekjes se kush nga politika është me këto kompani. Por, ata janë të fortë dhe pushteti nuk intervenon. Duket se tri shtyllat e pushtetit janë të involvuara në këtë veprimtari që ka sjellë dhe krijon fitimet të mëdha", theksoi më tutje ai. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se organet kompetente dhe shteti janë dorëzuar komplet ndaj mafio-kompanive të derivateve. "Politika e ndyrë dhe korrupsioni në biznes është rritur shumë dhe ku politika duhet që ta ketë dhe ta luajë rolin dhe rëndësinë e saj, kurse biznesi duhet që ta luajnë rolin dhe detyrën e saj, ngase nuk nevojitet që politika të përzihet në biznes, ngase i bën dëm personit apo pronarit e pastaj vetë politikës kosovare, duke na dhënë një shembull shumë të keq jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për shtetet e rajonit dhe në Evropë", theksoi ai

Bosët e pushtetit, bosë të vërtetë të tregtisë

"Për tenderët e derivateve të naftës një iniciativë e dalë nga Shoqata e Naftëtarëve është kërkuar që në nivel të vendit tenderët të ndahet në disa lote apo në disa pjesë, e cila kërkesë edhe është mirëpritur nga Qeveria, po në zbatim ende nuk ka rezultate", tha Ramadan Maloku.

Ndërsa, analisti Florim Zeqa tha se të gjitha kompanitë e mëdha, që importojnë benzinë e naftë në Kosovë, bashkë- aksionarë shumicë, gjegjësisht shefa i kanë bosët e politikës së lartë në vend. "Një situatë e tillë është që nga paslufta, gjegjësisht për 18 vjet me radhë kompanitë e derivateve udhëhiqen nga politikanët në pushtet dhe në opozitë, duke fituar për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro dhe duke e mbajtur nën kontroll të plotë tregun përmes kontrabandimit, pasi shumica e "arit të zi" hyn në Kosovë përmes rrugëve ilegale, duke i shkaktuar evazion të lartë fiskal buxhetit të shtetit, në vlerë prej rreth disa qindra milionë euro brenda vitit. Kosova, si vend i vogël që është, në cilindo qytet apo fshat ku ekzistojnë pikat e shitjes së derivateve, pompat e benzinës, për qytetarët janë të njohur pronarët e vërtetë të tyre, të cilët si zakonisht fshihen prapa firmave fantome që funksionojnë me menaxherë aktualë ", vijoi më tej ai. Analisti Zeqa shtoi se sikurse për qytetarët edhe për Prokurorinë e Shtetit janë të njohur mirë pronarët e vërtetë të atyre bizneseve kriminale, që janë politikanë të profilit të lartë të shtetit të Kosovës,dhe ish-komandantë të lartë gjatë periudhës së luftës çlirimtare. "Për heshtjen e Prokurorisë dhe të AKI-së së shtetit ndaj këtij evazioni të lartë fiskal, faturën janë duke e paguar qytetarët e varfër të vendit, me çmimin astronomik të derivateve (të barabartë me vendet euro-perëndimore), përderisa bosët politikë, përmes kompanive të inkriminuara, të njëjtin produkt e blejnë me çmim tepër të ulët në vendet e rajonit, duke filluar nga Serbia naftën ruse, duke thyer embargon, mandej Mali i Zi, Greqia,Shqipëria, Turqia, etj.", tha më tutje ai.

Oligarkët palojnë milionat, populli vuan urie

"Çështja e njësive matëse për fushën e derivateve është shtruar në Kuvendin e Kosovës, por diskutimi dhe problematika e ngritur nga unë lidhur me përfitimet e pushtetarëve aktualë nuk kanë gjetur përkrahjen", tha Zafir Berisha.

Analisti Reshat Badallaj-Zhurjani tha se kontrabanda po vlon në Kosovë në të gjitha drejtimet e sidomos me "arin e zi" dhe sistemi gjyqësor dhe prokurorial bëhen të shurdhur dhe symbyllur. "Majat e shtetit e kanë bërë zap Prokurorinë, i rrinë mbi kokë si shpata e Demokleut dhe e kanë lëshuar oligarkët rrjetin si të merimangës që sillen e sillen dhe tërë fitimi i kësaj kontrabande të "arit të zi" shkon në xhepin e kontot e fryra te kësaj bande mafioze të nëntokës kriminale, duke e dëmtuar për vdekje buxhetin e Kosovës", theksoi ai. "Politikanët e niveleve të larta shtetërore, jo vetëm sot, por që nga paslufta janë të lidhur ngushtë dhe bashkëpunojnë me kanalet shtetërore kriminale-serbiane. Përndryshe si ka mundësi që 5000 cisterna, vetëm me letra se kush e di sa cisterna futen ilegalisht dhe të mos jenë në dijeni organet shtetërore. Kjo po ndodh, ngase Prokuroria e Shtetit nuk guxon të ngrejë padi penale kundër kësaj bande shtetërore", u shpreh Badallaj-Zhurjani. "Këta të Qeverisë, te Kuvendit, dhe të Presidencës, me një fjalë figurat e larta shtetërore, paligjshëm dhe hajnisht, pasurohen për dhjetë-njëzet breza, duke u bërë më të pasur dhe më të kamur sesa sheikët e Kuvajtit dhe në anën tjetër Kosovën e ka përfshirë papunësia më e lartë në Evropë, fukarallëku deri në skajshmëri", thotë ai.

Sipas shënimeve zyrtare nga ARBK-ja,por edhe nga njohësit e familjarizuar të tregut të derivateve të naftës,kompanitë më të fuqishme në treg me shumicë e pakicë,të cilat nga importi sjellin e shesin në tregun e Kosovës janë: LAB OIL,AL-PETROL,PETROL COMPANY, HIB Petrol, EX-FIS,IP Kos,Standard Benz,Euro Petrol, Alba Petrol,Mamid Petrol etj.

Kuvendi refuzoi debatin për abuzimet në treg

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha, thotë se krimet lidhur me keqpërdorimet që po bëhen me "arin e zi" si çështje i kam ngritur para dy vitesh edhe në Kuvendin e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje nga ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami. "Unë kam dyshime se Instituti Meteorologjik që e bënë bazhdarimin e derivateve të naftës dhe të arit nuk funksionojnë si duhet dhe kjo çfarë ndodh atje janë një tregues se këtu i ka futur thellë duart politika e inkriminuar tek institucionet, që janë përgjegjëse për të ndaluar keqpërdorimet me derivate të naftës", u shpreh ai. "Në kurriz të qytetarëve po përfitojnë njerëz dhe biznese të caktuara të afërta me politikën, dhe se e kam shprehur dyshimin edhe për konflikt të interesit të këtij Instituti që është futur nën sqetull dhe kuadër të MTI-së dhe në vend se të jetë i pavarur me qëllimin për ta mbajtur situatën e pakontrolluar, që është në fushën e tregut të derivateve të naftës. Janë pakënaqësitë e qytetarëve për derivatet, sepse në shumë raste nuk është sasia e vërtetë ajo që e blejmë shkaku i njësive matëse. Së këndejmi, kjo fushë është shqetësuese dhe ka vend për hetime nga ana e organeve të drejtësisë, por ajo është e kapur nga politika dhe nuk pritet se mund të marrin masa", ka potencuar deputeti Berisha. 

AKB-ja pranon se ka informalitet, kërkon kontrolle më të rrepta

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, e pranon se në sektorin e derivateve të naftës ka shumë për t'u bërë dhe për t'u luftuar informaliteti. "Shoqata e Naftëtarëve për tri vite me radhë kanë bërë një rezistencë të vazhdueshme, duke e kundërshtuar haptazi fiskalizimin e tyre me arka fiskale me arsyetimin se janë tepër të shtrenjta", ka thënë më tej ai. Shahini thotë se në veçanti kjo është dëm për ekonominë dhe buxhetin e për një treg konkurrent të drejtë dhe me kushte të barabarta. "Mendoj se në këtë sektor pas uljes së çmimeve të shitjes së arkave fiskale për naftëtarët duhet që ATK-ja dhe Dogana të bëjnë kontrolle shumë më të rrepta, në mënyrë që ky sektor të rregullohet nga shkalla e lartë e informalitetit", u shpreh Shahini

"Për të ndalur hovin e vjedhjes së shtetit duhet domosdoshmërisht ndërruar rrënjësisht këtë garniturë hajnash, oligarkësh e kusarësh", tha Reshat Badallaj-Zhurjani

"Kontrolli" i pikave të naftës para dy vitesh dëshmoi po ashtu afrinë e MTI-së me tregun dhe bizneset e derivateve të naftës - të cilën kjo ministri, në asnjë legjislaturë "nuk diti, nuk mundi ta zgjidhte", tha Kaçaniku 

Konsumatorët, të dëmtuar dhe të pambrojtur

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha se nëse institucionet e shtetit do të ishin të sinqerta, etike - profesionalisht dhe ligjërisht të interesuara problemin me derivatet e naftës do ta zgjidhnin menjëherë. "Moszgjidhja dhe zvarritja e problemit me derivate të naftës, është me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarit konsumator taksapagues, por edhe të sistemit shëndetësor, për shëndetin mjedisor, ekologjik, për ekonominë e bizneset, për Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe sistemin fiskal, i cili drejtpërsë- drejti prek potencialin socioekonomik të cilin dhe e pamundësojnë për mbi 60 për qind, dëshmon për arsyeshmërinë e dyshimeve tona për implikimin në këtë kriminalitet të pushtetarëve", ka thënë ai. Sipas tij, sot, mbi 70 për qind e pikave të karburanteve, nuk japin kuponë fiskalë. "Kjo do të thotë se mbi 200 milionë euro nuk dihet se ku shkojnë. Po aq para i mungojnë nga xhepi qytetarit konsumator - sepse i ndalen nga sasia, nga vëllimi i karburantit. Edhe po aq qytetari konsumator humb nga cilësia . Nga dëmet që i shkaktohen automjetit dhe sigurisë në trafik dëmet, humbjet janë edhe më të larta. D.m.th., po flasim për humbjet e dëmet që i afrohen shifrës prej afro 1 miliard euro", thotë Kaçaniku.

(Kosova Sot)

22 orë e 48 minuta më parë