Tregu i hapur ballkanik favorizon Serbinë

  • 20 March 2017 - 08:00
Tregu i hapur ballkanik favorizon Serbinë

Abazi: "Serbia është e interesuar vetëm t'i mashtrojë shqiptarët".

"Ne nuk kemi nevojë për një union të tillë çfarë e propozon Serbia, që ka synim të vetin final që të bëjnë të shesin si të duan ata në trojet shqiptare", është shprehur eksperti i ekonomisë, Haki Shatri,raporton Gazeta Kosova Sot

I nsistimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që doli në Samitin e Sarajevës për të krijuar Tregun e Hapur Ballkanik, për njohësit e kësaj fushe do të ishte një favorizim i ringjalljes se ambicieve hegjemoniste të Serbisë në planin ekonomik. Eksperti i ekonomisë, prof. dr. Muhamet Sadiku shprehet se po të përkrahej kjo do të ishin politika të gabuara. "Edhe marrëveshja me CEFTA-n u përcoll me pengesa serioze në mes të shteteve". Ai tutje shtoi se duhet pranuar se ideatorët e kësaj iniciative injorojnë diferencat demokratike, ekonomike dhe sociale në rajon. "Së pari, kjo punë bëhet me shtete të pavarura dhe të pranuara nga njëra- tjetra. E dyta, shtetet janë në faza të ndryshme të integrimeve, në situata të ndryshme të bilanceve tregtare e që të gjitha tregojnë se disa shtete në afat të shkurtër mund të jenë humbëse", është shprehur ai.

"Veprimet në interes të Kosovës i bojkoton Serbia" Sadiku tha se koncepti i politikave të përbashkëta të bëhet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë meqenëse ekziston vullneti politik dhe komplementariteti ekonomik- një kulturë, gjuhë e shumë gjëra të tjera favorizuese. Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi theksoi se derisa Serbia të heqë dorë nga shantazhet, veprimet destruktive dhe përzierjet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, Kosova dhe shqiptarët kudo që jetojnë, duhet të kundërshtojnë çdo iniciativë serbe. "Serbia është e interesuar vetëm t'i mashtrojë shqiptarët dhe t'i shfrytëzojë për interesa të saj, ndërsa t'i bojkotojë të gjitha veprimet që janë në interes të Kosovës dhe pavarësisë së saj", është shprehur ai. 

Shatri: "Qeveria ta shpërfillë nismën e Vuçiqit" Kurse ish-ministri i Financave, Haki Shatri theksoi se ideja e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiqit për krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik, Qeveria e Kosovës nuk duhet fare që ta përfillë. "Në ishJugosllavi ne si Kosovë kemi qenë në një union të përbashkët doganor me Serbinë, por edhe me të tjerët dhe nga ajo kohë kemi përvoja të hidhur me serbët", është shprehur ai. Shatri theksoi se Kosova duhet të integrohet në mekanizmat evropianë e jo të mbështesin shakatë e Serbisë, por edhe djallëzitë serbe."Ne nuk kemi nevojë për një union të tillë çfarë e propozon Serbia, që ka synim të vetin final që të bëjnë e të shesin si të duan ata në trojet shqiptare", është shprehur ai. " Nëse Shqipërisë i ka ngelur merak që të jenë së bashku me ish- Jugosllavinë, atëherë ata le të bëhen pjesë e këtij tregu të përbashkët ballkanik, kurse ne si Kosovë kurrsesi nuk duhet që të jemi pjesë e këtij tregu ballkanik", ka theksuar Shatri. Afaristi Ramadan Maloku thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të pajtohemi me një ide të tillë. 

(Kosova Sot)