Hertica: Ky soj i politikanëve mendojnë se janë edhe të përjetshëm

  • 20 March 2017 - 21:21
Hertica: Ky soj i politikanëve mendojnë se janë edhe të përjetshëm

Lakmia për të përfituar përjetë- sisht nga politika, dhe për të qenë përjetësisht në pushtet, po dëshmohet edhe në politikëbërjen e Kosovës si një sëmundje e rëndë e egos së këtyre liderëve që ka Kosova, të cilët as nuk mendojnë të pensionohen ndonjëherë me vetë dëshirë dhe as të largohen nga skena politike.

Analisti politik, Ali Hertica, thotë se koha e pensionimit të këtyre njerëzve ka kohë që ka ardhur, dhe qytetari duhet t'i ndëshkojë ata me votën e tij. "Është një garniturë e harxhuar e politikëbërësve në Kosovë, të cilët për interesin e tyre kanë siguruar dhe mbajnë edhe nga disa vende pune, e pikërisht për këtë lloj kapje të shtetit edhe kanë filluar tejmase që të njëjtët t'i gërditen qytetarit", theksoi Hertica për "Kosova sot" .

Sipas Herticës, ky soj i politikanëve mendojnë se janë edhe të përjetshëm. Hertica ka shpjegimin filozofik për një sëmundje të tillë. "Te filozofia dhe filozofët kjo dëshirë e përjetshme e bën të lindë një ide e thellë, ide e kohës së 'përjetshme për liderin' dhe vetë qeveritarin që kurrë mos të bien nga skena politike, por të këtë një dominim mbi shtresën e vegjëlisë", është shprehur Hertica. Sipas Herticës, këtë ego të tyre ballkanike e ka kuptuar edhe komisioneri Hann. "Për ta avancuar shoqërinë dhe shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror duhen vetëm njerëz të rinj të sinqertë, të cilët nuk mund të vijnë në shprehje pa ndryshime të mëdha, pa u liruar skena politike dhe qeverisëse nga klanet dhe grupet e caktuara të interesit, në krye të të cilave janë sharlatanët që vazhdimisht llomotitin dhe nuk veprojnë asgjë konkrete në interes të qytetarit", theksoi Hertica.

(Kosova Sot)