Kurteshi: Shumë gjyqtarë kanë marrë pjesë në transaksione të paligjshme të pronave

  • 20 March 2017 - 23:39
Kurteshi: Shumë gjyqtarë kanë marrë pjesë në transaksione të paligjshme të pronave

Problemet në sistemin gjyqësor dhe përgjithësisht në drejtësi janë të mëdha dhe kështu si është duke u vepruar duken të vështira për t'u zgjidhur. Problemi më i madh qëndron në faktin se nuk ka vullnet dhe as dëshirë që ky sistem të reformohet.

Deputeti Ismail Kurteshi, nga 'Vetëvendosje', thotë se së pari në një shtet të kapur në të gjitha segmentet e tij është pothuajse e pamundur që një segment, siç është drejtësia, të funksionojë në mënyrë të pavarur, derisa, sipas tij, përgjegjësia tash natyrisht që nuk është jetim, ngase dikush është përgjegjës. Ai tha se nuk mund të kërkohet përgjegjësi, kur përgjegjësit janë në pushtet dhe ata që duhet të kërkojnë përgjegjësi janë vetë përgjegjësit për këtë situatë, në të cilën gjendet drejtësia sot. "Natyrisht se segmenti i drejtësisë është një ndër levat më të rëndësishme të shtetit dhe pa një drejtësi të pavarur nuk mund ta kemi një shtet ligjor dhe funksional, mirëpo edhe pse me Kushtetutë e ligje drejtësia është e pavarur, një pjesë e madhe e njerëzve, të cilët kanë funksione udhëheqëse në sistemin e drejtësisë, nuk kanë kredibilitet, nuk janë të zotët që ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur", është shprehur Kurteshi. Ai tutje shtoi: "Dihet se shumë gjyqtarë kanë marrë pjesë në transaksione të ndryshme, në bartjen e pronave në mënyrë të paligjshme, në blerjen e pronave jashtë procedurave, kanë përfituar shumë miliona, madje janë larguar nga puna ose kanë marrë dënime simbolike prej kolegëve të tyre po ashtu të korruptuar.

Prandaj, vërtet ka nevojë për ndryshime, por unë nuk mund ta marr me mend se ndryshimet do të ndodhin pjesërisht me këtë pushtet të korruptuar që nuk mund të ketë drejtësi të mirëfilltë, pasi drejtësia e mirëfilltë si edhe çdo fushë tjetër që do duhej të korrigjohej, korrigjohet vetëm kur ky pushtet bie dhe në vend të tyre vijnë njerëz, të cilët janë të interesuar që Kosovën ta bëjnë shtet ligjor dhe funksional". Kurteshi thekson se shumë gjykatës dhe njerëz të drejtësisë sot e përmendin pavarësinë kur dikush i kritikon, sepse thonë se janë të pavarur. "Por, edhe ajo pavarësi është e limituar, pasi nuk mund të bësh çfarë të duash në emër të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, por duhet të punosh bazuar në ligje dhe t'u ikësh ndikimeve politike, ndërsa këtu ndodh e kundërta, pasi nuk punojnë me ligj dhe u nënshtrohen ndikimeve politike", është shprehur deputeti Kurteshi. 

(Kosova Sot)