Burjani: Testi i koalicionit matet me detyrat madhore

  • 28 March 2017 - 21:37
Burjani: Testi i koalicionit matet me detyrat madhore

Pavarësisht kësaj mundësie të hapur, edhe analistët politikë e shohin me rezervë mundësinë e çuarjes së shpejtë të vendit në zgjedhje të reja, sado kritikë që kanë qenë disa zëra në konventën e PDK-së. Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se PDKja ndoshta nuk e do kryeministër Isa Mustafën, por ka koalicion me LDK- dhe kjo marrëveshje e obligon atë, pavarësisht që kur i konvenon PDK-së mund të provokojë zgjedhje të reja. “Është e qartë se PDKja kur të do mund ta çojë shtetin në zgjedhje , por është më se e qartë që nuk i ngutet fare sepse ky subjekt politik është fuqizuar mjaft, ka ruajtur plotësisht terrenin politik, ka ruajtur interesat e paligjshme edhe nëpër borde, ndërmarrje publike, në dërgim të stafit nëpër ambasada, prandaj nuk ka pse t’i ngutet”, theksoi ai. Sipas tij, vetëm nëse PDK-ja vëren se kuvendi është i delegjitimuar dhe plotësisht i bllokuar, atëherë mund të shkojë vendi në zgjedhje. “Pra, PDK-ja nuk merret më me Isën, por me interesat e veta që ka, që i ka shtrirë rrënjët në tërë sektorët shtetërorë, publikë, dhe privatët, dhe një numër i madh i njerëzve të këtij subjekti është pasuruar me para që si dihet prejardhja, prandaj PDK-ja është komode edhe dhe njerëzit e tyre në pushtet. Nuk kanë pse të nguten për këtë çështje që është në dorë të tyre dhe kur të duan prishin koalicionin”, tha Blerim Burjani. Mirëpo, ai është i sigurt që testi i koalicionit matet me disa detyra madhore, që gjenden para shtetit. “Ky koalicion do të mbijetojë, vetëm nëse kalojnë Demarkacionin dhe Forcat e Armatosura, derisa për të kaluar Asociacionin e komunave serbe gjasat janë zero. Pra, vetëm nëse këto çështje nuk zgjidhen, koalicioni mund të sfidohet”, tha Burjani, duke shtuar se është e kotë të shkohet në zgjedhje qendrore, sepse kjo do të shtynte edhe për një afat të pacaktuar liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot)