Jahti e zhyti kokën e Shpendit në kënetën korruptuese të Devollëve!

  • 28 March 2017 - 07:38
Jahti e zhyti kokën e Shpendit në kënetën korruptuese të Devollëve!

Kreu i Prishtinës të rrëfehet detyrimisht për shëtitjen misterioze të luksit të tepruar!.

"Nëse nuk e bën një gjë të tillë shpejt, atëherë Asambleja komunale dhe qytetarët e Prishtinës kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Shpend Ahmetit, dhe jo vetëm kaq, Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë në detaje lidhjet eventuale kriminale të kreut të Prishtinës me vëllezërit Devolli", thotë analisti Florim Zeqa për Gazetën "Kosova Sot".

Derisa kreu i Komunës së Prishtinës vazhdon të mos jetë transparent karshi opinionit publik lidhur më fotot "korpus delikti" e prezantuar për shëtitjen e tij me jahtin super-luksoz në Budva të Malit të Zi, që thuhet të jetë pronë e vëllezërve te inkriminuar Devolli, përfaqësues të subjekteve politike opozitare në Asamblenë komunale të Prishtinës dhe analistët politikë dhe të ekonomisë, vazhdojnë të ngrenë dyshimet se cilët janë interesat e inkriminuara, që e lidhin Shpend Ahmetin dhe zyrtarët e tjerë të Komunës së Prishtinës me Blerim Devollin. Shtrohet pyetja e pashmangshme se a mund të ishin takuar ata për të bërë e për të përfunduar "pazaret" e tyre të përgatitura "në fshehtësi" për një kohë të gjatë disavjeçare për dhënien e 15 hektarëve tokë komunale të qytetarëve të Prishtinës te Stacioni i autobusëve, ku thuhet se Devollët planifikojnë për të ndërtuar "një perandori të re " me mbi 200 mijë metra katrorë, qendra tregtare, hotele e qendra biznesi, sikur edhe në tokën prej 2 hektarësh te Pallati i Rinisë " B. e Ramizi", të gjitha këto në tokë komunale të qytetarëve të Prishtinës. Me të drejtë shtrohet pyetja, pse duhet të takohet Shpend Ahmeti, tanimë "Tyxhari i Prishtinës", me të tjerët, në jahtin multimilionësh, dhe çfarë interesash i lidhin ata mes vete, përveçse dihet se duan një mega-plaçkitje të re të aseteve të shtetit, që po i përgatitet kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinës. Emëruesi i përbashkët i gjykimit të analistëve është se takimi dhe shëtitja jashtë Kosovës kanë një skenar të fshehtë të lidhjeve tanimë të trashura korruptive me pronarin, në këtë rast me kompaninë "Devolli " e shumëpërfolura për mega- skandale korruptive.

Gënjeshtrat e kryetarit Ahnmeti! Shefi i Grupit parlamentar të asamblistëve të Prishtinës, Agim Gashi theksoi për gazetën se të bartësh një funksion politik dhe publik nuk është sikur të kultivosh një kulturë bujqësore sipas dëshirës sate. "Të jesh kryetar i kryeqytetit është barrë dhe përgjegjësi. Nuk është funksioni i kryetarit pronë personale. Funksioni i kryetarit është vullneti i shumicës elektorale, prandaj çdo sjellje jashtë kodit qeverisës dhe kodit moral është keqpërdorim i vullnetit elektoral, i vullnetit të shumicës. Kur vullneti qytetar të beson, më nuk mund të argëtohesh në "jahtet luksoze", nuk mund të udhëtosh në vende të ndryshme sipas dëshirës, nuk mund të marrësh rrugë pa rrugë, nuk mund të miqësohesh me konfliktin e interesit, nuk mund të akuzosh e të mos i pranosh kritikat, nuk mund të jesh vetjak dhe i paidentitet, nuk mund ta partizosh pushtetin dhe të bëhesh i gjithëpushtetshëm", është shprehur ai. Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj thotë se derisa po fshihet vetë fakti i publikuar me foto i shëtitjes së Shpendit me jahtin e Devollëve, të gjitha dyshimet që ngrihen ndaj tij e kanë një bazë të arsyeshme, aq me tepër kur Shpend Ahmeti mohon gjithçka, edhe foton e bërë në jahtin e përfolur. "E para, kur po përmendet Stacioni i autobusëve, unë për këtë kam dëgjuar fjalë, por nuk kam dëshmi, e nëse është e vërtetë është tepër keq, sepse do të dalë që i ka anashkaluar procedurat ligjore si kryetar. Sa i përket vetë jahtit, ai më shumë po mundohet që këtë ta fshehë si fakt, dhe derisa po e bën këtë na bënë shumë më të dyshimtë për të sesa fakti nëse ai vërtet ka hipur aty dhe pse ka hipur në atë jaht. Për të hipur në një jaht nuk është ndonjë problem i madh, nëse është diçka nga kureshtja, por pse ka hipur kjo po na bënë të dyshojmë", është shprehur më tej ai. "Po të kishte qenë një hipje e thjeshtë, ai kishte për ta treguar atë, por vetë fakti që ai nuk po e thotë, po mundohet të anashkalojë, kjo për mua është tepër shqetësuese. Kjo nuk është hera e parë që Shpendi mundohet t'i ikë të vërtetës nga opinioni, ta gënjejë e mashtroje atë, ani më tash edhe duke pasur fotografitë si fakte. Kjo me të vërtetë tregon mjaft se kush është ai", thotë Çelaj për "Kosova Sot". Për dyshimet që mund të ngrihen, ai thotë se janë organet e drejtësisë që duhet të merren me to dhe jo tani individët pa pasur argumente të mjaftueshme.

Takimi i fshehtë ngre dyshime të forta Baton Dushi, kryetari Degës së NISMA për Kosovën në Prishtinë, thotë se janë befasuar nga informacioni i përcjellë me foto si prove për Shpendin në jahtin që po përfolet të jetë i Devollëve. "Në Mal të Zi ka shumë jahte dhe e mira e gjithë kësaj të keqeje është se ishte jaht yni dhe jo rus a i kujtdo dreqi. Përfolja dyshuese për interesa personale të kryetarit Shpend Ahmeti disi na e heq të drejtën të akuzojmë, sepse nuk dimë karakterin e takimit, as interesat e afarizmit që ata kanë, Devollët dhe Shpendi apo VV-ja. Meqë ata janë pjesë e një afere tanimë të përfolur për dhënien e hapësirës te Stacioni i autobusëve edhe vetëm për këtë fakt kryetari nuk do të duhej të gjendej në atë jaht e në atë vend. Megjithatë, edhe pse nuk duhet të jemi paragjykues skena e dhënë dhe faktet flasin që diçka e tille duhet të ketë ndodhur", ka theksuar ai. "Kjo afri kaq e madhe është më se e mjaftueshme për të hapur një rast hetimi serioz nga Prokuroria. A do ta bëjë këtë Prokuroria mbetet për të parë, por nëse vërtetohet se fotoja nuk është e manipuluar, atëherë një dëgjim do të duhej ta bënin organet e specializuara të hetuesisë së shtetit. Ne nuk kemi pse shqetësohemi nëse Komuna ka vendosur në transparencë për dhënien e hapësirave subjekteve biznesore, por shija që lë një takim, i cili mëtohet të mbahet i fshehur e larg syve të opinionit, kudo në botën e jashtme është e pagëlltitshme për oreksin popullor", tha Dushi për "Kosova Sot". "Mes teorive të konspiracionit dhe asaj që na ofron fotoja e Shpendit në jaht, ne jemi neveritur më shumë nga kjo e dyta, sepse i ka takuar Shpendit të mos gabojë dhe nëse nuk ka gabuar i ka takuar të mos bëhet pre e gjellëve të servirura. Megjithatë, pas fotos së dhënë, sot kemi një perceptim krejt tjetër për Shpendin", ka potencuar Dushi.

Përse hesht Albin Kurti? Kryetari i Bashkësisë Lokale 'Dardania', ndër më të mëdhatë në kryeqytet, Safet Kamberaj thotë se tani edhe ky skandal i radhës në Budva është diçka që nuk befason fare. "Është e çuditshme se si e duron lideri i 'VETËVENDOSJE'-s, përderisa, siç flitet, Albin Kurti e ka shitur banesën për parti, ndërsa tani matrapazët, që po e shkatërrojnë Prishtinën dhe po i prekin ndjenjat e nënave dhe motrave në përvjetorin e pikëllimit të tragjedisë së Krushës dhe shume masakrave të tjera, gjenden atje, mbi atë jaht. Kjo lë t'i mbetet në ndërgjegje Shpend Ahmetit, le të lodrojë, ngase edhe Prishtinën e ka shkatërrua", theksoi ai. Sipas tij, Ahmeti nuk e përfundon matrapazllëkun e tij krejt këtu me këtë aferë. " Shpend Ahmeti është duke u hetuar edhe për disa raste tjera, siç është rasti i tre milionë e gjysmë euro nga një projekt i një OJQ-je , ku një shtet mik i Kosovës është keqpërdorur e abuzuar nga kjo OJQ, dhe disa raste të tjera rreth tij që janë nën hetime aktuale. Rasti i kësaj afere rreth OJQ-së ka qenë para katër vjetësh", thotë kryetari i BL-së, Safet Kamberaj.

Interesi vetëm te leku Eksperti i fushës së ekonomisë, Dardan Grapci vlerëson se interesi që e lidh Shpend Ahmetin me Blerim Devollin është vetëm paraja dhe lidhjet korruptivekriminale me qellim përfitimi të paligjshëm. "Mos të harrojmë ta cekim se në fushatën e fundit në zgjedhjet lokale, korporata 'DEVOLLI' ka qenë sponsori kryesor i VV-së në Prishtinë për t'i ndihmuar Shpendit t'i fitojë zgjedhjet. Prandaj, këta të dytë janë tani partnerë politikë, por gjithashtu edhe persona që, duke menduar që po i bëjnë mirë vendit, në fakt janë duke e shkatërruar më shumë", ka potencuar ai. "Nëse pyetem unë se çka kanë biseduar këta të dytë në jahtin luksoz, përgjigjja ime do ishte që nuk me intereson muhabeti i tyre, por duke e shikuar realitetin dhe duke i njohur se kush janë këta të dytë në të vërtetë si personazhe , atëherë unë them që, PO këta të dytë, sidomos Shpend Ahmeti e ka pasur më lehtë të takohet me Blerim Devollin për të biseduar në jaht sesa në zyrat e Komunës në Prishtinë, se si të bëjnë marrëveshje për tokat në Prishtinë, që dëshirojnë për ta varfëruar qytetarin e Prishtinës 100%, dhe duke mos pasur mëshirë për bizneset e tjera të vogla dhe të mesme", thotë analisti Dardan Grapci.

Të zbardhet e vërteta për "shëtitjen" luksoze! Analisti politik, Florim Zeqa thotë se, pavarë- sisht faktit se shëtitja e befasishme e kreut të Prishtinës në jahtin luksoz multimilionësh ishte e rastësishme apo e përgatitur paraprakisht, ajo ka nxitur reagime, shqetësime dhe dyshime të arsyeshme të qytetarëve të kryeqytetit dhe mbarë Kosovës. "Heshtja dhe mosbërja transparente e kësaj shëtitjeje në jahtin luksoz nga ana e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ngritur dilema të shumta në mesin e popullatës kosovare e sidomos prishtinase. Përveç fotos së kryetarit Ahmeti në jaht, të tjerat kanë mbetur mister i pazbuluar! Pavarësisht karakterit të kësaj vizite, kryetari Ahmeti e ka për obligim t'i sqarojë opinionit publik; ishte kjo vizitë zyrtare apo është private, ka lidhje familjare me Devollët apo jo, kush ka qenë me të, ku kanë qenë dhe për çfarë arsyesh u ndodh në Budva me zyrtarët komunalë!? Nëse nuk e bën një gjë të tillë shpejt, atëherë Asambleja komunale dhe qytetarët e Prishtinës kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Shpend Ahmetit, dhe jo vetëm kaq, Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë në detaje lidhjet e kreut të Prishtinës me vëllezërit Devolli", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, zbardhja e lidhjeve të Shpend Ahmetit me Devollët, të njohur si korruptues, përveçse do të parandalonte tjetërsimin e mbi 15 hektarëve tokë të çmuar në zemër të Prishtinës, do të hiqte shumë dilema dhe paragjykime hipotetike të ngritura ndaj tij. "Pra, zbardhja e "shëtitjes" në jahtin luksoz të Devollëve, do t'i bënte mirë në radhë të parë vetë kryetarit Ahmeti në përmirësimin eventual të imazhit të lënduar nga lidhjet dyshuese me Devollët, si dhe do të shpëtonte shpronësimin e tokës komunale. Në të kundërtën, apriori vërtetohen katërçipërisht të gjitha dyshimet e qytetarëve për lidhjet e fshehta biznesore të Shpend Ahmetit me mafio-oligarkët e inkriminuar ekonomikë", ka potencuar analisti Florim Zeqa.

Skenari mafioz me tokën publike Analisti politik, Reshat Badallaj thotë se fotot e publikuara të Shpendit flasin mjaft dhe tani duhet të merret edhe Prokuroria e Shtetit detyrimisht me këtë rast." Keqpërdoruesi i detyrës zyrtare në mënyrë zinxhirore, Shpend Ahmeti, më në fund, u kap " me pelë për dore" dhe zbuloi fytyrën e vërtetë se në mënyrën me dinake është i lidhur me familjen më të inkriminuar në Kosovë, që quhet Devolli. Shpend Ahmeti dhe banda aty rrotull, tokën e Kosovës, përkatësisht të Prishtinës, duke ia dhënë si të ishte malli i babës, duke i dhënë si tenderët korruptivë, 15 hektarë tokë tek Stacioni i autobusëve, për të ndërtuar qendra tregtare, qendra biznesi dhe disa hektarë tokë ngjitur me Pallatin e Rinisë", u shpreh ai. "Shpend Ahmeti me bandën e tij këtë tokë komunale, që është në zemër të Prishtinës, e jep pa e pyetur fare popullin, në krye të vetin dhe jo vetëm këtë, por edhe një mori rastesh të tjera. Çuditërisht dhe është për të ardhur keq, se si Prokuroria e Shtetit, që paguhet nga taksat tona,përse tregohet "sylesh" karshi kësaj dukurie korruptive dhe nuk mbron interesat shtetërore, për çka edhe paguhet. Kësaj nuk i bie ndryshe, se edhe këta janë të korruptuar deri në fyt në këtë marifet, përndryshe do të reagonte menjëherë dhe të fillohen hetimet kundër Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut, Liburn Aliut, Dardan Molliqajt dhe të gjithë atyre që janë të përzierë në këtë krim shtetëror", thotë opinionisti Reshat Badallaj. 

Tregtarë dhe matrapazë Hetim dhe veprim nga Prokuroria kërkon edhe analisti Muhamet Kelmendi. "Karakteri i tregtarëve të pandërgjegjshëm Devolli veç është vërejtur për shumë vjet dhe decenie më herët. Kemi kështu të bëjmë me tregtarë që sikundër theksohet, e tërë bota, e le më Kosova, është pjesë e xhepit të tyre, qoftë edhe duke shitur për interesa të tilla edhe veten. Takimet dhe puna e Komunës së Prishtinës me këta matrapazë antikombëtarë të përfaqësuesve të Prishtinës në Budva dëmton shumë interesin dhe vetë personalitetin e kryetarit", thotë prof. Muhamet Kelmendi. Sipas analistit politik Jeton Kelmendit, skandali i fundit i Shpend Ahmetit flet katërçipërisht që as ky njeri nuk mund të shkëputet nga karvani i politikave të shumë-inkriminuara të Kosovës. "Mendoj se edhe Shpend Ahmeti është po i llojit të politikanëve të Kosovës, prandaj është normale në raport me standardet politike të vendit. Një gjë duhet thënë se Shpendi Ahmeti nuk e fitoi Prishtinën, por qytetarët e Prishtinës e dënuan ish- kryetarin me duar në xhepa, Isa Mustafën, dhe kjo ka rëndësi të thuhet, edhe në këtë rast. Pra, që në fillim nuk bëhej fjalë për alternativë të vërtetë, e as të besueshme për qytetarët, por për dënim dhe kjo u dëshmua jo vetëm me veprimin e fundit të Ahmetit, por edhe me punën e tij shkatërruese si kryetari i Prishtinës", thotë analisti Jeton Kelmendi.

(Kosova Sot)