Korrupsioni gërryen drejtësinë kosovare

  • 28 March 2017 - 07:47
Korrupsioni gërryen drejtësinë kosovare

Politikanët e zhytur në afera nuk ka kush t'i ndalë.

"KGJK-ja dhe KPK-ja duhet ta luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda vetë sistemit, në mënyrë që sistemi të pastrohet dhe pastaj që këta të mund të kenë sukses dhe të krijojnë një besim për ta luftuar krimin edhe jashtë", vlerësoi Arton Demhasaj.

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se fatkeqë- sisht që nga paslufta sistemi i drejtësisë nuk ka arritur që ta sfidojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, apo ta sfidojë mafinë politike dhe nëntokën kriminale, derisa këto të fundit bashkërisht e kanë sfiduar dhe po vazhdojnë ta sfidojnë drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Sipas tyre, për fat të keq në vend që drejtësia të pengojë veprimet antiligjore të funksionarëve politikë, si duket ajo është bërë vetë pjesë e këtyre grupeve, andaj duhet të marrë edhe përgjegjësitë e merituara. Ndaj është shtruar edhe çështja se çfarë i duhet Kosovës një sistem drejtësie i instaluar që amniston krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike e nëntokën kriminale, derisa është ngjallur edhe dilema se a është lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar edhe problem politikokorruptiv, dhe jo vetëm i drejtësisë, sepse drejtësia e politika nga analistët thuhet se po bashkëjetojnë "në një shtrat" për interesa të tyre të përbashkëta kriminale!? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se thjesht një drejtësi, që amniston krimin dhe korrupsionin nuk mund të quhet drejtësi, ndërsa, sipas tij, fatkeqësisht që nga paslufta sistemi i drejtësisë nuk ka arritur që ta sfidojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, apo ta sfidojë mafinë politike dhe nëntokën kriminale.

Pushtetarët e sfiduan sistemin Kelmendi thekson se mafia politike me nëntokën kriminale e kanë sfiduar dhe po vazhdojnë ta sfidojnë drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Ai tutje thotë se derisa drejtësia sfidohet kështu nga këto fenomene të së keqes në shoqërinë tonë të pasluftës, duket se këto fenomene kanë metastazuar, duke prekur shtresa dhe nivele të shoqërisë, por që luftën ndaj tyre drejtësia nuk e ka fituar as për së afërmi. "Në të vërtetë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet jo vetëm problem i drejtësisë, por sigurisht se është edhe problem politiko-korruptiv, por derisa politika dhe drejtësia bashkëjetojnë për interesa të përbashkëta kriminale atëherë edhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të jetë efikase, për të mos thënë se kështu korrupsioni, krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale i kanë shpallur luftë drejtësisë", është shprehur ai. "Pra, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës e kanë sfiduar në pavarësinë e tij, jo më keq se askush tjetër vetë pushtetarët dhe politika mafioze, për të mbrojtur kësisoj interesat e veta në rend të parë dhe potencialisht për llogari të tyre. Andaj, ky sistem drejtësie i instaluar nuk është në funksionin e drejtësisë dhe gjykimeve të pavarura, dhe kështu s'do të mund të jetë efikas në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit", është shprehur analisti Naim Kelmendi.

Politikanët e inkriminuar amnistohen Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se gjendja kaq e ngatërruar në sistemin e drejtësisë jo pak lë për të kuptuar se kemi të bëjmë, siç tha, me një komision, i cili merret me rehabilitimin e bartësve të krimit të organizuar, ndihmon korrupsionin për të qenë më efikas në vjeljen e parasë dhe i rehabiliton strukturat politike për të vepruar të papenguar. "Nëse gjërat shikohen nga ky prizëm, atëherë mund të konstatojmë se sistemi i drejtësisë është krijuar vetëm për të zhvatur paranë publike?! E nëse nuk është kështu, sistemi i drejtësisë është dashur që të vepronte dhe veprojë. Përndryshe, sistemi i drejtësisë nuk ka qenë efikas, prandaj edhe e kemi këtë gjendje kaq të shtendosur, gjë që po e vret vullnetin qytetar për të punuar dhe për t'u angazhuar", ka vijuar më tej ai. Ndërsa sa i përket asaj se a është lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar edhe problem politiko- korruptiv dhe jo vetëm i drejtësisë, ngase konsiderohet se drejtësia e politika po bashkëjetojnë "në një shtrat" për interesa të tyre të përbashkëta kriminale, Dibrani në këtë drejtim shprehet se natyrisht sistemi politik udhëheq me shtetin dhe me të gjitha grupet e krimit politik dhe krimit ekonomik, por drejtësia në Kosovë nuk është dashur që të bjerë në këtë nivel dhe që të dorëzohej kaq lehtë. "Por, për fat të keq në vend që drejtësia të pengojë veprimet antiligjore të funksionarëve politikë, si duket ajo është bërë vetë pjesë e këtyre grupeve, andaj duhet të marrë edhe përgjegjësitë e merituara", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Shefqet Dibrani.

Duhet nxjerrë Ligji anti-mafia Prof. Avdulla robaj mendon se fillimisht në këtë drejtim duhet të bëhet reforma në sistemin e drejtësisë dhe në kuadër të saj edhe të nxirret Ligji anti-mafia, i cili kishte për të bërë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa, sipas tij, vetëm me Ligjin anti-mafia mund të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, në të kundërtën, siç tha, nuk ka mundësi tjetër, ngase këtë ligj e aplikojnë edhe vendet e regjionit, ku një ndër to është edhe Republika e Shqipërisë. "Pra, në Kosovë Ligji antimafia nuk është nxjerrë deri më tani dhe kjo është pengesa, ndërsa çështje tjetër në këtë drejtim është edhe vullneti politik, pasi nëse nuk ka vullnet politik, atëherë nuk mund të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Po ashtu duhet të bëhet edhe 'Vetingu' ose pastrimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të gjitha këto janë elemente, të cilat kanë efekt në luftimin e dukurive në fjalë", ka spikatur për gazetën "Kosova Sot" Avdulla robaj. Ndërsa Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu', ka konsideruar se drejtësia në përgjithësi, gjykatat dhe prokuroritë nuk bëjnë sa duhet sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngase, sipas tij, në disa raste i mbyllin sytë, duke mos i marrë veprimet çfarë duhet. "Por, nuk mund të them se e amnistojnë ndoshta krimin, për shkak se ata nxjerrin vendime, por mendoj se ato nuk janë të mjaftueshme për të bërë sa duhet, pasi duhet që lufta ndaj këtyre dukurive të jetë në vazhdimësi. Por, ajo që konsideroj është se KGJK-ja dhe KPK-ja duhet ta luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda vetë sistemit, në mënyrë që sistemi të pastrohet dhe pastaj që këta të mund të kenë sukses dhe të krijojnë një besim për ta luftuar krimin edhe jashtë", vlerësoi më tej Demhasaj.

(Kosova Sot)