Të korruptuarit e drejtësisë i shpëtojnë ndëshkimit

  • 29 March 2017 - 07:49
Të korruptuarit e drejtësisë i shpëtojnë ndëshkimit

Nuk ka të dhëna për kallëzimet penale apo akuzat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

"Edhe ato raste që po nisin të hetohen brenda sistemit po përfundojnë me një epilog jo të dëshirueshëm, pasi deri më tani nuk kemi asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror, i cili ka marrë një dënim meritor, përjashto këtu Nazmi Mustafin, që më herët është gjykuar dhe që ka përfunduar me vendim të merituar", ka thënë Arton Demhasaj ,raporton Gazeta Kosova Sot.

Qasja për të mësuar se kur kryhen veprimet kriminale nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve është paksa problematike dhe po ashtu mungojnë edhe statistikat në rastet kur ngrihen edhe kallëzime penale individuale kundër gjyqtarëve të caktuar, se sa prej tyre janë të akuzuar e që ende janë në sistemin juridik të Kosovës. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët po ashtu kanë thënë se edhe ato raste që po nisin të hetohen brenda sistemit po përfundojnë me një epilog jo të dëshirueshëm, pasi deri më tani nuk kemi asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror, i cili ka marrë një dënim meritor. Ndaj, është shtruar edhe çështja se pse është një gjendje e tillë 'e mjegulluar', kur bëhet fjalë për kallëzimet penale kundër gjyqtarëve e prokurorëve të inkriminuar, të cilët dyshohet se kërkojnë mitë dhe bëjnë presion e shantazh ndaj qytetarëve, ku këta të fundit padrejtësisht po maltretohen nga organet e drejtësisë, ndërsa shembuj të këtyre shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut ka përplot. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për Gazetën " Kosova Sot", ka thënë se derisa korrupsioni ka prekur pushtetin e gjyqësisë, prokurorinë, pra sistemin e drejtësisë, sigurisht se kjo është rrezik për vetë demokracinë e vendit. Sipas tij, vetë shteti i së drejtës i shëndoshë nënkupton shtet demokratik të shëndoshë e të fortë në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të gjitha të drejtave të tjera. 

Sipas Kelmendit, brenda sistemit të drejtësisë janë një pjesë e gjyqtarëve të inkriminuar. "Ata që abuzojnë me të drejtën, derisa marrin mitë dhe bëjnë shantazh ndaj qytetarëve, të cilët edhe maltretohen padrejtësisht nga organet e drejtësisë, për çfarë tregojnë me mjaft shembuj avokatët dhe Avokati i Popullit, atëherë këtu shkelen drastikisht dhe në mënyrë flagrante të drejtat elementare të njeriut për mbrojtje dhe përgjigje para drejtësisë në mënyrë të pavarur", u shpreh ai. "Pra, në të vërtetë këto fakte e shembuj janë shqetësues për funksionimin e drejtësisë në vend dhe për vetë shtetin e së drejtës, e që me njerëz të korruptuar nuk mund të ketë drejtësi dhe barabarësi ligjore si për qytetarët, ashtu edhe për pushtetarët për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit dhe mbase askush mbi ligjin. Andaj, vetëm reformat në sistemin tonë të drejtë- sisë do ta shpëtonin drejtësinë nga kapja, korrupsioni e krimi i organizuar, që ka pllakosur drejtësinë dhe shtetin e së drejtës", u shpreh analisti Naim Kelmendi. 

Të zhvillohen hetime ndaj të dyshuarve Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu', ka ripërsëritur atë që ka thënë disa herë se korrupsioni dhe krimi nuk luftohen shumë dhe në masën e duhur brenda sistemit të drejtësisë, dhe derisa kjo nuk ndodh, siç tha, atëherë është problem që të ketë besim brenda sistemit si nga qytetarët, por edhe nga të gjithë personat e tjerë. "Kështu që, mendoj se duhet të ketë hetime, dhe duhet të merren masa ndaj atyre individëve që janë të korruptuar dhe kanë rënë ndesh me ligjin duhet që thjesht të marrin dënimet meritore. Por, unë nuk besoj se po bëhet sa duhet në këtë aspekt, pasi janë shumë pak raste që janë iniciuar sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar të lidhur me krimin, dhe nuk është bërë sa duhet", theksoi ai. Sipas tij, problem po ashtu është për të pasur qasje dhe për ta ditur se kur kryhen veprimet kriminale nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe këtë më tepër mund ta dinë kolegët e tyre, prokurorët dhe gjyqtarët. "Por, prapëseprapë edhe ato raste që po nisin të hetohen brenda sistemit po përfundojnë me një epilog jo të dëshirueshëm, pasi deri më tani nuk kemi asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror, i cili ka marrë një dënim meritor, përjashto këtu Nazmi Mustafin, që më herët është gjykuar dhe që ka përfunduar me vendim të merituar. Andaj, kjo në njëfarë mënyre po vazhdon ta krijojë atë perceptimin se nuk po luftohet krimi brenda sistemit", vijoi më tej Demhasaj. 

Solidaritet kriminal Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu thotë se vetë fakti se nuk është ndërmarrë ndonjë masë në këtë drejtim tregon se nuk ka interesim që të vendoset sistemi i drejtë- sisë në vend. Sipas tij, është shumë problematike, pasi tërë gjyqtarët, prokurorët e avokatët njihen ndërmjet veti, dhe nuk mund të jenë në një mënyrë të paanshëm dhe ky është një problem objektiv, të cilin, siç tha, e kemi ne si shoqëri, për shkak se shoqëria e vogël, po ashtu numri i vogël i gjykatësve dhe prokurorëve e avokatëve, ku të gjithë e njohin njëri- tjetrin dhe e dinë se çfarë personi është dhe thonë se 'ajt çfarë t'i bësh' duke mos e denoncuar asnjëri askënd. " Gjithashtu, në këtë aspekt ka një lloj solidariteti në mes të kolegëve gjykatës e prokurorë, por për mendimin tim jo vetëm shkelësit, por edhe ata që solidarizohen që vetëm i shikojnë kolegët e tyre janë njësoj me ta. Sa për ilustrim, një herë mbaj mend se në Universitetin e Tiranës një profesor- koleg u merrte të holla studentëve dhe të gjithë profesorët e tjerë ishin në dijeni për këtë veprim të tij, por kur e kuptova unë i thashë se kjo nuk tolerohet dhe nuk mund të punoj në një universitet të tillë ku ndodhin gjëra të tilla, dhe thashë atëherë ose po dalim ne po e lëshojmë universitetin, ose le të dalë ai. Por, po mendoj se te ne nuk ka një reagim të tillë të gjykatësve apo prokurorëve, që thjesht të marrin ndonjë hap të tillë. Përndryshe, duhet të ketë edhe një imput, presion nga jashtë në radhë të parë", theksoi për Gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu. Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se ka raste të tilla kur maltretohen ata të cilët janë përballë gjykatave, ndërsa, siç tha, sa i përket asaj se sa gjyqtarë mund të jenë të akuzuar këtë duhet ta dijë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, sepse ata grumbullojnë rastet nga e gjithë Kosova. " Ndërsa, ka raste kur ngrihen edhe kallëzime penale individuale kundër gjyqtarëve të caktuar, por nuk ka ndonjë statistikë se sa gjyqtarë janë të akuzuar, e që ende janë në sistemin juridik të Kosovës", theksoi Gashi.

(Kosova Sot)