AUVK-u, nën akuza për kontrolle të dobëta

  • 29 March 2017 - 07:55
AUVK-u, nën akuza për kontrolle të dobëta

Politika kontrollon gjithçka, por jo edhe ushqimin .

"Agjencia, e cila ka për obligim të garantojë siguri më të madhe për konsumatorë, vazhdon të ndikohet skajshëm prej politikës, duke e detyruar që të mos bëjë kontrolle që shkojnë konform rregullave të BE-së", ka vlerësuar deputeti Salih Salihu,raporton Gazeta Kosova Sot.

Që nga paslufta e deri më sot, cilësia e mallrave të importuara, që i konsumojnë qytetarët tanë, është larg nivelit të duhur dhe standardeve evropiane. Kështu të paktën vlerësojnë përfaqësues të AKB-së, deputetë të pozitës dhe opozitës. Ata pajtohen njëzëri se këto mallra ushqimore po kontrollohen shumë pak nga zyrtarët e AUVK-ut, para se ato të dalin në tregun vendor për shitje. Shumë herë nga bizneset dhe përfaqësuesit e AKB-se dhe Shoqatës së konsumatorëve është thënë se në Serbi ekzistojnë linja të veçanta për mallrat e ushqimit, që i prodhojnë vetëm për tregun kosovar, duke i shitur ato shumë më lirë dhe me një cilësi shumë më të dobët, sesa ato produkte, që i prodhojnë për tregun serb dhe tregjet e tjera. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të zëdhënësit të AUVK-ut, Lamir Thaçi, lidhur me këtë çështje, ai ka thënë se nuk mund të japë përgjigje, me arsyetimin se dje nuk ishte në punë. Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se AUVK-u, si institucion, është kryekëput institucion politik, dhe joprofesional në veprimtarinë e saj.

AKB-ja ankohet Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se Serbia ka strategji për të përfituar sa më shumë hapësirë në tregun e Kosovës, sepse shteti subvencionon prodhuesit në Serbi, që eksportojnë prodhime në vendin tonë. "Në Kosovë politikat fiskale deri më tani pothuajse janë të njëjta, sikurse për importe të produkteve finale, sikurse për lëndë të parë. Kjo është arsyeja kryesore që prodhuesi vendas nuk e ka fuqinë konkurruese ndaj atyre importuese e sidomos nga Serbia", është shprehur ai. "Produktet serbe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, pasi që, sipas tij, ka dyshime të mëdha se linjat e prodhimit për Kosovën nëpër fabrikat serbe janë të veçanta", vijoi më tej kreu i AKB-së. Sipas Shahinit, rreziku është gjithnjë prezent nga produktet, që vijnë në Kosovë, e që nga Serbia kanë destinacion vetëm Kosovën. "Po ashtu, shumë produkte nga Serbia për në vendin tonë vijnë përmes rrugëve alternative, të pakontrolluara nga Dogana dhe AUVK-u, siç janë: duhani, alkooli, derivatet e naftës, medikamente të ndryshme.. etj.", theksoi Agim Shahini.

Skandali i grurit, ilustrimi më i mirë Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (lëvizja VV), thotë se sa i përket cilësisë së mallrave, që i konsumojnë qytetarët në Kosovë, konsideron se janë paksa të dyshimta. "Ky dyshim rrjedh ose mbështetet se pjesa më e madhe e shkëmbimit tregtar realizohet me Serbinë, dhe duke qenë niveli tregtar i Kosovës i varur prej shtetit agresor, mund të aludohet gjithnjë për efekte negative. Konsideroj se AUVK-u, si institucion, është kryekëput institucion politik, dhe joprofesional në veprimtarinë e saj, dhe duke vazhduar nën këtë ritëm sot pjesa dërrmuese e popullatës nuk e dinë se çfarë cilësie të ushqimit konsumojnë", tha ai. "Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, edhe pse deklarojnë se ushqimet, të cilat hyjnë në Kosovë janë të sigurta prapë një gjë e tillë s'mund të jetë e vërtetë, gjithnjë duke marrë për bazë sasinë e madhe të dikurshme, e cila ishte blerë si ushqim kafshësh dhe ishte shitur si mielli cilësisë së mirë", tha ai. Deputeti opozitar thotë se kompania "Devolli" për vite pothuajse vazhdon të importojë sasi të konsiderueshme të grurit me parametra të dobët, çka njëherësh ndikon negativisht për shëndetin e popullatës. "Ndërsa agjencia, e cili ka për obligim të garantojë siguri më të madhe për konsumatorë, vazhdon të ndikohet skajshëm prej politikës, duke e detyruar që të mos bëjë kontrolle, që shkojnë konform rregullave të BEsë", ka vlerësuar ai. Opozitari Salihu vlerëson se pjesa më e madhe e importit të grurit, që hyn në Kosovë, është jo i kontrolluar sipas kritereve, si pasojë e mosveprimit adekuat të inspektorëve sanitarë. "Kështu që ne s'dimë çfarë konsumojmë, dhe cila është cilësia e tyre. Po të kishte inspektim të drejtë dhe të rregullt sanitar, nuk do të ishte e mundshme të gjinden sasi e konsiderueshme e mishit të prishur, pra ky fenomen është duke gjetur mjaft vend në bizneset kosovare", theksoi më tej Salihu. 

Deputeti i PDK-së akuzon Qeverinë Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Shaip Muja (PDK), beson që AUVK-u vepron sipas ligjeve në fuqi dhe si institucion i tillë është përgjegjës të garantojë cilësinë e mallrave, që hyjnë në Kosovë, por jo vetëm ato, ajo është përgjegjëse edhe për mallrat që prodhohen në Kosovë dhe si e tillë duhet të ketë monitorim të vazhdueshëm cilësor . "Ne si ligjvënës deri më tani nuk kemi ndonjë raport nga ndonjë institucion se nuk janë duke u aplikuar ligjet në fuqi nga AUVK-u". Por, ai tha se standardet e mallrave nuk janë edhe aq në nivel me standardet si te BE-ja. "Janë shumë faktorë që nuk lidhen direkt me legjislacionin, por me gjendjen ekonomike , kërkesa dhe oferta në treg kanë lidhshmëri me standardin e shtetit dhe shoqërisë", potencoi ai. Deputeti Muja sqaron se Qeveria e Kosovës është duke varfëruar popullatën në njërën anë dhe në tjetrën po krekoset se ka stabilitet financiar, gjë që është e papranueshme. Ndërsa deputeti Bali Muharremaj (AAK) tha se tha se kontrolli i ushqimit në Kosovë është njëri ndër problemet më serioze, dhe se në disa raste është konstatuar pa asnjë mëdyshje se importohet ushqim i dyshimtë që po u servohet qytetarëve në tavolinë. Ky është një krim i shumë- fishtë, sepse qytetarët hanë ushqim të dyshimtë dhe njëkohësisht rrezikohet shëndeti i tyre. "Përveç kësaj, kjo është vepër penale", ka thënë ai. Muharremaj tha se në këtë kuadër, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka përgjegjësinë kryesore për kontrollin e cilësisë së ushqimit. "Ne kemi konstatuar se kjo agjenci as përafërsisht nuk e kryen punën e saj me ndërgjegje, sepse kontrolli i ushqimit nuk është aspak në nivelin e duhur", theksoi ai. 

Sa zbatohen ligjet, sa përfillet cilësia e ushqimeve? Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha cilësia dhe siguria produkteve ushqimore të importit është e nivelit proporcional me atë të zbatueshmërisë së ligjeve, që akoma nuk e arritur shkallën prej 40 për qind. "Pasluftën e kemi nisur me importin e ushqimeve dhe të produkteve me nivel radioaktiviteti të pahulumtuar dhe kemi arritur deri aty që qytetarit konsumator taksapagues sot nuk i njihet e drejta e matjes së cilësisë së produkteve as të performancës së shërbimeve. Kemi importuar prej qumështit pluhur e grurit deri te armataura radioaktive kanceroze nga Ukraina ( Çernobili ). Kemi edhe rrethana absurde që institucionet e shtetit janë në aleancë të ngushtë me bizneset e me asociacionet e tyre edhe atëherë kur nuk janë në përputhje me ligjet e me Kushtetutën. Kaçaniku tha të gjithë mekanizmat e mbikëqyrjes e inspektimit të tregut dhe të mbrojtjes së konsumatorit, thonë se kontrollohet vazhdimisht i gjithë malli që hyn në tregun e Kosovës, ndërsa në anën tjetër vazhdimisht ankohen e arsyetohen se nuk janë mjaftueshëm të motivuar teknikisht, kuadrovikisht e financiarisht. 

(Kosova Sot)