Turnetë "elektoralë" të Veselit, shpërdorim i parasë publike

  • 29 March 2017 - 07:37
Turnetë

Burjani: Promovimi me paratë publike është abuzim

"Pse 'mos të bëjë' kur nuk ka marre dhe nuk ka shtet. Rriten pagat dhe mëditjet e tyre, nuk ka reagim. Zvogëlohen dënimet për veprat kundër korrupsionit, nuk ka reagime, bëjnë çka të duan nuk u frikohen as Zotit e as shtetit. E kush të frikësohet nga 'gjyqësori' që emërohet dhe kontrollohet nga këta keqbërës... ky është një mjerim i llojit të vet!", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preten,raporton Gazeta Kosova Sot

Raportimet që janë bërë gjatë ditëve të kaluara, sipas së cilave kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po e shfrytëzon buxhetin e Kuvendit për të realizuar videot e tij promovuese, kostoja e së cilave për një periudhë gjashtëmujore të kontratës me portalin 'Ekonomia Online' kap shumën prej rreth 9 mijë euro, ka ngjallur reagime negative jo vetëm te përfaqësuesit e opozitës, por edhe te deputetë të pozitës dhe shoqëria civile e analistët politikë. Emërues i përbashkët i këtyre reagimeve është se kryeparlamentari Veseli, me këtë lloj shpenzimi të buxhetit, po e keqpërdor detyrën zyrtare dhe rregulloren e Kuvendit, e cila i lejon atij disa benefite të veçanta të shpenzimit të buxhetit për ushtrimin e detyrës zyrtare, por jo për çështje personale, që fondet publike të bëjë spote të ngjashme me ato elektorale dhe të bëjë turne dëgjimorë në komuna, po ashtu me shpenzime të parasë publike. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, vlerëson se jo vetëm kryetari Kadri Veseli, por pothuajse e gjithë struktura drejtuese e PDK-së me kohë janë bërë pjesë e abuzimeve të mëdha më buxhetin e shtetit dhe tani ky fenomen vetëm sa po vjen e po merr përmasa të reja edhe në këtë formë."Abuzimi me fondet publike është bërë shprehi e PDK-së dhe vazhdim i traditës së instaluar nga Thaçi, ndërsa shefi i ri vetëm po e vazhdon traditën e keqpërdorimit të fondeve publike. Veseli po improvizon dëgjime publike me qytetarët, që është një hipokrizi e një shefi të një organizate kriminale, e cila i ka bërë vetëm të këqija Kosovës. Këto dyja nuk shkojnë bashkë", theksoi Salihaj.

Berisha dyshon për vlera milionëshe Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, e cilëson këtë mënyrë të financimit të parafushatës së Veselit si abuzim serioz me buxhetin e shtetit, por që është në funksion të keqpërdorimit të Rregullores, e cila i siguron një lloj privilegji të veçantë kryetarit të Kuvendit për të marrë vendime rreth shpenzimeve të buxhetit. "Kjo nuk është ndonjë risi tani në vendin tonë. Fushata e tij dyshoj se do të jetë kosto edhe më të madhe milionëshe, ndërsa kjo që gjoja po e bën tani me buxhet të Kuvendit është vetëm një kamuflim për të mbuluar koston tjetër të kësaj fushatë apo para fushate të promovimit të tij", ka thënë ai. "Për aq sa dimë ne ai ka të drejtë edhe me rregullore të Kuvendit për disa shpenzime që mund t'i bëjë, mirëpo ato shpenzime që po i bën tani për fushatë elektorale kjo nuk është ndonjë risi. Mirëpo unë nuk dyshoj dhe nuk besoj që kjo lloj fushate mund të bëhet me 8 apo 9 mijë euro. Ajo bëhet vetëm me miliona euro dhe me sa di unë ai e ka edhe një kompani çifute mbrapa, atë të cilën e ka pasur edhe Hashimi, dhe me 7- 8 apo 9 mijë euro nuk ma merr mendja që hyn ndokush në një projekt të tillë", theksoi më tej Berisha. Sipas tij Veseli po shihet qartë që është duke u përgatitur për të çuar vendin në zgjedhje, ku veten po e sheh si kryeministër, sepse edhe fushatën po e bën të atij niveli, jo të një niveli nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit, por është duke u sjell tamam si kryeministër, duke u takuar me të gjitha shtresat e qytetarëve, edhe me biznese, dhe në një- farë forme këto janë gjëra që i takojnë të merret me to vetëm Qeveria.

Spotet partiake bëhen me para të partisë, jo të Kuvendit Ish-deputeti Xhevdet Neziraj, ishanëtar i Komisionit për buxhet, thotë se me Kushtetutë dhe me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe kryetarit me këtë rregullore, përveç të ardhurave mujore i takojnë edhe të ardhura të tjera shtesë për punën në Kryesinë e Kuvendit, por jo edhe për gjëra të tjera të promovimit privat a partiak."Çdo vendim tjetër që ka të bëjë me financa duhet të bëhet me propozim të Komisionit për Buxhet dhe Financa, e deri në këtë legjislaturë nuk ka pasur të paraparë në buxhet që të paguhen edhe shpenzime të spoteve për kryetar të Kuvendit. Ai si kryetar i Kuvendit, por edhe i subjektit politik PDK-së, ka të drejtë që me paratë e partisë të bëjë spote politike, kjo është e drejtë e tij dhe e subjektit që i takon, por me para të Kuvendit nuk e ka këtë të drejtë", tha Neziraj për "Kosova Sot". Ai konsideron se sa i përket dëgjimit të kërkesave të qytetarëve është mirë që po i bën ato, por vetëm nëse këto kërkesa do të mund të qiten në Kuvend, të bëhet debat dhe të merren vendime për të mirën e qytetarëve në atë formë që Kuvendi ta detyrojë Qeverinë që të zbatohen ato kërkesa. Sipas Nezirajt, kjo është puna e deputetëve, por edhe e kryetarit të Kuvendit, nëse do të bëhej me seriozitet dhe jo për fushatë politike personale a partiake. "Por, nëse këtë e ka për fushatë para zgjedhore, atëherë është detyrë e secilit kryetar të subjektit politik të bëjë fushatë nëse e ha pazari", tha Neziraj.

Keqpërdorim i buxhetit Politologu Arsim Haziri vlerëson se një shkelje e tillë mund të konsiderohet keqpërdorim i mjeteve publike për qëllime të ndryshme politike. "Sidomos kjo shkelje përbën peshë më të papranueshme kur, subjekt i secilës është kryekuvendari Kosovës, Veseli, po angazhohet gjoja për respektim të ligjit dhe luftim të formave të ndryshme të abuzimit me pushtetin dhe paranë publike. Kjo shkelje fiton peshë më negative kur ajo bëhet nga ai, i cili do duhej të respektonte fuqimisht paranë publike. Në këtë frymë konsideroj se kish qenë e rrugës që kjo shkelje të marrë hapësirë të konsiderueshme parlamentare në kuptimin e një debati, në mënyrë që veprimet e tilla të sanksionohen nëse mendohet të ndërmerren nga ndokush", ka thënë ai. Sipas tij, askush s'ka të drejtë që për veprime private dhe qëllime të ndryshme të manipulojë me buxhetin publik dhe kjo shkelje e tillë në një vend e kushte normale do të merrte formë gjykuese. "Mirëpo, në shtetin tonë të korruptuar prej atyre që do të duhej të ishin faktorë zhvillimi dhe stabiliteti aferat e ndryshme nuk sanksionohen asnjëherë dhe duke vazhduar kështu kanë krijuar praktike të pandalshme që zhvillohet ndër ministra e deputetë. Pra, keqpërdorimi i pozitës publike edhe buxhetit janë rrugë që flasin për një mosfunksionalitet të madh shtetëror, ndërsa kjo fatkeqë- sisht bëhet prej atyre që gjithnjë promovojnë ide se si duhet të avancojë shteti si trup juridiko-social", tha Arsim Haziri. Sipas tij, figura e të parit të Kuvendit është shumë diskutabile dhe po të kishte shtet të së drejtës dhe ligjit ai do të ishte subjekt i gjykatave.

Pushtetarët nuk kanë frikë nga ligji Edhe për ish-kreun e AKK-së, Hasan Preteni, një formë e tillë e abuzimit me paranë publike mund të bëhet vetëm nga ata pushtetarë që nuk njohin shtet as ligj para vetes, madje që nuk ka as besim shpirtëror, e lëre me frikë nga ligji. "Pse 'mos të bëjë' kur nuk ka marre dhe nuk ka shtet. Rriten pagat dhe mëditjet e tyre, nuk ka reagim. Zvogëlohen dënimet për veprat kundër korrupsionit, nuk ka reagime, bëjnë çka të duan nuk u frikohen as Zotit e as shtetit. E kush të frikësohet nga 'gjyqësori' që emërohet dhe kontrollohet nga këta keqbërës... ky është një mjerim i llojit të vet!", tha Hasan Preteni. Ndërsa, sipas analistit Hidajet Ahmeti, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe njëkohësisht abuzimi i pushtetit është vepër penale dhe kjo gjë është e rregulluar shumë mirë me legjislacionin në fuqi. "Është hipokrizi e madhe kur njëri ndër protagonistët e aferës kriminale "Pronto", kryeparlamentari Veseli, del derdh lot krokodili për të gjendjen e rëndë socio-ekonomike dhe krimin që ka instaluar subjekti i tij politik sa ka qenë në qeverisje, por edhe tash kur po bashkëqeverisin me LDK-në "institucionaliste". Lojëra të tilla politike, kinse është një lider moral, intelektual, i guximshëm, atdhedashës, shpëtimtar i këtij vendi, janë lojëra amorale të Kadri Veselit, me të vetmin qëllim për ta pastruar personalitetin e tij dinak e të rrënuar në kontinuitet. E kaluara e tij e dyshimtë në kohën sa ishte në krye të SHIK-ut na jep një pasqyrë të hidhur, prandaj çdo tendencë për ta pastruar personalitetin e tij të rrënuar nga e kaluara e tij kriminale është e kotë", tha Ahmeti. Ai ka shtuar se abuzimi i liderëve institucionalë përmes mekanizmave të pushtetit, për përfitime politike e personale, është një trend që po i përcjellë institucionet publike, por këtij trendi po i fryjnë krerët institucionalë.

Promovimi i një kryetari, përmes abuzimit institucional Analisti politik Blerim Burjani, ish-anëtar i KQZ-së dhe njohës i afërt edhe i skemave të zhvillimit të fushatave e parafushatave zgjedhore politike, thotë se aq sa ai ka informacione Kadri Veseli ka deklaruar se ekipi i tij privat është duke u marrë me klipe të tij me qëllim të promovimit të tij si lider i ri politik. "Këto klipe apo spote po shërbejnë për të promovuar z. Veseli veten si lider i ri i PDK-së dhe tash nuk dihet se kush e vlerëson shkallën e popullaritetit të tij tek degët e PDK-së apo tek opinioni publik. Kështu si ka filluar ai duhet të bëjë edhe një anketë me qytetarët për të parë veten ku gjendet në listën e popullaritetit. Veseli është i ri në politikë dhe kjo duket të jetë e vetmja rrugë për të promovuar veten dhe aktivitetet e tij nëpër komuna, herë duke kujtuar rolin e liderit partiak, herë të kryeparlamentarit e herë të kryeministrit", tha Burjani. Ai potencon se nëse krejt ky promovim po bëhet me paranë publike, me buxhetin e shtetit, ky është një abuzim i madh i një njeriu që po dëshiron të promovohet dhe afirmohet si lideri i ri politik dhe institucional. "Këto spote s'mund të bëhen me para publike dhe paraqesin shkelje, por ai këtë është duke e bërë sikur ka thënë ai privatisht", ka potencuar Burjani

(Kosova Sot)