Banesë përfiton vetëm çdo i pesti aplikues

  • 29 March 2017 - 18:43
Banesë përfiton vetëm çdo i pesti aplikues

Tafarshiku: 180 persona aplikojnë për herë të parë për të marrë banesë

Popullata kosovare gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës është përballur me shumë probleme, ca prej së cilave kanë qenë vërtet të rënda dhe ekzistenciale. Pa dyshim se ndër problemet më delikate që nga ditët e para të pasluftës, e që vazhdon të jetë aktual edhe sot e gjithë ditën, është ai i strehimit të familjeve të pastrehë, numri i të cilave është vërtet i madh. Ky problem është prezent kudo në komunat e Kosovës, por duket se më i theksuar është në ato mjedise ku dëmet e luftës kanë qenë më të mëdha, respektivisht aty ku armiku ka djegur e rrënuar më shumë shtëpi. Në mesin e këtyre mjediseve pa fije dyshimi është edhe komuna e Gjakovës, në të cilën gjatë luftës vetëm në qytet janë kallur e rrënuar 1.654 shtëpi e 600 lokale afariste, si dhe rreth 3.500 shtëpi të tjera në zonat rurale të kësaj komune, raporton gazeta Kosova Sot 

Më shumë se 5100 shtëpi të shkatërruara

Në një komunë ku gjatë luftës janë shkatërruar më shumë se 5 mijë e 100 shtëpi është shumë normale që të ketë vështirësi të mëdha për tejkalimin e problemit të strehimit të të pastrehëve. Prandaj, Gjakova, edhe tash, gati 18 vjet pas përfundimit të luftës, po ballafaqohet seriozisht me këtë problem. Se sa i rëndë është ky problem mbase më së miri e dëshmon fakti se zyrtarëve komunalë ndodh që vetëm brenda një dite t'u drejtohen edhe 10 kërkesa për zgjidhjen e problemit të strehimit, kërkesa që nuk kanë mundësi të zgjidhen pozitivisht. Në fakt, edhe pse më herët ishte paralajmëruar mundësia që në këtë komunë të ndërtohen banesa të reja sociale, gjatë katër-pesë viteve të fundit kjo nuk ka ndodhur, kështu që në Gjakovë vazhdojnë të jenë vetëm dy godina me 48 njësi banimi, që gjenden në bregun e lumit Trakaniqi, e që shfrytëzohen për këtë qëllim, por që as përafërsisht nuk janë të mjaftueshme. Megjithatë, kohët e fundit hallexhinjve iu është ofruar një shans që ndoshta të zgjidhin këtë problem të tyre. Pas regjistrimit të pronës komunale është marrë vendim që të bëhet rindarja e banesave sociale, për çka është shpallur edhe konkursi përkatës."Bëhet fjalë për ndarjen e 46 banesave sociale që janë në pronësi të komunës, për shfrytëzimin e të cilave kanë pasur të drejtë të konkurrojnë edhe ata që ato i kanë shfrytëzuar më herët apo janë duke i shfrytëzuar aktualisht, por edhe të tjerë që ballafaqohen me këtë problem", ka thënë për gazetën Ali Tafarshiku, kryetar i komisionit komunal për ndarjen e këtyre banesave.

I tërë procesi vështirë të kryhet para vjeshtës!

Ashtu sikurse edhe është pritur, ky komision është përballur me një punë të vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Se është kështu mbase më së miri dëshmon e dhëna se për shfrytëzimin e njërës prej këtyre 46 njësive të banimit, kanë konkurruar hiq më pak se 220 veta, që është gati 5 herë më shumë se që ka banesa që do të jepen në shfrytëzim. "Nga këta 220 aplikues, 40 janë që këto banesa i kanë shfrytëzuar më herët apo janë duke i shfrytëzuar aktualisht, ndërsa 180 të tjerët aplikojnë për herë të parë për këtë qëllim", ka bërë të ditur Tafarshiku. Sipas tij, komisioni komunal është futur në fazën përfundimtare të punës në këtë etapë. Ai thotë se janë identifikuar 60 raste që i përmbushin në tërësi kriteret e parapara me konkurs. "Disa nga dëshmitë e prezantuara nga aplikuesit i kemi verifikuar edhe në Drejtorinë Komunale të Pronës, ndërsa tash jemi në fazën e verifikimit në terren të dokumentacionit që është prezantuar në konkurs", ka thënë Tafarshiku, duke shtuar se, sipas të gjitha gjasave, më së largu deri më 15 prill komisioni do të dalë me propozimet preliminare se kush do të fitojë të drejtën e shfrytëzimit të këtyre banesave sociale, por se më pastaj të pakë- naqurit kanë të drejtë të ankohen në Ministrinë e Ambientit. Pra, sipas të gjitha gjasave, është vështirë të pritet që tërë ky proces do të përmbyllet para vjeshtës. "Ka kohë që unë me familjen time e shfrytëzojmë një banesë sociale, dhe, kuptohet, kemi riaplikuar që ta vazhdojmë shfrytëzimin e kësaj banese. Sinqerisht po frikohem se pas tërë këtij procesi për rindarjen e këtyre banesave mund të fshihet ndonjë tendencë për manipulime", ka shprehur drojën një nga shfrytëzuesit e banesës sociale në komunën e Gjakovës, i cili shpreson se nuk do ta "ngucin" nga ajo banesë.

(Kosova Sot)