Shahini: Produktet serbe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve

  • 29 March 2017 - 20:05
Shahini: Produktet serbe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve

Që nga paslufta e deri më sot, cilësia e mallrave të importuara, që i konsumojnë qytetarët tanë, është larg nivelit të duhur dhe standardeve evropiane. Kështu të paktën vlerësojnë përfaqësues të AKB-së, deputetë të pozitës dhe opozitës. Ata pajtohen njëzëri se këto mallra ushqimore po kontrollohen shumë pak nga zyrtarët e AUVK-ut, para se ato të dalin në tregun vendor për shitje.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se Serbia ka strategji për të përfituar sa më shumë hapësirë në tregun e Kosovës, sepse shteti subvencionon prodhuesit në Serbi, që eksportojnë prodhime në vendin tonë. "Në Kosovë politikat fiskale deri më tani pothuajse janë të njëjta, sikurse për importe të produkteve finale, sikurse për lëndë të parë. Kjo është arsyeja kryesore që prodhuesi vendas nuk e ka fuqinë konkurruese ndaj atyre importuese e sidomos nga Serbia", është shprehur ai. "Produktet serbe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, pasi që, sipas tij, ka dyshime të mëdha se linjat e prodhimit për Kosovën nëpër fabrikat serbe janë të veçanta", vijoi më tej kreu i AKB-së. Sipas Shahinit, rreziku është gjithnjë prezent nga produktet, që vijnë në Kosovë, e që nga Serbia kanë destinacion vetëm Kosovën. "Po ashtu, shumë produkte nga Serbia për në vendin tonë vijnë përmes rrugëve alternative, të pakontrolluara nga Dogana dhe AUVK-u, siç janë: duhani, alkooli, derivatet e naftës, medikamente të ndryshme.. etj.", theksoi Agim Shahini.

(Kosova Sot)