Fshati i ustallarëve dhe i mjedrave kualitative

  • 20 April 2017 - 17:32
Fshati i ustallarëve dhe i mjedrave kualitative

LUBINJA E EPËRME, FSHAT I BUKURISË SË RRALLË

Banorët ruajnë ritin e synetisë në çdo pesë vjet dhe festojnë me tupanë e surle

Banori Refki Kasi thotë se Lubinjën e Epërme e dallon kultivimi i mjedrës kualitative dhe me këtë merren 200 banorë të këtij fshati, të cilët sigurojnë paga mesatare. Ai shton se ky fshat dikur ishte vend i ustallarëve të gurit, të cilët ishin të njohur në gjithë Kosovën

Fshati Lubinjë e Epërme e komunës së Prizrenit ka një pamje magjepsëse. Njerëzit e quajnë me epitete të ndryshme, si fshati i intelektualëve apo si fshati i ustallarëve. Ky fshat shquhet për ajër të pastër dhe njerëzit kanë një dashuri të madhe për të jetuar aty."Po nuk jetove në Lubinjë atëherë shko në Evropë", thonë banorët e këtushëm. Sipas tyre, vetëm ndonjë fshat në Evropë mund ta zëvendësojë këtë fshat që shquhet për bukuri të rrallë. Refik Kasi shprehet për gazetën se ky fshat ka një traditë karakteristike për ritin e synetisë. Shton se banorët një herë në pesë vjet, sidomos kurbetçinjtë organizojnë një herë në pesë vjet ritin e synetisë për djemtë e vegjël të këtij fshati."Ky rit organizohet nga i gjithë fshati Lubinjë e Epërme dhe ajo e Poshtme. Mblidhen tupanë e surle dhe kjo dasmë e përbashkët bëhet si një traditë e lashtë", tregon ai.

Mjedrat kualitative

Refik Kasi nga Lubinja tregon se tashmë në këtë fshat janë 3300 banorë dhe shumica e kësaj ane fshatin e njohin si fshat të intelektualëve. Ai shton se këtë fshat e dallon kultivimi i mjedrës kualitative dhe me këtë merren 200 banorë të sigurojnë paga mesatare nga kultivimi i mjedrës."Janë mbi 60 familje që tashmë kultivojnë mjedrën", shprehet Kasi. Ai thotë se dikur ky fshat ishte fshat i mjeshtërve të njohur të kësaj ane dhe në gjithë Kosovën, sepse ishin zanatlinj të punimit me gurë. Në Evropë, sipas tij, jetojnë diku mbi 1200 banorë, prandaj edhe ky fshat është mjaft i pasur. Kurse deputetja Emilia Rexhepi për "Kosova Sot" tregon se fshati Lubinjë e Epërme dallohet për intelektualë të mëdhenj dhe thotë se ky fshat meriton statusin e komunës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Simboli i qiellit në fytyrën e nuseve

Në mesin e shumë traditave, sipas Emelia Rexhepit, është edhe tradita e përgatitjes së nuses që fillon me lyerjen e fytyrës me krem të bardhë, ndërsa më pas bëhen vijat me pluhur nga ari dhe vizatohen rrathët si simbol i qiellit."Tre rrathët e artë që simbolizojnë ciklet e jetës janë të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet linjave të arta. Pikturimi i fytyrës së nuseve është traditë e lashtë e trashëguar deri në ditët e sotme në fshatin Lubinjë e Poshtme të Rajonit të Luginës së Lumëbardhit. Sot, kjo traditë është në prag të zhdukjes pasi që vetëm një grua 65-vjeçare vazhdon përgatitjen e nuseve të reja, sipas traditave të tyre", tregon ajo. "Këto linja simbolizojnë rrugët të cilat njeriu i kalon gjatë jetës së vet. Rrathët e brendshëm të kuq janë simbole të pjellorisë dhe e gjithë fytyra është e mbuluar me pika të kuqe dhe të kaltra, që përçojnë urimin për nusen e re që të ketë familje të shëndetshme dhe të lumtur", tregon Emilia Rexhepi. Ajo tregon se tradita e mjeshtërve të gurit është më e njohura për këtë fshat. Sipas saj, mjeshtrit e Lubinjës kanë ndërtuar me gurë shumë vende në Kosovë. Ajo lavdëron gratë që dinë të mbledhin sidomos qumështin e nga qumështi pastaj bëjnë prodhime të shëndetshme. 

(Kosova Sot)