Këshillat nën sundimin politik paralizojnë drejtësinë

  • 21 April 2017 - 08:06
Këshillat nën sundimin politik paralizojnë drejtësinë

KGJK-ja e KPK-ja duhet të sigurojnë pavarësinë e sistemit,shkruan gaztea Kosova Sot.
Fakti se Gjyqësori kosovar, por edhe sistemi prokurorial në vazhdimësi ka qenë dhe vazhdon të jetë në qendër të akuzave nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, flet se KGJK-ja dhe KPK-ja nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet dhe në mënyrë efikase. Ndaj, edhe performanca e këtyre dy këshillave deri më tani lë shumë për të dëshiruar, e veçmas pavarësia e Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Ndaj, është shtruar edhe çështja se a i kanë shpëtuar kapjes nga politika këshillat në fjalë apo edhe ata janë të kapur nga kjo e fundit. Sipas analistëve, reformimi i drejtësisë duhet së pari të ketë në thelb bërjen e një trupe të pavarur nga politika për të pasur më pastaj pavarësi të gjyqësorit dhe organit të akuzës. Për këtë dhe atë se a janë mbase edhe KGJK-ja dhe KPK-ja në duart e politikës ditore, po japim në vijim opinionet e njohësve të kësaj fushe. Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu', në një prononcim për Gazetën "Kosova Sot", ka thënë se mund të thuhet se politika është përzier në mënyrë të fshehtë në aspektin e përzgjedhjes së njerëzve në KGJK dhe KPK, ose në krye të gjykatave, por, sipas tij, është paksa problematike që të vërtetohet ajo se a janë të kapur KGJK-ja dhe KPK-ja nga politika apo jo,shkruan gazeta Kosova Sot.

Dikur politikanë, sot krerë të Prokurorisë

Sipas Demhasajt, tendenca ka treguar se gjithmonë partitë politike kanë pasur për synim që njerëzit e vet t'i fusin në KGJK dhe në KPK, që pastaj përmes tyre të arrijnë t'i kontrollojnë gjykatat dhe prokuroritë dhe në një- farë mënyrë të jenë të amnistuar nga hetimet e mundshme për vepra të ndryshme penale. " Por, prapëseprapë po them se kjo është një perceptim ose paragjykim që mund të themi, edhe pse p.sh. në Prokurori të Shtetit kemi Bahri Hysenin që është anëtar i KPK-së, i cili ka qenë anëtar i PDK-së, ka qenë deputet nga radhët e kësaj partie, madje ka udhëhequr Komisionin për legjislacion për një mandat, kështu që ai njeri është politik kështu që nuk mund të themi se s' ka njerëz që kanë qenë të përfshirë në politikë dhe tash janë pjesë e KPK-së ose rasti tjetër i Sylë Hoxhës, i cili ka udhëhequr me Prokurorinë Themelore në Prizren, ndërsa tani është bërë prokuror special në Prokurorinë Speciale derisa edhe ky ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kështu që janë këto dy figura që mund t'i përmendim si shembull për të treguar se ka individë që kanë qenë të përfshirë në politikë drejtpërsëdrejti dhe tash janë bërë pjesë e strukturave gjyqësore, por me nxjerrë përfundimin se komplet të dy këshillat janë të kapur nga politika është pak problem, ani pse asnjëherë unë personalisht nuk e përjashtoj atë që ka njerëz që kanë qenë të infiltruar, qoftë direkt apo indirekt në politikë dhe që janë futur në drejtësi në mënyrë që më pas në kontroll dhe për të arritur që t'i kontrollojnë si institucione", ka shtuar ai. Ndërsa, sa i përket asaj nëse reformimi i drejtësisë duhet së pari të ketë në thelb bërjen e një trupe mbase të pavarur nga politika për të pasur më pastaj pavarësi të Gjyqësorit dhe organit të akuzës, Demhasaj në këtë drejtim thotë se janë dy elemente që matin pavarësinë e drejtësisë çdo kund, ku është që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë mandat pak më afatgjatë që pastaj mos të jenë nën ndikimin e frikës, që pasi ta kryejnë mandatin se çfarë do të ndodhë me ta, dhe tjetra, sipas tij, është pavarësia financiare, pasi gjykatat dhe prokuroritë duhet të kenë një pavarësi financiare, që mos të varen nga dikush tjetër. "Elementi i parë, që duhet të caktohet, është që KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të kenë pavarësi financiare dhe në momentin kur e gëzojnë këtë, atëherë mundemi edhe të llogaritim se mund t'i hyjmë procesit të reformimit të këtyre dy këshillave dhe po ashtu kemi për të arritur ta bëjmë që gjykatat dhe prokuroritë të jenë të pavarura nga politika", ta Arton Demhasaj.

Të spastrohen radhët

Analisti Naim Kelmendi thotë se mungesa e efikasitet në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ana e drejtësisë dhe përgjithësisht Gjyqësorit mbase ndërlidhet me vetë kuadrin e institucionit në sistemin e drejtësisë, sikur janë gjyqtarët joprofesionistë, të paaftë dhe njëherësh edhe të korruptuar e të ndikuar nga politika dhe ndërlidhjet e tjera që ndikojnë tërthorazi dhe drejtpërdrejt në punën dhe efikasitetin e vetë sistemit të drejtësisë në luftën ndaj dukurive të lartcekura. Kelmendi nënvizon se në një mënyrë vetë KGJK-ja dhe KPK-ja do të duhej ta zhvillonin luftën e spastrimit nga gjyqtarët dhe prokurorët joprofesionistë, të paetikë, e të papërgjegjshëm, dhe mbase edhe e të korruptuar në detyrën dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit, derisa pa spastrimin e kësaj kategorie gjyqtarësh e prokurorësh asnjëherë nuk mund të mendohet se me këtë kategori, mund të ecet para zhvillimi i sistemit të drejtësisë drejt reformimit. " Pra, janë pikërisht të tillë gjyqtarë e prokurorë pengesë për vetë sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin përgjithë- sisht, dhe për vetë zhvillimet e tij dhe të demokratizimit të këtij sistemi, derisa në anën tjetër kjo është edhe një padrejtësi që i bëhet qytetarit dhe interesit të tij në fushën e drejtësisë, për të pasur gjyqësi dhe prokurori të përgjegjshme e të pakorruptuar, pra me gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, që punojnë me etikë dhe profesionalizëm, ngase mbajnë përgjegjësi dhe detyrim për të qenë të përgjegjshëm para ligjit dhe detyrës së besuar, në mënyrë që të kemi kështu drejtësi dhe gjyqësi të ndershme dhe të besuar nga qytetarët e vendit", theksoi për Gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. 

Shkeljet ligjore të mos tolerohen

Profesori tjetër, Mazllum Baraliu thotë se struktura e KGJK-së dhe KPK-së do të duhej të ketë një qëndrim rigoroz në relacion me shkeljet disiplinore që eventualisht bëhen nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngase me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë janë në Këshillin disiplinor me muaj dhe vite derisa në fakt nuk procedohen apo nuk përfundohen lëndët ndaj tyre, derisa në këtë drejtim, siç tha, do të duhej që të shtohej përgjegjësia dhe të ashpërsoheshin kriteret edhe më tepër. Por, Baraliu thotë se deri më tani strukturat e mëhershme të KGJK-së dhe KPK-së, por mbase edhe këto të tanishmet nuk po tregohen aq efikase në këtë aspekt. " Andaj, do të duhej që ato të mos jenë të ndikuara nga politika, por të jenë sa më efikase në punën e tyre në mënyrë që vërtet të ndryshojë perceptimi i bashkësisë ndërkombëtare në raportet e progresit për Gjyqësorin, por edhe njëkohësisht të ngritët imazhi i tij karshi qytetarëve, dhe që ata të kenë besim më tepër në gjykatat dhe prokuroritë e vendit", potencoi ai. "Veç tjerash, do të duhej të ketë ndryshime dhe avancime në këtë fushë, në mënyrë që të ndryshojë gjendja e Gjyqësorit dhe Prokurorisë dhe të ketë avancime pozitive në mënyrën e funksionimit të tyre, por edhe në emërimin e anëtarëve të tyre si dhe në funksionalitetin dhe efikasitetin në kryerjen e lëndëve të veprimtarisë së gjykatave të të gjitha niveleve në Kosovë", spikati për Gazetën "Kosova Sot", Mazllum Baraliu, 

(Kosova Sot)